"Përkushtimi i Turqisë në D-8 është shembullor"

Në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve AA, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës D-8 për Bashkëpunim Ekonomik, Datuk Xhafer Ku Shaari flet për rëndësinë e Turqisë në këtë organizatë ekonomike, duke e cilësuar shembullor përkushtimin e saj.

Arnavutça_infografik_D8_c.jpg
Arnavutça_infografik_D8_b.jpg

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës D-8 për Bashkëpunim Ekonomik, Datuk Xhafer Ku Shaari, i cili është emëruar rishtazi në këtë detyrë, theksoi rëndësinë e Turqisë në këtë organizatë ekonomike, duke thënë se përkushtimi i këtij vendi është "shembullor".

Në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA), Shaari tha se organizata mund të mësojë "shumë" nga Turqia, e cila "merr pjesë në të gjithë sektorët, duke ofruar shumë ekspertizë dhe programe trajnimi në fusha të ndryshme për shtetet anëtare të D-8-ës ".

Organizata D-8 për Bashkëpunim Ekonomik u themelua më 15 qershor të vitit 1997 me iniciativë të liderit të ndjerë turk, Necmettin Erbakan. Ajo kishte për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit dhe pasurimin e marrëdhënieve ekonomike dhe sociale mes Turqisë, Iranit, Pakistanit, Bangladeshit, Malajzisë, Indonezisë, Egjiptit dhe Nigerisë.

Turqia aktualisht mban kryesimin e D-8-ës dhe do të vazhdojë ta mbajë atë për dy vitet e ardhshme.

"Kontributet e Turqisë do të jenë me rëndësi të madhe për dy vitet e ardhshme. Është e rëndësishme të theksohet se roli i Turqisë në D-8 nuk mund të kufizohet vetëm me këtë. Ajo ka qenë gjithashtu një nga kontribuuesit më të mëdhenj të buxhetit vjetor të D-8-ës", tha Shaari.

Duke e përshkruar emërimin e tij në pozitën e sekretarit të ri të bllokut ekonomik si "një ëndërr e vërtetë", Shaari tha se organizata ka shënuar arritje të konsiderueshme ekonomike që nga themelimi, pavarësisht turbulencave ekonomike në gjithë botën.

- Suksesi tregtar

"Tregtia brenda D-8-ës, e cila ishte rreth 14 miliardë dollarë në vitin 1997, sot është rritur në mënyrë astronomike në mbi 100 miliardë dollarë", tha ai, duke shtuar se tregtia është tregues i qartë i suksesit dhe përkushtimit të organizatës.

"Në vitin 1997, tregtia brenda D-8-ës ishte 14 miliardë dollarë, në vitin 1998 14,3 miliardë dollarë dhe në vitin 1999 14,5 miliardë dollarë", theksoi Shaari, duke shtuar se në vitin 2013, ajo ka arritur në 133 miliardë dollarë ose 7,4 për qind e totalit të tregtisë së D-8-ës, e cila kap vlerën 1,8 trilionë dollarë.

Duke folur për rritjen ekonomike, kreu i D-8-ës tha se mes viteve 1997-2014, organizata kishte arritur të sigurojë një rritje ekonomike "mbresëlënëse" prej 4,2 për qind.

"Gjatë të njëjtës periudhë, ekonomitë e tjera u rritën me 2 për qind, rajoni evropian me 1,4 për qind, kurse rritja botërore mbeti në 3,8 për qind", shtoi ai.

Ai riafirmoi se fokusi kryesor i D-8-ës është "zhvillimi dhe rritja ekonomike" dhe tha se të gjitha shtetet anëtare kanë përfituar nga bashkëpunimi ekonomik dhe nuk kanë pasur mosmarrëveshje me njëri-tjetrin.

- D-8 kërkon mundësi të reja

Shaari kujtoi samitin e nëntë të organizatës, i cili u mbajt në Stamboll më 20 tetor të vitit 2017.

"Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ka përcaktuar synime ambicioze për të ardhmen e organizatës sonë: krijimi i partneriteteve të reja, zhvillimi i mjeteve për ta zhvilluar tregtinë me monedha vendase, ngritja e një institucioni këmbimi dhe zgjerimi", u shpreh Shaari.

"Ne shpresojmë se do të shohim përparim në këto fusha dhe shumë më tepër nën kryesimin e Turqisë", tha ai.

Si shef i ri i D-8-ës, Shaari tha se do të takojë zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të tjerë në Turqi, duke shtuar se do të dëgjojë "vizionin dhe udhëzimin" e presidentit Erdoğan dhe shteteve të tjera anëtare.

Ai tha se udhërrëfyesi i tij përfshin tri veprime kryesore: dëgjimin e liderëve të shteteve anëtare, mirëpritjen e të gjitha ideve, iniciativave, strategjive dhe projekteve të reja dhe përfshirjen e të gjithë sektorëve, veçanërisht sektorit privat.

"Gjatë mandatit tim, unë planifikoj të rris ndërgjegjësimin publik dhe dukshmërinë e organizatës dhe aktiviteteve të saj, para së gjithash brenda komunitetit të D-8-ës, dhe më pas në një nivel më të gjerë.

"Dua gjithashtu të zgjeroj bashkëpunimin me organizata të tjera ekonomike dhe rajonale dhe institucione shumëpalëshe. Të mësuarit nga përvoja e të tjerëve është gjithashtu e rëndësishme për mua", shtoi ai.

Në fund, Shaari i bëri thirrje botës myslimane të qëndrojë e bashkuar dhe theksoi se çështja e islamofobisë duhet trajtuar në "tërësi", duke nënvizuar se Islami është fe e paqes.

Ai tha se përpjekjet e koordinuara kundër terrorizmit, çështjet e sigurisë dhe çështjet e tjera politike janë domosdoshmëri për të gjitha vendet, qofshin ato myslimane apo jomuslimane.



Lajme të ngjashme