Ekonomia e Kosovës stimulohet me afro 700 milionë euro nga mërgimtarët

Mërgimtarët përmes remitencave kanë dërguar afro 700 milionë euro gjatë vitit të kaluar (2016).

Ekonomia e Kosovës stimulohet me afro 700 milionë euro nga mërgimtarët

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK),ka njoftuar se remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, shënuan vlerën prej 691.0 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 3,8 për qind, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.Sipas këtij raporti remitencat që pranohen në Kosovë vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra,  vende këto nga të cilat dërgohen 37,1 për qind përkatësisht 22,6 për qind të gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë.

“Një pjesë e konsiderueshme e remitencave është pranuar edhe nga SHBA – të, gjegjësisht 6,8 për qind e gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë, thuhet në raportin e BQK-së.

***

Mustafa: Është arritur zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe ulje e ndjeshme e papunësisë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën e pestë ndërkombëtare “Aktivizimi i resurseve të zhvillimit ekonomik”, të organizuar nga Instituti Riinvest, e cila njëherësh shënoi përvjetorin e 22-të të themelimit. 
Me këtë rast, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë punën e Riinvestit që në kohë të vështira nisi zhvillimin e hulumtimeve dhe shkencës në Kosovë.
“Instituti Riinvest është një historik i pasur i vendit, janë studime dhe analiza shumë të vlefshme, është ndër burimet më kredibile të analizave dhe të dhënave shkencore të Kosovës”, tha Mustafa.
Duke kujtuar periudhën që ka kaluar në këtë Institut, kryeministri Mustafa përmendi edhe punën e madhe që ka bërë Riinvesti dhe që përmes bashkëpunimit ndërkombëtar me institute dhe universitete të ndryshme, ka mundësuar studime kualitative dhe marrjen e titujve doktor shkence dhe magjistër i ekonomisë për shumë të rinj në Kosovë.
Nisur nga vetë titulli i konferencës, kryeministri Mustafa, tha se dëshmohet se ky Institut ka ende çfarë t’i jap Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bazimit të politikave efikase ekonomike sidomos në fushat e zhvillimit makroekonomik. 
“Në qoftë se i kthehemi situatës në vend, gjatë qeverisjes mbi dyvjeçare, ne kemi pasur një bashkëpunim mjaft të mirë dhe kemi qenë të interesuar që të marrim të gjitha sugjerimet shkencore për të adresuar një rrugë, e cila ka bazament të zhvillimit. Mbi këtë bazë, ne kemi arritur që të rrisim rritjen vjetore ekonomike, rreth 4 për qind, nga ajo që kemi trashëguar në 1.2 për qind”, tha kryeministri Mustafa.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili mepastaj u nominua per kryeminister nga Ldk, tha se tash e sa vjet ky Institut ka vendosur standarde gjithnjë e më të larta për fushën e hulumtimeve.
“Sot, vlerësimet që i jep Instituti Riinvest merren për bazë në vendimmarrje, sigurisht në Qeverinë e Kosovës, por edhe në institucione tjera ndërkombëtare që punojnë bashkë me ne në Kosovë. Nga ky këndvështrim, unë jam shumë i nderuar që kemi arritur të formalizojmë si Ministri e Financave, një bashkëpunim me Institutin Riinvest, për të publikuar në baza të rregullta pasqyrën makroekonomike, kuartale”, tha ministri Hoti.

***

Qeveria ndan 5 milione euro per zgjedhje

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 145-tën me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Qeveria miratoi kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me ndarjen e mjeteve financiare për organizimin e zgjedhjeve të hershme, në vlerë prej afro 5 milione euro, të cilat janë të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve më 11 qershor.
Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe koncept-dokumenti për qasje në dokumentet publike.
Në këtë koncept-dokument propozohet edhe ndryshimi i dy ligjeve të tjera: Ligji për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Kryeministri Isa Mustafa tha se të dy këto koncept-dokumente janë të lidhura me kërkesat nga Bashkimi Evropian për pakon e ligjeve që ndërlidhet pastaj edhe me ligjin për pagat, ndërkohë që ministritë mund të punojnë në përgatitjen e tyre dhe pasi të bëhet konstituuimi i Qeverisë së re të procedohet. 
Qeveria mori vendim edhe për ndarjen e mjeteve në shumë prej 90 mije euro për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për realizimin e procesit ankimor lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

***

Ministrja Tahiri u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, në Gjenevë ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit, Ibrahim Ahmed Ghandour, me ç’rast ka kërkuar njohjen e shtetit të Kosovës nga Sudani. 
Nga ana e tij, ministri Ghandour ka thënë se vendi i tij përcjellë me vëmendje të veçantë përparimet dhe i vlerëson lartë arritjet e Kosovës si dhe pjekurinë politike që po e dëshmon Kosova si faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Ministri i Jashtëm Ghandour tha se Sudani është duke e shqyrtuar me seriozitet vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës dhe se në këtë drejtim mund t’ju jap sinjale pozitive.  “Shteti i Sudanit në periudha të rëndësishme ka dhënë ndihmë të konsiderueshme humanitare për Kosovën. Sudani i mbështetë proceset integruese të Kosovës dhe  ka qenë një nga shtetet që ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, theksoi Ministri sudanez.

***

Mustafa kerkoi loberalizim te vizave 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Sven Mikser. 
Duke iu referuar Presidencës se Këshillit të BE-së, të cilën Estonia do ta marrë nga 1 korriku, kryeministri Mustafa kërkoi përkrahje për liberalizimin e vizave dhe agjendën e mëtejme integruese evropiane. 
Kryeministri Isa Mustafa, vlerësoi rëndësinë e përkrahjes së Estonisë edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe evropiane. 
Ministri i Punëve të Jashtme i Estonisë, Sven Mikser, theksoi mbështetjen e Estonisë gjatë Presidencës së Këshillit të BE-së për agjendën evropiane të Kosovës dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. 

***

Thaçi takoi krerë të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka qendruar në Jordani me ftesë të Mbretit të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, mori pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik Botëror për Lindje të Mesme dhe Afrikë veriore që këtë vit organizohet nga Mbretëria Hashemite e Jordanisë.
Presidenti Thaçi ka takuar Mbretin e Spanjës, Felipe VI, me të cilin ka diskutuar për promovimin dhe konsolidimin ndërkombëtarë të Kosovës si dhe mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Presidenti Thaçi po ashtu ka falënderuar Mbretin Felipe VI për mbështetjen që Spanja i ka dhënë Kosovës në kuadër të KFOR-it, në sigurimin e paqes dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.
Në një tjetër takim, Presidenti Thaçi ka zhvilluar një bashkëbisedim edhe me presidentin e Qipros greke, Nicos Anastasiades. Presidenti Thaçi ka theksuar se shtetet e vogla duhet të bashkëpunojnë më shumë, sidomos në shkëmbim të përvojave në fushën e zhvillimit ekonomik dhe fusha tjera.
Ai ka kërkuar nga presidenti Anastasiades që të fillojë një etapë e re në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, të cilat do të ndikojnë në përshpejtimin e integrimit evropian të Kosovës.
Presidenti Thaçi ka takuar edhe presidentin e Irakut, Muhammad Fuad Masum si dhe me presidentin e Republikës së Nigerit, Mahamadou Issoufou, me presidentin e Autoritetit Kombëtar Palestinez, Mahmoud Abbas dhe me shumë krerë dhe përfaqësues tjerë të shteteve, pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Botëror.

***

Nënshkruhet marrëveshja për sigurimet bujqësore

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore kanë nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi për të zhvilluar sistemin e sigurimit për prodhimtarinë bujqësore në Kosovë. Ky projekt është një nga hapat më të mëdhenj për avancimin e mëtutjeshëm të bujqësisë në vend. 

Bazuar në këtë marrëveshje IFC-ja do ta këshillojë Ministrinë në zhvillimin dhe zbatimin e një sistemi të sigurimit për bujqësi që është transparent, i qëndrueshëm dhe financiarisht i zbatueshëm, për ta përmirësuar konkurrueshmërinë në tregun gjithnjë e më të integruar të mallrave.

IFC-ja do të ofrojë mbështetje teknike dhe ligjore, duke përfshirë ekspertizën vendore, dhe do ta krijojë kornizën e nevojshme për funksionim efikas.

Përshpejtimi i rritjes dhe adresimi i varfërisë në zonat rurale kërkojnë politika dhe reforma për ta zhvendosur nga bujqësia për mbijetesë tek bujqësia intensive dhe e orientuar nga tregu, e që kultivon produkte me vlerë më të lartë.

MBPZHR-ja konsideron se sigurimi i prodhimtarisë bujqësore është segment shumë i rëndësishëm për ta zhvilluar dhe avancuar si sektorin e bujqësisë edhe më tej dhe për ta bërë atë më konkurrues, si dhe për ta forcuar mjedisin e përshtatshëm e për t’i rritur aftësitë teknike.

Një sistem i mirë i sigurimit gjithashtu do të ndihmojë në rritjen e besimit për sa i përket huadhënies për bujqësi dhe rënien e nivelit të kamatave, e kjo do të ndihmojë padyshim edhe në rritjen e produktivitetit dhe profitabilitetit të fermerëve të Kosovës.

***

Kosova raporton për Dialogun Ekonomik-Financiar mes KE-së dhe Ballkanit Perëndimor e Turqisë

Tashmë është bërë viti i tretë që Kosova dorëzon Programin për Reforma në Ekonomi (‘Economic Reform Programme’- ERP) në Komisionin Evropian.

ERP paraqet nivel të rëndësishëm të komunikimit mes Kosovës dhe BE-së, përmes të cilit Kosova raporton mbi Qeverisjen Ekonomike sipas Procesit të Semestrit Evropian. Ky dialog është shtylla kryesore mbi të cilën mbështetet përafrimi i qeverisjes ekonomike të shteteve kandidate me atë të BE-së.

Si pjesë e këtij procesi më 16 maj Kosova mori pjesë në takimin e Dialogut Ekonomik dhe Financiar në Bruksel, ku si anëtar i barabartë me shtetet e rajonit dhe Turqinë kontribuoi në diskutimin e përgjithshëm mbi pritjet makrofiskale dhe reformat strukturore me ndikim në zhvillimin ekonomik.

Vlerësimi i ERP-së dhe rekomandimet përkatëse do të publikohen në faqen zyrtare të Komisionit Evropian pas datës 23 maj, kur planifikohet të miratohen konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare.

***

FMN kërkon që mos të ketë premtime për rritje të pagave

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 11 qershor, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në Kosovë, Ruud Vermeulen, ka kërkuar maturi në zotime fiskale.

“Tani, është e rëndësishme që të sigurohen veprime të fuqishme të politikave, duke përfshirë disiplinë fiskale, meqë ato janë thelbësore për të përshpejtuar konvergjencën e të ardhurave dhe për të trajtuar papunësinë e lartë në vend. Të gjitha zotimet fiskale dhe veprimet përkatëse duhet të jenë në përputhje me rregullën fiskale dhe ligjin për pagat e sektorit publik”, thuhet në deklaratën për media të Vermeulen.

Ndërsa, lidhur me statusin e programit të mbështetur nga FMN, duke pasur parasysh zgjedhjet e përgjithshme të paralajmëruara për muajin e ardhshëm, Fondi vazhdon të jetë i përkushtuar në mbështetjen e Kosovës gjatë mandatit të tij, si dhe është i gatshëm të angazhohet me qeverinë e re pas zgjedhjeve.

“Gjatë dy viteve të kaluara, objektivat e përgjithshme të programit kanë qenë përmirësimi i situatës fiskale, ruajtja e stabilitetit financiar dhe krijimi i kushteve për rritje të qëndrueshme“, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të FMN-së në Kosovë Ruud Vermeulen

***

Mësoni se ku do të votoni më 11 qershor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar një vegëz që mund t’ju ndihmojë më 11 qershor.

Në këtë link mund të mësoni se ku do të votoni në zgjedhjet parlamentare, se a është a po nuk është vendvotimi i juaj i njëjtë me zgjedhjet e kaluara.

Gjithçka që ju duhet është të shkruani numrin tuaj personal. Për më shumë, klikoni: KËTU.

- Përgatiti për TRT Shqi, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme