Altmeier: Evropa të qëndrojë e bashkuar kundër masave ndëshkuese të SHBA-së

Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmeier, kërkoi të premten që Evropa të qëndrojë e bashkuar kundër sanksioneve me cilësi ndëshkuese, të cilat janë vendosur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump...

Altmeier: Evropa të qëndrojë e bashkuar kundër masave ndëshkuese të SHBA-së

Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmeier, kërkoi të premten që Evropa të qëndrojë e bashkuar kundër sanksioneve me cilësi ndëshkuese, të cilat janë vendosur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Peter Altmeier tha se Samiti i G7-s, i cili mblidhet të premten dhe të shtunën në Kanada, nuk është e qartë se si do të përfundojë në një klimë të tensionuar si kjo e tashmja në marrëdhëniet tregtare me SHBA-në, por do të jetë pa dyshim më i vështirë në krahasim me vitet e mëparshme.

“Kjo s’është diçka që ka ndodhur mbrëmë apo mëngjesin e sotëm; po ballafaqohemi me një situatë serioze që vijon prej disa javësh”, deklaroi ai gjatë një interviste në televizionin gjerman, “ZDF”.

Duke theksuar rëndësinë e unitetit të Evropës karshi situatës në fjalë, Altmeier tërhoqi vëmendjen se kjo ka peshë të madhe edhe në aspektin e asaj që në SHBA janë duke vazhduar debatet e brendshme veçanërisht për sanksionet me cilësi ndëshkuese, që janë dekretuar nga Presidenti Trump.

Shefi i ekonomisë gjermane bëri me dije se Bashkimi Evropian gjithashtu do të zbatojë tarifa të nevojshme në këndvështrimin e tij, nëse s’i mbetet zgjidhje tjetër.

Por – shtoi ai – Evropa nuk ka hequr dorë ende nga angazhimi i saj për të vijuar dialogun me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetëm pak orë para se të skadonte afati përjashtues në lidhje me tarifat doganore shtesë, që SHBA-ja do të aplikojë ndaj importeve të çelikut dhe aluminit nga shtetet anëtare të BE-së, Shtëpia e Bardhë pati njoftuar shtyrjen e implementimit të tarifave të reja mbi importin e metaleve në fjalë për Bashkimin Evropian, Kanadanë dhe Meksikën.

Në fund të majit, sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, pati bërë me dije se importet e çelikut dhe aluminit nga këto vende (BE, Kanada dhe Meksikë) do të tatohen përkatësisht me 25 dhe 10%.

Dekreti i Presidentit Trump në lidhje me tarifat doganore shtesë për importet e këtyre metaleve irritoi jo pak vendet e G7-s dhe Kanadaja me Meksikën ndërmorën menjëherë kundërmasa, ndërsa BE-ja u shpreh e gatshme për një raprezalje po ashtu.

“Me këtë hap të bërë pa ndonjë motiv në lidhje me sigurinë kombëtare, SHBA-ja po kryen një ndërhyrje flagrante për të mbrojtur industrinë e saj. E presim me keqardhje këtë hap. Proteksionizmi s’mund të jetë përgjigje apo zgjidhje për problemin e përbashkët në sektorin e çelikut”, pati thënë Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, duke potencuar se kjo do të pasohet me kundërmasa nga ana e Brukselit për të vendosur ekuilibër në marrëdhëniet tregtare BE-SHBA.

Si kundërpërgjigje ndaj tarifave doganore shtesë, që SHBA-ja do të zbatojë për importet e çelikut dhe aluminit, BE-ja hartoi një listë 10-faqëshe me produktet amerikane, të cilat planifikon t’i tatojë me 25%.

Ndërkaq, Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka bërë të ditur SHBA-së që të mos ndërmarrë një luftë tregtare mes miqsh, pas deklaratave të Presidentit Trump se do të shkonte në Samitin e G7-s “për të luftuar për vendin” e tij.

Macron u shpreh në gjuhën angleze përmes llogarisë së tij në “Twitter” se G7-a mund të arrinte një marrëveshje edhe pa Trumpin.

“Presidentit amerikan mund të mos i vijë keq që të jetë i izoluar, por edhe neve s’na vjen keq të firmosim një marrëveshje për gjashtë vende dhe këto vende janë një forcë ndërkombëtare. Gjashtë vendet formojnë një treg më të gjerë sesa ai amerikan, kjo nuk duhet harruar’’, theksoi shefi i Pallatit “Elysee”.

Duke iu referuar Trumpit , që justifikohet me tarifat e vëna mbi aleatet se dëshiron që të mbrojë ekonominë e SHBA-së dhe vendet e punës së shtetasve amerikanë, Macron këmbëngul se “një luftë tregtare nuk i leverdis askujt, me në krye punëtorët amerikanë”.



Lajme të ngjashme