Schauble, i kënaqur me bilancin 8-vjeçar

Në mbledhjen e fundit të Eurogrupit ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble tha se i kanë dalë në një periudhë të vështirë financiare.

823791
Schauble, i kënaqur me bilancin 8-vjeçar

Ministri i plotfuqishëm gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, i cili merr pjesë në Eurogrupin e tij të fundit, ka folur për një bilanc pozitiv të tetë viteve të kaluara brenda këtij institucioni evropian, që grupon ministrat e 19 vendeve që miratuar monedhën unike.

“Ja kemi dalë gjatë një periudhe të vështirë”, deklaroi ai pas mbërritjes.

“Zona euro është në një situatë të mirë ekonomike (…) Është arritur, gjatë tetë viteve të krizës së euros, të ruhet qëndrueshmëria e euros”, shtoi ai.

Pasi mbajti financat gjermane me një dorë të hekurt, Wolfgang Schauble, i besuari i Angela Merkel, po bëhet gati, në moshën 75-vjeçare, të marrë presidencën e Bundestag, Dhoma e Ulët e Parlamentit gjerman.

Figurë e partisë demokristiane, ai ka punuar pa pushim për të ruajtur integritetin e zonës euro gjatë krizës financiare, për të cilën mori shumë përshëndetje, por që i shkaktoi dhe armiqësi, veçanërisht në Greqi, për të cilën ai kërkoi në vitin 2015 daljen e përkohshme nga zona euro.

“Unë nuk largohem lehtë, por tetë vjet janë të mjaftueshme, ka ardhur momenti për të marrë një detyrë tjetër”, theksoi ai.

“Do të na mungojë, eksperienca e tij, ashpërsia, përvoja dhe mua personalisht si një mik”, theksoi presidenti i eurogrupit, holandezi, Jeroen Dijsselbloem, i cili do të largohet gjithashtu nga posti në të ardhmen.

“Ka qenë një koleg i madh për të gjithë ne duke na dhënë këshilla, herë të kërkuara e herë jo, por gjithmonë të mirëpritura”, shtoi ai.

Homologu i tij francez, Bruno Le Maire e përshëndeti në gjermanisht “një ministër i madh Financash dhe një evropian i madh”.

“Jam shumë i bindur që ka luajtur një rol të rëndësishëm në Eurogrup, por gjithashtu për zhvillimin e Bashkimit Evropian dhe për miqësinë franko-gjermane”, theksoi ai.

“Është vërtet një tip gjenial”, shtoi komisioneri evropian për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici duke e përshkruar si një njeri me një inteligjencë të madhe, me shumë kurajo dhe me një sens të madh humori.

“Jeni apo s’jeni dakord, një gjë është e sigurt: ai ka shënuar markën e tij në Eurogroup”, nënvizoi spanjolli Luis de Guindos, tashmë Ministri i Financave më i moshuar.



Lajme të ngjashme