Haradinaj pret rritje të investimeve amerikane në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti të hënën në një takim kompanitë më të mëdha amerikane që operojnë në Kosovë, me një xhiro vjetore 2,5 milionë euro.

Haradinaj pret rritje të investimeve amerikane në Kosovë

Kryeministri Ramush Haradinaj priti të hënën në një takim kompanitë më të mëdha amerikane që operojnë në Kosovë. Këto kompani dhe përfaqësitë e tyre, ofrojnë punësim për rreth 25 mijë punonjës kosovarë dhe kanë qarkullim vjetor prej 2.5 miliardë euro.

Haradinaj përgëzoi iniciativën e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila është gjithashtu anëtare e Këshillit Evropian të Odave Ekonomike Amerikane dhe ofron një marrëdhënie të drejtpërdrejtë, rritje të bizneseve të vogla dhe të mesme amerikane si dhe atyre evropiane.

Në këtë takim u diskutuan disa nga temat kryesore me anë të të cilave do të hapej rrugë për zhvillim ekonomik, investime të reja, si dhe rritje buxhetore: gjyqësor funksional dhe të besueshëm, ngritja e kapaciteteve njerëzore, mbrojtja e prodhimit, kontrolli i kualitetit në të gjitha produktet, nismat për reforma ligjore në fusha të ndryshme, si dhe nevoja e sigurimit me furnizim stabil me energji elektrike në Kosovë.

Në takim u arrit pajtueshmëri që themelimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ishte shumë e nevojshme, duke i ofruar rinisë së Kosovës mundësinë që të jenë pjesë e zhvillimit si pjesa tjetër e botës.

Oda Ekonomike Amerikane i dorëzoi kryeministrit Haradinaj një dokument me rekomandime konkrete për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.

Kryeministri falënderoi Odën Ekonomike Amerikane për iniciativën e tyre dhe theksoi se do të fokusohet në inkurajimin e tregtisë dhe prodhimit, si dhe investimeve.  Kryeministri i ftoi për partneritet të mëtejshëm  dhe i siguroi mbështetje të plotë nga ana e tij.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave Bedri Hamza, ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor .Albena Reshitaj.



Lajme të ngjashme