Rusia u shiti gazin e parë në rubla blerësve evropianë

Gjigandi rus i energjisë “Gazprom” ka shitur në monedhën ruse 80 milionë metra kub gaz natyror përmes Platformës Elektronike të Shitjes (ESP).

Gazprom'la barış yapma kararı aldı.jpg
gazprom açıklama.jpg

Gazprom Export”, kompania eksportuese e Gazprom-it, ka bërë shitjen e parë të gazit natyror me çmim në rubla për një kompani të Evropës Perëndimore, njoftoi të enjten vonë gjigandi rus i energjisë.

Kompania, e cila tradicionalisht shet gaz për blerësit evropianë në dollarë amerikanë ose euro, shiti 80 milionë metra kub gaz në Platformën Elektronike të Shitjes (ESP) në monedhën ruse për t'u dorëzuar në Pikën e Tregtisë Virtuale (Virtual Trading Point) “NetConnect Germany” (NCG).

"Për herë të parë në historinë e Gazpromit, një kompani e Evropës Perëndimore blen gaz dhe paguan në rubla", tha Elena Burmistrova, drejtore e përgjithshme e “Gazprom Export”, duke shtuar se kompania ka në plan ti zhvillojë më tej shitjet në rubla nëpërmjet ESP-së ruse.

Platforma ESP është projektuar për të shitur fizikisht gaz natyror për konsumatorët evropianë, përveç furnizimeve sipas kontratave ekzistuese. Kur shitjet e gazit filluan të bëhen nëpërmjet kësaj platforme (në shtator 2018), kompania shiti rreth 3 miliard metra kub gaz natyror, duke nënshkruar kontrata me më shumë se 20 klientë.

Ky transaksion është pjesë e synimit të autoriteteve ruse për të reduktuar përdorimin e dollarit në tregtinë e jashtme për shkak të sanksioneve të vendosura nga ShBA-ja dhe një numër i madh i vendeve perëndimore.

Më 3 tetor 2018, ministri rus i Zhvillimit Ekonomik Maxim Oreshkin tha se ministria që drejton bashkë me ministrinë e Financave dhe me Bankën Qendrore të vendit do të ndërmarrin hapa të ndryshëm për "de-dollarizimin" e ekonomisë ruse.

Në një raport të botuar më 9 janar, Banka Qendrore e Rusisë thotë se në tremujorin e dytë të 2018-s, 100 miliardë dollarë nga rezervat e saj në valutë të huaj i ka konvertuar në juan dhe euro.



Lajme të ngjashme