Koment – Hekurudhat e Ballkanit

Lënia pas dore për dekada të tëra e hekurudhave ka bërë që efikasiteti i këtij sektori të transportit të jetë shumë i ulët në krahasim me mesataren e vendeve të BE-së.

Koment – Hekurudhat e Ballkanit

Studimet mbi infrastrukturën e transportit në vendet e Ballkanit përgjithësisht tregojnë se infrastruktura e transportit në rajon nuk është zhvilluar mjaftueshëm. Jo vetëm infrastruktura fizike, por edhe institucionet dhe politikat e ndjekura në sektorin e transportit karakterizohen gjithashtu si të dobëta. Për këtë arsye, ka nevojë për investime, mirëmbajtje dhe riparime për të gjitha llojet e transportit në rajon, veçanërisht për hekurudhat, të cilat janë lënë pas dore për dekada.

Meqenëse infrastruktura hekurudhore e vendeve të Ballkanit është shumë e vjetër, hekurudhat nuk janë në gjendje që të konkurrojnë me rrugët tokësore. Në të vërtetë, midis viteve 1970 dhe 2015 rëndësia e autostradave në rajon ka ardhur duke u rritur për sa i përket transportit të mallrave dhe transportit të udhëtarëve, ndërsa llojet e tjera të transportit kanë vazhduar ta humbasin rëndësinë e tyre. Për shembull, pjesa e rrugëve tokësore, e cila në vitin 1970 ishte 35 për qind në transportin e mallrave, në 2015-n u rrit në 65 për qind. Në të njëjtën periudhë, pjesa e hekurudhave u zvogëlua nga 48 për qind në 25 për qind, ndërsa pjesa e llojeve të tjera të transportit ra nga 17 për qind në 9 për qind. Ndërsa në transportin e pasagjerëve gjatë të njëjtës periudhë, pjesa e rrugëve tokësore u rrit nga 61 në 86 për qind dhe pjesa e hekurudhave u zvogëlua nga 39 për qind në 14 për qind. Investimet e transportit në Ballkan vazhdojnë të përqendrohen kryesisht në autostrada me një mesatare prej 80 për qind.

Për shkak të karakteristikave teknike të shinave të hekurudhave ekzistuese dhe terrenit malor pjesa më e madhe e rrjetit hekurudhor në Ballkan nuk është e përshtatshme për shpejtësi të larta. Jo vetëm binarët, por edhe urat e tunelet janë gjithashtu të vjetërsuara. Mjaft e lartë është edhe shkalla e vjetërsimit të aseteve të palëvizshme. 

 

Disa pjesë të hekurudhave në vendet e Ballkanit sot janë mbyllur plotësisht për transportin, ndërsa përdorimi i disa pjesëve realizohet me vështirësi. Dhe për të zgjidhur këtë problem ka nevojë për investime afatgjata dhe të qëndrueshme. Për shkak të nacionalizmit, përplasjes së interesave ekonomike dhe faktit që deri vonë nuk janë ndjekur politika të fqinjësisë së mirë, disa vende të Ballkanit nuk kanë as lidhje ndërkufitare (me hekurudhë). Për shembull, lidhje direkte hekurudhore mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, Kosovës dhe Shqipërisë, Greqisë dhe Shqipërisë nuk ka ende edhe sot e kësaj dite.

Në Ballkan nuk janë vetëm mjetet e transportit hekurudhor ato që kanë mbetur prapa, në një nivel të pamjaftueshëm janë sot edhe inovacionet në teknologjitë e sinjalizimit dhe komunikimit. Për shembull, Shqipëria 25% nga 55 lokomotiva që ka gjithsej janë më të vjetra se 20 vjet; kurse shumica më e madhe janë më të vjetra se 35 vjet. Kurse në Maqedoni, nga 1 323 vagonë në total vetëm 920 vagonë, që e tejkalojnë moshën 35 vjet, janë në gjendje pune.

Siç edhe mund të hamendësohet, 10 vende të Ballkanit janë shumë prapa mesatares së BE-së në aspektin e intensitetit, cilësisë dhe efikasitetit hekurudhor. Për shembull, për sa i përket gjatësisë së hekurudhës për çdo njëmijë kilometra katrorë, mesatarja e vendeve të Ballkanit është sa 58 për qind e vendeve të BE-së. Nga ana tjetër, raporti i hekurudhave me dy linja dhe elektrike mund të përdoret si tregues i cilësisë së infrastrukturës hekurudhore. Në vendet e Ballkanit, norma mesatare e hekurudhave me dy linja është 10,3 për qind. Kjo mesatare korrespondon me 36 për qind të BE-së. Për sa i takon raportit të hekurudhave të elektrifikuara, mund të thuhet se gjendja e vendeve të Ballkanit është relativisht më e mirë. Në të vërtetë, norma mesatare e hekurudhave elektrike në vendet e Ballkanit është 35,2 për qind. Kjo mesatare është deri në 83 për qind e të njëjtës mesatare në BE.

Në vlerësimin e efikasitetit të hekurudhave në vendet e Ballkanit mund të përdoren si tregues numri udhëtarëve për çdo kilometër (pasagjer-km) dhe sasia e ngarkesës që transportohet për çdo kilometër (ton-km). Sipas të dhënave të pasagjerëve për kilometër, mesatarja e efikasitetit hekurudhor në vendet e Ballkanit është sa 29 për qind e të njëjtës mesatare në vendet e BE-së. Ndërsa sipas të dhënave ton-km për kilometër, rendimenti mesatar hekurudhor në vendet e Ballkanit është sa 44 për qind e BE-së. Prej këtu mund të thuhet se efikasiteti hekurudhor në vendet e Ballkanit është relativisht më i lartë në aspektin e transportit të mallrave krahasuar me transportin e udhëtarëve.

 

Për të ofruar një shërbim më efikas të transportit është e nevojshme që në vendet e Ballkanit të ristrukturohen kompanitë hekurudhore së bashku me infrastrukturën hekurudhore. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, efikasiteti mesatar operativ i kompanisë hekurudhore në Shqipëri (HSH Sh.A.) është vetëm 8% i të njëjtës mesatare në vendet e BE. Në këtë drejtim, efikasiteti mesatar operativ i kompanisë hekurudhore në Kroaci, që është në gjendjen më të mirë në mesin e vendeve të Ballkanit, është 66 për qind e mesatares së BE-së.

Ashtu edhe siç duket, sektori hekurudhor i vendeve të Ballkanit ka nevojë për reforma institucionale, jo vetëm në aspektin e harmonizimit të legjislacionit kombëtar me atë të BE-së, por edhe në aspektin e përmirësimit të performancës operative dhe financiare të këtij sektori.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ



Lajme të ngjashme