Moska hedh poshtë pretendimet për partneritetin me OPEC

Zëdhënësi i presidencës ruse, Dimitriy Peskov tha se Rusia nuk ka në plan të krijojë një partneritet formal me Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC).

Moska hedh poshtë pretendimet për partneritetin me OPEC

Në një deklaratë që bëri në kryeqytetin e vendit, Moskë, Peskovi foli edhe në lidhje me pretendimet që qarkullojnë, se Rusia synon të krijojë një partneritet zyrtar me OPEC-un, me qëllim për të ekuilibruar më mirë çmimet globale të naftës.

Peskov vuri në dukje se presidenti rus, Vladimir Putin për çështjen e bashkëpunimit midis OPEC-ut dhe Rusisë ishte konsultuar me një numër të madh udhëheqësish.

"Së fundmi këtë çështje Putini e diskutoi me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Selman, të cilit i kishte përmendur efektivitetin e bashkëpunimit aktual në balancimin e çmimeve ndërkombëtare të naftës, prandaj nuk është planifikuar krijimi i ndonjë partneriteti formal me OPEC-un", sqaroi zëdhënësi i Kremlinit.

Ministri rus i Energjisë, Aleksandër Novak në një deklaratë të fundit kishte thënë se ai i jepte pak shanse krijimit të një strukture të përbashkët midis OPEC-ut dhe vendeve të tjera eksportuese të naftës, për shkak të riskut të sanksioneve amerikane ndaj organizatave monopole dhe proceseve burokratike në rritje.

Për shkak të ecurisë së luhatshme të çmimeve të naftës, disa vende prodhuese të naftës, të udhëhequra këto nga Rusia, dhe OPEC-u në fund të vitit 2016 kishin marrë vendim për të bashkëpunuar lidhur me prodhimin e naftës.

 


Lajme të ngjashme