Nadal: Marrëdhëniet Turqi-Spanjë janë shumë të fuqishme

Ministri i Turizmit të Spanjës, Alvaro Nadal, në fjalën që mbajti në hapje të Forumit Ekonomia e Re, tha se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Spanjës janë shumë të fuqishme...

Nadal: Marrëdhëniet Turqi-Spanjë janë shumë të fuqishme

Ministri Nadal foli në hapje të Forumit Ekonomia e Re, ku i ftuar nderi ishte Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım), i cili ndodhej në Spanjë për një vizitë zyrtare.

Marrëdhëniet mes Spanjës dhe Turqisë janë shumë të fuqishme, u shpreh Nadal, duke shtuar se krahas të qenurit aleatë në NATO të dyja vendet bashkëpunojnë shumë edhe në kuadër të antiterrorizmit.

Duke deklaruar se Turqia ka bërë një punë të mirë gjatë presidencës së G20-s Nadal tha: "Turqia dhe Spanja janë dy vende të mëdha evropiane. Të dyja po shënojnë arritje të mëdha për sa i takon rritjes ekonomike. Në të vërtetë, të dyja vendet gjithashtu kanë një potencial të madh turistik. Në vitin 2017 Turqia ka pritur 32 milionë turistë. Turqia është një treg i rëndësishëm për ne. Ne po e studiojmë tregun e turizmit të Turqisë dhe duke parë se çfarë po ndodh atje, mundohemi të parashikojmë zhvillimet në tregun tonë”.

Ministri i Turizmit të Spanjës, Alvaro Nadal theksoi se Turqia ndodhet në procesin e transformimit ekonomik.

"Edhe kjo çështje është shumë e rëndësishme. Kjo gjithashtu do të thotë se do të ketë zhvillime në infrastrukturë dhe infrastrukturën energjetike. Turqia ka bërë investime të mëdha në fushën e energjisë së rinovueshme. Edhe ne do të sigurojmë këtë vit një rritje prej 8 mijë megavat në këtë fushë”,- shtoi ai.

Për Spanjën, Turqia është partneri i 4-t tregtar jashtë vendeve të BE-së,- cilësoi ministri Nadal dhe e vijoi kështu fjalën e tij në forum:  

"Kjo do të thotë se marrëdhëniet tona janë shumë të ngushta. Midis dy vendeve ka ekzistuar gjithmonë një urë e përbërë nga sektorë të ndryshëm. Turqia është porta hyrëse për ne spanjollët, që duan të udhëtojnë për në Lindjen e Mesme apo Azi. Edhe Spanja përdoret nga Turqia si një portë për të kaluar në Amerikën Latine. Kemi me të vërtetë një vëllim tregtar shumë të mirë, kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të mira në investim. Kompani shumë të rëndësishme spanjolle operojnë në Turqi. Turqia është duke zhvilluar një investim shumë të rëndësishëm infrastrukturor, ajo ka një ekonomi në rritje dhe është një vend me një strategji të përbashkët politike dhe ekonomike me ne".



Lajme të ngjashme