Brexit-i zhvendos në Amsterdam dhe Paris dy agjenci evropiane me seli në Londër

Agjencia Evropiane e Barnave dhe Autoriteti Evropian Bankar, aktualisht me seli në Londër, do të zhvendosen përkatësisht në Amsterdam dhe Paris pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja në vitin 2019...

Brexit-i zhvendos në Amsterdam dhe Paris dy agjenci evropiane me seli në Londër

Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian votuan për zhvendosjen në Holandë dhe Francë të dy agjencive kryesore evropiane, aktualisht me seli në Londër, pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja në vitin 2019.

Këshilli i BE-së njoftoi zhvendosjen e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) dhe Autoritetit Evropian Bankar (EBA), pas një votimi të bërë nga 27 vendet anëtare të Unionit në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, i cili përbëhet kryesisht nga ministrat për Çështjet Evropiane nga të gjitha vendet e bllokut.

“Më 22 qershor të këtij viti, krerët e shteteve dhe qeverive miratuan një procedurë, që përcakton rregullat për zgjedhjen e vendeve të reja për zhvendosjen e dy agjencive me seli në Londër: Agjencia Evropiane e Barnave, e cila do të jetë me seli në Amsterdam, si dhe Autoriteti Evropian Bankar, selia e të cilit do të jetë Parisi”, thuhet në një komunikatë me shkrim të Këshillit Evropian.

E njëjta komunikatë nënvizon gjithashtu se Komisioni i BE-së do të bashkëveprojë me Parlamentin Evropian për të ligjësuar me shpejtësi këtë vendim.

Ndërsa Komisioni Evropian u bëri thirrje dy agjencive në fjalë që të vazhdojnë të funksionojnë mirë e pa ndërprerje edhe pas 29 marsit 2019, data përfundimtare e Brexit-it.

Aktualisht nuk ka asnjë rregull apo marrëveshje, që mund të detyrojë institucionet e BE-së për t’u vendosur në shtetet anëtare.

Por duke qenë se Londra vazhdon të këmbëngulë se legjislacioni i Bashkimit Evropian nuk do mund të jetë më i vlefshëm në territoret britanike pas Brexit-it, Unioni vendosi që institucionet e BE-së t’i kenë selitë në një nga vendet anëtare.

EMA rregullon në shkallë evropiane tregun e barnave për njerëzit dhe kafshët.

Themeluar në vitin 1995 për të inspektuar besueshmërinë dhe efektivitetin e produkteve medicinale, kjo agjenci vendos gjithashtu për hedhjen në treg të barnave.

Edhe pse licencimi i kompanive prodhuese të barnave nuk është në kompetencat e EMA-s, ajo mund të këshillojë anulimin e tyre.

Agjencia Evropiane e Barnave ka rreth 900 punonjës dhe mirëpret të paktën 3.500 specialistë në mbledhjet e saj vjetore, ndërsa buxheti i përvitshëm i saj është gati 360 milionë dollarë.

Pikërisht kjo është edhe arsyeja që plot 19 vende anëtare të BE-së (Gjermania, Holanda, Greqia, Spanja, Sllovakia, Belgjika, Rumania, Danimarka, Irlanda, Finlanda, Franca, Italia, Portugalia, Bullgaria, Suedia, Malta, Austria, Polonia dhe Kroacia) kishin aplikuar për të pritur selinë e EMA-s.

Kurse Autoriteti Evropian Bankar, përgjegjës për inspektimin dhe drejtimin e sektorit bankar në Evropë, ka pasur një numër më të vogël kërkesash për të pritur selinë e tij në krahasim me Agjencinë Evropiane të Barnave.

Vetëm 8 ishte numri i vendeve anëtare të gatshme për të pritur selinë e këtij institucioni të BE-së.

Themeluar në vitin 2011, EBA ka 159 punonjës dhe merret me analizat e rrezikut dhe kërcënimit ndaj sektorit bankar në BE, si dhe kryen teste për të kontrolluar se sa të qëndrueshme janë bankat përballë krizave financiare.



Lajme të ngjashme