Bruksel – Greqia dështon në zhbllokimin e këstit të ardhshëm të kredisë

Athina ka dështuar të sigurojë një marrëveshje për të zhbllokuar këstin e ardhshëm të ndihmës shumëmiliardëshe, pasi bisedimet me 19 ministrat e Financave të Eurozonës u ndërprenë...

Bruksel – Greqia dështon në zhbllokimin e këstit të ardhshëm të kredisë

Greqia nuk ka arritur dot që të gjejë marrëveshjen me kreditorët e saj.

Athina ka dështuar të sigurojë një marrëveshje për të zhbllokuar këstin e ardhshëm të ndihmës shumëmiliardëshe, pasi bisedimet me 19 ministrat e Financave të Eurozonës u ndërprenë.

Presidenti i Eurogrupit dhe njëherësh ministri i Financave të Holandës, Jerun Dejsoblum (Jeroen Dijsselbloem), tha se kishte ende një hendek të madh mes “asaj që mund të bëhet dhe asaj që duhet të bëhet”.

Në një dalje publike pas takimit në fjalë, Jerun Dejsoblum theksoi se ka qenë e pamundur që të arrihet një marrëveshjeve me qeverinë greke dhe se puna për të zhbllokuar përpara verës këstin e ardhshëm të kredisë për Athinën do të vazhdojë gjatë javëve në vijim.

Sido që të jetë, Dejsoblum tha se palët ishin shumë afër një marrëveshjeje dhe se bisedimet jozyrtare pritet të përfundojnë deri përpara takimit të Eurogrupit, më 15 qershor.

Takimi në Bruksel kishte për qëllim të vendoste nëse Greqia kishte bërë sa duhet reforma ekonomike për të marrë një kredi prej 7,5 miliardë eurosh për lehtësimin e borxhit. Por kësti i ardhshëm i kredisë nuk do të zhbllokohet, të paktën për momentin, pasi ka qenë e pamundur të përmbyllet procesi i vlerësimit të dytë të programit të shpëtimit të Greqisë.

Këto para janë jetike për vendin më jugor të Ballkanit për t’u shlyer kreditorëve këstin prej 7 miliardë eurosh të borxhit në muajin korrik dhe për të siguruar fondet e domosdoshme.

Në kuadër të programit të shpëtimit prej 86 miliardë eurosh në total, kreditorët i kërkojnë Greqisë që të bëjë reformat e nevojshme ekonomike.

FMN-ja dhe Gjermania raportohet të kenë rënë dakord për të ndihmuar Greqinë në lehtësimin e borxhit të vendit, pasi programi i saj i shpëtimit përfundon vitin e ardhshëm.

Ekspertët parashikojë që pesha e përgjithshme e borxhit grek për këtë vit të kapërcejë 300 miliardë eurot duke arritur nivelin e 180 për qind të të ardhurave kombëtare.

Greqia u është nënshtruar 3 programeve të shpëtimit që nga viti 2010 e këtej dhe, në krahasim me të ardhurat kombëtare, rezulton vendi me borxhin më të lartë në zonën euro.



Lajme të ngjashme