Koment - Interesat e përbashkëta ekonomike të vendeve të Ballkanit

Të ndërgjegjshëm për faktin se nuk mund t'i kapërcejnë lehtë vështirësitë, vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin hapa në nivel rajonal, të veprojnë së bashku, të arrijnë interesat e tyre të përbashkëta dhe të jenë më afër anëtarësimit në BE.

balkan liderler mogherini.jpg
AB - Batı Balkanlar Zirvesi Bulgaristan Sofya 02.jpg
Balkan Ministerial.jpg
Batı Balkanlar Başbakanları_Arnavutluk Durres_toplantısı_07_Edi Rama_Ramush Haradinaj.jpg
Batı Balkanlar Başbakanları_Arnavutluk Durres_toplantısı_05.jpg

Zgjerimi vazhdon të jetë një nga politikat kyçe të BE-së. Pavarësisht sfidave të ndryshme, vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit në BE. Që nga fillimi, BE-ja ka ndihmuar në reformimin e shtetit dhe ekonomisë në Ballkan; në përmirësimin e demokracisë dhe rritjen e efikasitetit në institucionet publike. Në pikën e arritur sot vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të përmirësojnë ekonomitë e tyre dhe të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit në BE duke ndërmarrë hapa të mëtejshëm në nivel rajonal.

Vitet e fundit, bashkëpunimi rajonal midis vendeve të Ballkanit ka filluar të dominojë tek çështjet ekonomike, si përmirësimi i kushteve të jetesës, konkurrenca dhe zhvillimi. Sondazhet tregojnë se njerëzit e rajonit çështjet që kanë të bëjnë me papunësinë dhe gjendjen e përgjithshme ekonomike i perceptojnë si probleme kryesore të rajonit.

 

Për dekada të tëra vendet e Ballkanit nuk kanë mundur të hyjnë në mesin e ekonomive në rritje. Në fakt, në vitin 2008 pjesa e vendeve të Ballkanit Perëndimor në GDP-në botërore u zvogëlua në 0,18% nga 0,38% që ka qenë në vitin 1980. Pas kësaj date, problemet socio-ekonomike në vendet e Ballkanit u thelluan edhe më shumë me ndikimin e krizës ekonomike globale. Edhe pse sot të gjitha ekonomitë e rajonit kanë filluar të rriten përsëri, ato do të duhet të kapërcejnë pengesat në tregun e punës, në mënyrë që të mbajnë normën reale të rritjes prej 4% deri në vitin 2023. Një rëndësi të veçantë ka këtu rritja e niveleve të punësimit të grave dhe të rinjve.

Sipas Barometrit Ballkanik 2018, 21 për qind e publikut në Ballkanin Perëndimor nuk është në gjendje të paguajë qiranë dhe faturat, 19 për qind nuk mund ta ngrohin mjaftueshëm shtëpinë e tyre gjatë muajve të dimrit, 40 për qind ndjejnë rrezikun e rënies në varfëri dhe 30 për qind janë të shqetësuar se mund të humbasin vendin e punës. Nga ana tjetër, bota e biznesit ka probleme të ndryshme. Vitin e kaluar, 38 për qind e kompanive në Ballkanin Perëndimor duhej të gjenin një zgjidhje për pagesat e tyre të prapambetura. Shumë nga këto kompani gjithashtu patën probleme lidhur me qasjen në financa, sigurimin e financimit.

 

Meqenëse baza e sektorit privat është e ngushtë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një rrjedhë të vazhdueshme të kapitalit të huaj për të rritur fuqinë e tyre konkurruese dhe për t’u rritur ekonomikisht. Të ndërgjegjshëm për faktin se nuk mund t'i kapërcejnë lehtë këto vështirësi, vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të ndërmarrin hapa në nivel rajonal, të veprojnë së bashku, të arrijnë interesat e tyre të përbashkëta dhe të jenë më afër anëtarësimit në BE.

Samiti i Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Londër më 10 korrik 2018, ku u trajtuan projektet e infrastrukturës, të cilat synojnë përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe energjisë në rajon, ishte ngjarja më e rëndësishme rajonale e vitit. Përveç Samitit të Londrës, takime të ngjashme janë mbajtur vitet e fundit edhe në Trieste, Paris, Vjenë dhe Berlin. Edhe këto samite kanë dhënë gjithashtu impulse pozitive për reformat që duhen zbatuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Sot, niveli i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor ka krijuar një nevojë të fortë edhe për mbështetjen parlamentare. Në të vërtetë, disa forume parlamentare që janë zhvilluar në rajon, jo vetëm që lehtësojnë komunikimin rajonal, por kontribuojnë edhe në mirëkuptimin e përbashkët rajonal dhe në procesin e integrimit evropian.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me seli në Sarajevë është një institucion i rëndësishëm që bashkon vendet e Ballkanit përreth interesave të përbashkëta. Këshilli (RCC) jep gjithashtu kontribute të rëndësishme në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, në mbështetjen e reformave politike, ekonomike, sociale dhe institucionale në vendet e Ballkanit. Si një degë operacionale e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) po përpiqet të ndërmarrë hapa për të përmirësuar kushtet e rritjes ekonomike, punësimit dhe konkurrencës në Ballkan.

Me mbështetjen e të gjitha këtyre institucioneve dhe aktiviteteve që realizohen në nivel rajonal, vendet e Ballkanit po përpiqen të krijojnë një pamje të re për veten e tyre. Ato (vendet e Ballkanit) dëshirojnë që Ballkani të mos njihet si një rajon i paqëndrueshëm, por si një rajon që lufton me korrupsionin, që forcon institucionet shtetërore, që përpiqet të tërheqë investime të huaja dhe që interesohet me kushtet e jetesës së qytetarëve. Megjithatë, vendet e Ballkanit do të duhet të ndërmarrin më shumë hapa për këto çështje. Për të përshpejtuar procesin e pranimit në BE, vendet e rajonit në fjalë do të duhet të ndërmarrin hapa më vendimtare në nivel kombëtar dhe rajonal në aspektin e sundimit të ligjit, qeverisjes ekonomike dhe zhvillimit të kapaciteteve administrative.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

 


Lajme të ngjashme