Pas anëtarësimit në NATO, dukshëm shënon rritje numri i investitorëve turq në Mal të Zi

Investitorët nga Turqia janë të interesuar për investime në fushën e turizmit, energjetikës, bujqësisë në infrastrukturë dhe sistemin bankarë.

Karadağ turizmi_Ulqini_Ülgün sahilleri.jpg
Karadağ_Davis Cup_Ulqin_Ülgün.jpg
Karadağ Otizm Merkezin açılışı.jpg
Karadağ_Ulqin_Ülgün şehri.jpg

E shtuna e parë e muajit prill është “Dita e komunës së Ulqinit”. Kjo ditë në vete ngërthen disa simbolika si: përfundimin e vjeljes së ullinjve, daljen e detarëve në det dhe fillimin e sezonit turistik. Rëndomë për nderë të kësaj dite organizohen aktivitete të shumta kulturore dhe festime kulmojnë në ditën e shtune kur organizohet seanca solemne e kuvendit, ndërkohë që në orët e mbrëmjes për të rinjtë zhvillohen aktivitete të ndryshme artistike.

Për atë se cilat do të jenë aktivitetet që do të karakterizojnë këtë kremte në mikrofonin e “Zërit të Turqisë” flet Arsllan Hajdinaga këshilltar në kabinetin e kryetarit të komunës së Ulqinit.

“Komuna e Ulqinit nuk ka një datë fikse të kremtimit të Ditës se saj por kjo është një datë e lëvizshme e shtuna e parë e muajit prill. Këtë vit e shtuna e parë e prillit është me 7 prill, por zakonisht programi festiv fillon disa ditë para që do të thotë se para datës 7 prill organizojmë disa aktivitete. Programi i këtij viti dallon shumë nga programet e më hershme. Ne për këtë kremte e kemi një model, kemi aktivitetet të cilat tashmë janë tradicionale dhe ne,  këtë model e përcjellim nga viti në vit. Aktivitetet që do të organizohen janë: hapja e Davis Cup një turne në tenis “Montenegro 2018”. Ky është një turne shumë i njohur në tenis, ku marrin pjesë 8 shtete dhe është për t’u krenuar se komuna e Ulqinit është nikoqir i këtij aktiviteti ndërkombëtarë. Pastaj kemi edhe inaugurimin e trotuarit të ri në “Mëhallën e re” një investim që e ka financuar Komuna e Ulqinin me vlerë prej 90 mijë eurosh. Kemi po ashtu edhe koncertin e shkollës së muzikës si dhe ekspozita e përbashkët e artistëve figurativ të Ulqinit. Rëndomë si pjesë e aktiviteteve për kremtimin e Ditës së Ulqinit kemi edhe Konferencën shkencore  të cilën e organizon “Qendra për hulumtime ekonomike”  nga prof. Elez Osmani. Ndërkaq dita kryesore e kremtimit është me datën 7 prill, cilësuar si aktiviteti qendrorë ku organizohet Seanca solemne e Kuvendit të Ulqinit. Edhe këtë vit kemi marrë konfirmime të shumta pjesëmarrjeje nga komunat e Malit të Zi dhe rajonit, ambasada të ndryshme dhe  qytete me të cilat Ulqini është binjakëzuar. Presim edhe konfirmimin e presidentit të Malit të Zi Filip Vujanvoiq. Sa i përket programit artistik, këtë vit do të dominojnë artistë vendas dhe muzika popullore e viseve  ku jetojmë ne. Kemi angazhuar soprano nga Ulqini, Tivari të cilët interpretojnë këngë burimore të trevave tona. Pra këtë vit kemi shprehur dëshirën që të dominoi fryma e këngës burimore ulqinake. Në fund do të shfaqim për herë të parë një video promovues ku pasqyrohen të gjitha bukuritë natyrore të komunës së Ulqinit”.

                                                                           ***

Në Podgoricë u inaugurua qendra për fëmijët me autizëm

Në ditën botërore për ndërgjegjësimin për Autizmin në Podgoricë u hap qendra për fëmijët që vuajnë nga kjo sindromë. Në ceremoninë e rastit ishte i pranishëm kryeministri i vendit Dushko Markoviq, përfaqësues të qeverisë, ministrisë së shëndetësisë dhe diplomatë vendet e të cilëve e kanë përkrahur ketë investim. Deri tani fëmijët me autizëm në Mal të Zi nuk kanë pasur një qendër te specializuar diagnostikimi dhe trajtimi, por ndihmë është dashur të kërkohet në qendra te tjera te specializuara në rajon. Qendra në Podgorice e cila do të mbaj emrin “Ognjen Rakoçeviq” një fëmijë autik, i cili ka humbur jetën në pranverën e vitit 2016 do te jetë një qendër moderne e specializuar për fëmijët e prekur nga kjo sindromë.  Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq ka thënë se dyert e këtij institucioni do të jenë të hapura për fëmijët dhe prindërit e tyre, të cilët kanë nevojë për përkrahje profesionale. Presim rezultate konkrete pozitive në këtë drejtim ka shtuar Markoviq duke thënë se me hapjen e kësaj qendre i jepet fund edhe shpenzimeve të familjeve që kërkojnë ndihmë në këtë drejtim. Ndërkaq ministri i shëndetësisë Kenan Hrapoviq ka thënë se qendra  do të jetë e specializuar dhe do të merret me diagnostikimin e hershëm të fëmijëve me autizëm, ku do të ofrohen të gjitha shërbimet dhe konsultat e nevojshme. Ne ceremoninë e hapjes së kësaj qendre ishte edhe bashkëshortja e ambasadorit të Turqisë në Podgoricë, znj. Ajlin Galip, përndryshe kryetare e “Klubit ndërkombëtar të grave” që ka ndihmuar hapjen e qendrës në sigurimin e pajisjeve me vlerë prej 10 mijë eurosh.  Sipas saj hapja e Qendrës për autizëm do të zgjoj shpresën në drejtim të socializimit të këtyre fëmijëve. Ndihmesë po ashtu ka dhënë edhe ambasada e Azerbajxhanit në Podgoricë.

                                                               ***

Me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO kompanitë turke shprehin më shumë interes për investime 

Nënkryetari i dhomës ekonomike të Malit të Zi Ivan Saveliq me bashkëpunëtorë u takua me përfaqësuesin e Këshillit Administrativ Turk Naser Alimi dhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve turke që veprojnë në Mal të Zi. Në takim është folur për përvojat e afaristëve turq në Mal të Zi dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm. Përndryshe Këshilli për marrëdhënie ekonomike me jashtë i Turqisë në vitin 2008-të formoi këshillim administrativ malazez-turk në punën e të cilit janë inkuadruar ndërmarrjet që veprojnë në Mal të Zi dhe që kanë synim të investojnë dhe të afarizojnë në këtë republikë. Alimi ka veçuar se ndërmarrjet turke tregojnë interesim të madh për të investuar në Mal të Zi dhe ka njoftuar se këtu veprojnë 850 kompani turke. Rritja e interesimit për investime në Mal të Zi është shtuar veçmas me hyrjen e Malit të Zi në NATO. Ndërmarrjet turke veprojnë në fushën e turizmit, bujqësisë, energjetikës në infrastrukturë dhe sistemin bankar. Ato veçmas janë të interesuara për shfrytëzimin e kapaciteteve te Portit të Tivarit, me theks të veçantë në shfrytëzimin e kapaciteteve në zonën e lirë dhe transportit të mallrave nga Turqia dhe transportin e tyre në vendet e rajonit. Nga ana tjetër nënkryetari i dhomës ekonomike të Malit të Zi Ivan Saveliq i njoftoi mysafirët me organizimin dhe aktivitetet dhe gatishmërinë që të ofroj te gjitha llojet e informacioneve lidhur me klimën investuese në Mal të Zi. Ai theksoi edhe bashkëpunimin e mirë në këtë drejtim me Ambasadën e Turqisë në Podgoricë dhe marrëdhëniet e mira tradicionale me dhomën ekonomike të Turqisë në planin bilateral dhe multilateral.          

                                                              ***

Në vitin 2017 shkëmbimi mallrave ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë arrin mbi 93 milion euro

Shkëmbimi mallrave ndërmjet  Malit të Zi dhe Turqisë shënon rritje të vazhdueshme. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat se nga viti 2014 ajo është rritur nga 39 milion në mbi 93 milionë vitin 2017. Kështu u tah në takimin e ministres së ekonomisë Dragica Sekuliq me përfaqësuesit e këshillit për marrëdhënie ekonomike me jashtë të Turqisë. “Numri i kompanive turke në Mal të Zi është gjithnjë e më i madh dhe efektet e përgjithshme të tyre në zhvillimin e ekonomisë së Malit të Zi është gjithnjë e më evident”. Tosh Çelik është njëra nga kompanitë me rëndësi të madhe për ekonominë e Malit të Zi theksoi Sekuliq. Ajo shtoi se ministria e ekonomisë aplikon një sërë programesh të ndryshëm për nxitjen e biznesit në lëmin e investimeve të cilët i ndihmojnë zhvillimit të ambientit të përshtatshëm investues. Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi, Serhat Galip tha se në Mal të Zi janë aktive kompanitë e vogla dhe të mëdha nga Turqia dhe në pjesën më të madhe ato janë të interesuara për investimeve në sektorin e energjetikës, bujqësisë dhe infrastrukturës. Ai tha se janë duke u zhvilluar bisedime ndërmjet dy vendeve me qëllim të ndryshimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë që do të mundësoj liberalizimin e tregut të prodhimeve bujqësore.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme