SHBA-ja dhe BE-ja do të mbështesin projektet energjitike për vendet e Ballkanit

Ministri i Energjitikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, theksoi se Shqipëria ka ndërtuar një bashkëpunim të frytshëm me strukturat homologe të vendeve të përfshira në realizmin e projektit IAP, si me Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë...

SHBA-ja dhe BE-ja do të mbështesin projektet energjitike për vendet e Ballkanit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin, deklaruan se gazsjellësi TAP dhe degëzimi në Ballkan për projektin e ri, gazsjellësin Adriatiko-Jonian (IAP),  që pritet të ndërtohet është i rëndësishëm, jo vetëm për bashkëpunimin rajonal por edhe sigurinë energjitike.

Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua në Tiranë për projektin e gazsjellësit Adriatiko-Jonian, ambasadori Lu tha se, “gazi ka të bëjë me pushtetin. Në luftojmë për korridorin, pasi do të ndihmonte në bashkëpunim mes vendeve në Ballkan, por do të çlirojë Evropën nga varësia e gazit rus”.

Shqipëria, vijoi ai, luan një rol kryesor për gazsjellësin dhe ne jemi shumë pranë përmbushjes së kësaj ëndrre.

SHBA e ka mbështetur gjithmonë këtë korridor, së bashku me interkonjeksionin Greqi-Bullgari, do të rrisë shumëllojshmërinë e furnizimit me energji për vendet e Ballkanit. Në Shqipëri qeveritë kanë treguar mbështetje për TAP, nuk ka simbol më të fuqishëm për integrimin në BE”, tha Lu. Ndërsa nënvizoi se, për konsumatorët shqiptar, e ardhmja sjell mundësi për investime të reja. Shqipëria shpenzoi mbi 80 mln dollarë për energjinë këtë verë, ndërsa tani do të paguajnë më pak.

Diplomati amerikan tha se, Ballkani njihet për luftërat mes fqinjëve, gazsjellësi IAP është i rëndësishëm, pasi mbështetet në bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë. “Për këtë arsye keni mbështetjen e SHBA-së”, deklaroi ambasadori Lu.

Ndërsa ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin vuri në dukje rëndësinë e veçantë të këtij projekti dhe mbështetjen nga Bashkimi Europian.

Jemi të kënaqur për ecurinë për projektet e gazit në Shqipëri dhe në rajon. Gazifikimi i Kroacisë, Bosnjës dhe Malit të Zi, ka interesa dhe përfitime të qarta edhe për Shqipërinë dhe Ballkanin”, tha Vlahutin.

Gazifikimi i Ballkanit i bën vendet jo vetëm më të ndërlidhura, por edhe më afër BE-së, vijoi ajo.

Ne mirëpresim bashkëpunimin mes vendeve të BE-së, pasi shton shanset  e interesave më të mëdha të investuesve. Investimet për Ballkanin do të sjellin edhe grante deri në 6 mln euro. BE do të mbështesë investimet për të gjitha vendet, u shpreh Vlahutin.

Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, kërkoi mbështetje për tejkalimin e pengesave.

"...Një nga 'barrierat' është kriteri, i cili kërkon përkrahjen e Projektit nga jo më pak se dy vende anëtare të BE-së dhe ky kriter është ai që pengon IAP-në për futjen në listën e Projekteve të Interesit të Përbashkët (PECI)..."

Projekti i gazsjellësit Jonian-Adriatik synon të lidhë sistemin ekzistues të transmetimit të gazit të Republikës së Kroacisë, nëpërmjet Bosnjë Hercegovinës (në det), Malit të Zi dhe Shqipërisë me sistemin e gazsjellësit TAP.

Sipas studimit të fizibilitetit, IAP ka një gjatësi prej 511 km dhe shpenzimet totale parashikohen në shumën 618 milionë euro.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme