Kosova ka hyrë në hartën e vendeve me interes për investim

Pas marrëveshjes për investim të një kompanie amerikane për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova ka hyrë në hartën e vendeve me interes për investim.

Kosova ka hyrë në hartën e vendeve me interes për investim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, në të cilin theksoi rëndësinë që ka zhvillimi ekonomik për rritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët e vendit.

Kryeministri vlerësoi se Qeveria është duke punuar maksimalisht me partnerët nga bizneset në përshpejtimin e proceseve dhe avancimin e programit legjislativ, i cili do të jetë në shërbim të sipërmarrësve dhe bizneseve vendore.

“Kjo përbërje mund të identifikojë të gjitha veprimet qeverisëse, qofshin që janë pjesë e legjislacionit ekzistues, qofshin veprime që kanë të bëjnë direkt me të bërit biznes në vend, me zhvillimin ekonomik, mundësinë që sipërmarrësit në Kosovë të ecin përpara”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast kryeministri tha se bizneset nga Kosova duhet të jenë garuese me të gjitha bizneset rajonale dhe për këtë duhet të krijohen lehtësira tatimore, qoftë përmes pushimeve tatimore, qoftë përmes heqjes së akcizës për produkte të ndryshme të cilat krijojnë favore për bizneset dhe mundësinë për hapjen e vendeve të reja të punës.
Kryeministri Haradinaj tha se duhet punë konkrete, për përafrimin e legjislacionit me direktivat e BE-së, në mënyrë që bizneset kosovare të jenë konkurruese në tregjet rajonale dhe më gjerë.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se pas marrëveshjes për investim në energji që kap shifrën 1 miliard e 300 milionë euro, Kosova ka hyrë në hartën e vendeve me interes për investim.
“Mendoj se ka ndryshuar gjithçka dhe për këtë mos të brengosen ata të energjisë alternative, sepse ky investim vetëm sa i favorizon ata sepse vetvetiu lind nevoja e balancit për energjinë alternative”, tha kryeministri. 
Në takim u diskutua për Ligjin e ri të Punës, Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Ligjin për Festat Zyrtare.

***

Arrihet marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e Komitetit Drejtues për Termocentralin “Kosova e Re”, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Kompanisë amerikane “Contour Global”, ka arritur marrëveshje për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. 

Marrëveshja komerciale pritet të nënshkruhet ditët e ardhshme dhe me të në Kosovë do të investohen mbi 1 miliard euro, gjë që paraqet investimin më të madh në historinë e re të Kosovës. 

Pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe popullin e Kosovës, thuhet në komunikatën e qeverisë. 

Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40% dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MW. 

Me komponentën e koogjenerimit për ngrohjen qendrore, do të ketë kapacitete shumë më të mëdha për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe Fushë Kosovës.

Arritja e marrëveshjes është rezultat i punës shumëvjeçare të qeverive të Kosovës, i shumë njerëzve, shumë ekspertëve, që në kushte të vështira arritën që t’i sigurojnë vendit të ardhme të sigurt energjetike dhe njëkohësisht kontratë që garanton arritjen e maksimumit për institucionet dhe popullin e Kosovës.

Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023, do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit.

Komunikata përfundon duke potencuar se ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është ngjarje historike për popullin e Kosovës, sepse energjia është kushti i pashmangshëm për të ardhmen prosperuese ekonomike, politike dhe sociale. 

***

Presidenti themeloi Ekipin Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka themeluar Ekipin Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Këtë ekip, presidenti Thaçi e ka cilësuar si hap të parë drejt konkretizimit të kësaj iniciative të rëndësishme për shoqërinë dhe të ardhmen.

Ndër iniciativat e para që kam ndërmarrë si President i Republikës së Kosovës, ka qenë edhe iniciativa për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. E kuptoj qartë se është një iniciativë që ka zgjuar reagime të shumta. I kemi pritur këto. Por, nuk e kemi pritur që kjo iniciativë të marrë aq shumë përkrahje nga pjesa dërrmuese e shoqërisë dhe institucioneve kosovare. Kjo na ka inkurajuar, por edhe na ka obliguar që të lëvizim me hapa të kujdesshëm dhe të sigurt”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi është shprehur se ndonëse kanë kaluar gati dy dekada që nga përfundimi i luftës dhe më nuk shihen nëpër rrugë gjurmët e konfliktit, megjithatë ende kanë mbetur plagë në zemrat e viktimave.

Këto shpesh bëhen pengesë për të ardhmen e vendit tonë, prandaj kam iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, që të mbyllim kapitullin e luftës dhe të hapim atë të paqes për gjeneratat që do të vijnë”, ka thënë ai.
Kreu i shtetit i ka falënderuar veçanërisht përfaqësuesit e shoqatave të familjeve të të pagjeturve, të cilët me përkushtimin që të mos lejojnë që të përsëriten dhimbjet e luftës, janë bërë inspirim për të gjithë.

Inspirim janë edhe të gjitha viktimat që kanë gjetur forcë që të tregojnë për vuajtjet e tyre, por edhe të shikojnë përtej dhimbjes së tyre, drejt të ardhmes. Ajo që synohet me Komisionin është të ndërtohet një narrativ i unifikuar për të kaluarën. Të pajtohemi për të kaluarën, e jo të luftojmë për të kaluarën. Kështu do të pajtohemi edhe për të ardhmen”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ekipi Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin do të përbëhet nga 9 anëtarë, ku 2 përfaqësues do të jenë nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, 1 përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, 1 përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe 5 anëtarë nga shoqëria civile. Ky ekip do të përkrahet edhe nga ekspertë ndërkombëtarë, që do të angazhohen nga OSBE-ja, Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Detyrë e Ekipit Përgatitor është që brenda një viti të përgatisë infrastrukturën teknike e ligjore për Komisionin.

***

Presidenti Thaçi flet për dy hapa të mëdhenj

Kosova bëri dy hapa të mëdhenj drejt ardhmërisë së sigurt në paqe e prosperitet këtë javë, ka shkruar presidenti Thaci në rrjete sociale.

Hapi i parë ishte themelimi i Ekipit Përgatitor që do të përgatisë infrastrukturën teknike e ligjore për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, si hap përmbyllës i kapitullit të luftës.

Hapi i dytë ishte arritja e marrëveshjes për projektin “Kosova e Re”, që do të nënshkruhet nga palët më 20 dhjetor. Është ky investimi më i madh privat në historinë e Kosovës, prej rreth 1.3 miliardë euro, që do të krijojë 10.000 vende të reja të punës. Mbi të gjitha do të sigurojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe garantojë investimet e tjera në prodhim dhe ekonomi në përgjithësi.

Janë hapa historikë që do të forcojnë paqen dhe prosperitetin për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke kontribuar kështu edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Kur kujtojmë se ku ishim dy dekada më herët, nuk mund të mos mburremi me të arriturat e popullit tonë dhe me përkushtimin për një shtet shembullor, ka theksuar Thaci.

***

Zgjedhjet për kryetar të Vetëvendosjes, në fund të shkurtit 

Pas rrjedhjes së informacioneve në media për mospajtime të disa individëve brenda strukturave të Vetëvendsjes, është mbajtur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Në këtë mbledhje nuk ka marrë pjesë kryetari Visar Ymeri, me arsyetim se nuk ishin krijuar kushtet për mbajtjen e saj. Megjithatë, mbledhja ka vijuar pa tensione, kurse në momentin kur është përmendur emri i Albin Kurtit nga kryesuesi Hydajet Hyseni, anëtarët e Këshillit kanë duartrokitur gjatë.

Në mbledhje ka munguar deputeti Kurti, i cili po mbahet në paraburgim për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Por ai i cili pritet të kthehet në krye të Vetëvendosjes, i është drejtuar anëtarëve me një letër nga burgu.

Më vjen mirë që mund t’ju drejtohem me këtë letër ndonëse nuk jam aty. Më e rëndësishmja është që të jemi bashkë. Me mendje dhe zemrat tona gjithmonë mbesim të bashkuar. Pavarësisht se ndonjëri prej nesh mungon, Lëvizja vazhdon. Ajo bëhet prej dashurisë tuaj. Qytetarët e Kosovës kanë dashur dhe përkrahur LVV si asnjëherë më parë. U dyfishua numri i deputetëve tonë. Jemi subjekti i parë në vend. Qeverisim me kryeqytetin e Republikës dhe historisë tonë. Qeveria aktuale ka zhgënjyer edhe optimistët e saj.100 ditshin e bëri me përfundimin e faljes së qymyrit derisa nuk ndalen emërimet e zv/ministrave. Jemi afër bërjes së Kosovës me qeverisjen e Vetëvendosjes”, ka thënë veç tjerash Kurti në letrën e tij.

Hydejat Hyseni, kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes ka thënë se është vendosur që të shpallen zgjedhjet për kryetar, obligim ky i cili ka qenë edhe me Statut, pasi Visar Ymerit i përfundon mandati në muajin shkurt”.

Mbledhja shkoi në frymë demokratike dhe pa asnjë problem serioz”, ka thënë Hyseni.

Hyseni tha se mospajtimet që kanë plasur nuk do të thotë që kjo parti është e ndarë.

Kështu e ka shprehur bindjen edhe ushtruesi i detyrës së Sekretarit Organizativ të Vetëvendosjes, deputeti Ismajl Kurteshi. Ai ka thënë se Vetëvendosje është më unike se kurrë. Kurteshi ka treguar se të gjithë delegatët kanë votuar pro zgjedhjeve.

“Zgjedhjet do të mbahen kah fundi i muajit shkurt”, ka thënë Kurteshi.

***

Kosova pjesë e Shkollës Rajonale të Administratës Publike

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Shkollës rajonale të administratës publike (ReSPA).

Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia si dhe Kosova janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje.

Objektivat e kësaj Shkolle janë: përmirësimi i bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së; fuqizimi i shkëmbimit të përvojave; fuqizimi i kapaciteteve administrative në administratat publike dhe zhvillimi i burimeve njerëzore në administrata publike të vendeve nënshkruese. 

***

Miratohet projektligji për mbrojtjen e konsumatorit 

Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit është miratuar nga kabineti qeveritar. Ky projektligj rregullon kushtet e tregut në marrëdhëniet biznes – konsumator, të drejtat e konsumatorëve, mbrojtjen administrative dhe gjyqësore të konsumatorëve dhe kuadrin institucional për mbrojtjen e konsumatorit në Republikën e Kosovës.

Projektligji adreson çështjet e rëndësishme në mbrojtje të konsumatorit:
-    Të drejtën për të mbrojtur interesat ekonomike të konsumatorit;
-    Të drejtën e mbrojtjes së rrezikut të jetës, shëndetit dhe të pronës së konsumatorit;
-    Të drejtën e mbrojtjes ligjore të konsumatorit;
-    Të drejtën për t’u ankuar;
-    Të drejtën për kompensim dhe dëmshpërblim;
-    Të drejtën për informim dhe edukim të konsumatorit;
-    Të drejtën e shfrytëzimit të shërbimeve publike; 
-    Të drejtën e organizimit në shoqata për mbrojtje të interesave të konsumatorit;
-    Të drejtën për të përfaqësuar interesat e konsumatorit.

***

Bashkëpunimi Financiar Ushtarak mes Kosovës e Turqisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës për miratim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Financiar Ushtarak me Protokollet Implementuese në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar edhe Koncept-dokumentin për kontestet Administrative.

Nga analiza në koncept-dokument është konstatuar se nevoja për ndryshimin e legjislacionit për kontestet administrative vjen si rezultat i të metave dhe paqartësive të shumta në ligjin ekzistues. Janë hasur vështirësi gjatë zbatimit të tij dhe ka rezultuar me një varg zbrazëtish dhe paqartësive në këtë ligj. Kjo për pasoj ka pas mos efikasitet dhe vonesa të shumta në procedurat gjyqësore administrative dhe në shkeljen e të drejtave të qytetarit për gjykim të drejtë brenda afatit.

*** 

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme