Java e panaireve në Kosovë

Kosova javën e kaluar mirëpriti shumë panaire organizuar nga Oda Ekonomike në Prishtinë dhe nga shoqata “Esnaf” në Prizren në bashkëpunim me Qeverinë e vendit.

Java e panaireve në Kosovë
Kosova fuar haftası_açılış.jpg
Kosova_Prizren_fuar_2017.jpg

Në Kosovë gjatë javës janë hapur tre panaire, dy në Prishtinë dhe një në Prizren. Së pari është hapur Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “PRISHTINA 2017” në organizim të Odës Ekonomike të Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e vendit.

Edhe pse ishte caktuar në agjendë, munguan liderët institucionalë të vendit në hapje, por disa prej tyre vizituan panairin ndërkohë.

Kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, e shfrytëzoi rastin të kritikojë për pengesat që po u bëhen qytetarëve e posaçërisht bizneseve për mos-heqje të vizave. Kryetari Gërxhaliu theksoi se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit në mes të Bashkimit Europian (BE) dhe shtetit të Kosovës, pa liberalizim të vizave është e pakuptimtë.

“Është e vërtet që kemi MSA. Por dua të apeloj nga ky podium, në emër të komunitetit të biznesit, që kjo marrëveshje ta ketë substancën e vet, të punohet më tepër në liberalizim. Një marrëveshje e tillë, pa liberalizim dhe mundësi të lëvizjes të komunitetit të biznesit vendor, i përngjan një shtëpie shumë të bukur e të dekoruar, por pa derë hyrëse e dalëse”, ka thënë Gërxhaliu.

Por, ambasadori i Francës Didier Chabert, i cili ndodhej aty dhe foli në hapje të panairit, injoroi çështjen e vizave që e ngriti kryetari i Odës dhe që vazhdimisht po e ngritin bizneset. Ambasadori francez, në vend të ndonjë informate shpresë-dhënëse në lidhje me vizat, për bizneset ofroi këshilla tjera.

“Unë them që stabiliteti i kornizës legale dhe fiskale është i një rëndësie të veçantë për kompanitë nga Kosova, gjithashtu edhe për investitorët ndërkombëtarë”,ka thënë Chabert.

Në Panair ka folur edhe kryetarja e Unionit të Dhomave Ekonomike të Shqipërisë, Ines Muçostepa, duke thënë se do të dëshironte të kishte më tepër kompani nga Shqipëria.

Panairi është mbajtur në Qendrën e Panaireve, në fshati Bërnicë të Prishtinës.

***

Panair i zbehtë i turizmit

Por kjo qendër e panaireve për shkak të largësisë nga qyteti dhe për shkak se duhet paguar Odën Ekonomike të Kosovës për organizime, nuk po I konvenon një organizatori privat të panaireve. Ceo vazhdon ti mbajë panairet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, ku së fundi ka organizuar edhe panairin e turizmit, sportit dhe shkencës.

Në Panair që edhe këtë vit ishte i zbehtë në krahasim me panairet atraktive në rajon,  përveç që ekspozuan pak agjenci turistike vendore, pjesëmarrës ishin vetëm edhe Agjencitë Kombëtare të Turizmit nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Pjesëmarrësit nga këto vende ku kryesisht shkojnë kosovarët për pushime, I ftuan mysafirët duke u shprehur se sivjet janë të përgatitur të presin edhe më mirë.

Në hapje të panairit foli edhe Donjeta Sadiku, boksere dhe kampione e Evropës për të rinj, duke u shprehur se “sukseset e saj kanë bërë që shumë vajza të reja të fillojnë të shprehin interesim të merren me sport”.

***

Panair edhe në Prizren 

Përveç Prishtinës, panair u organizua edhe në Prizren, nga shoqata e afaristëve "ESNAF", e cila shënoi kështu edhe 23 vjetorin e themelimit. Panairi i cili u mbajt në qendër të Prizrenit ishte i hapur të shtunën dhe të dielën kur qyteti i Prizrenit vizitohet më së shumti nga vizitorë vendorë dhe të huaj, gjë që ishte rast i mirë për të promovuar prodhimet vendore. Në hapje ka marrë pjesë edhe Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, duke thënë se është koha e fillimit të ri.

“Ka ardhur koha e një kthese të madhe në Kosovë, ka ardhur koha e një fillimi të ri i cili Kosovën do ta orientojë në punë, veprimtari prodhuese. I cili do ti jep perspektivë atyre njerëzve që kanë ide, kreative, inovative. Atyre njerëzve që janë punëtorë, që ta zhvillojnë biznesin, idenë e vet, të krijojnë Kosovës e qytetarëve tanë të mira materiale...”, ka thënë Veseli.

Në panair përveç firmave prodhuese, kanë marrë pjesë edhe ato tregtare.

***

Ku ka nevojë për punëtorë nuk ka buxhet, e aty ka s’ka nevojë krijohet mbi-punësim

Instituti GAP kritikoi ndarjen e buxhetit për këtë vit, pasi prezantoi analizën mbi “Buxhetin e Kosovës 2017 dhe rekomandimet e Komisionit Evropian”. Sipas GAP, aty ku ka nevojë për punësim, nuk po ndahen mjete, kurse aty ky s’ka nevojë, po mbingarkohet me punësim.

Megjithëse ka përparime në adresimin buxhetor, ende ka fusha për të cilat nuk është bërë mjaftueshëm, thuhet në raportin e GAP. Buxheti për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës është rritur, mirëpo Prokurorisë Speciale si institucion kyç për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk i është ndarë buxhet për plotësimin e pozitave të kërkuara. Në anën tjetër ka institucione publike me punësim të mbingarkuar, thotë Agron Demi, analist i politikave në Institutin GAP.

“Ajo çka po ndodhë është që zakonisht institucionet dërgojnë staf aty ku nuk ka nevojë. Nëse shikohet Administrata Publike në përgjithësi, kemi mbingarkim me të punësuar. Por nëse shikohen departamentet specifike aty ku ka nevojë të rritet numri I të punësuarve, nuk ndajnë buxhet të mjaftueshëm, me arsyetim se nuk ka buxhet”, potencon Demi.

Nëse shikohen ndarjet buxhetore të vitit 2017, ato janë të njëjta me vitet e kaluara, theksoi në vazhdim Demi. Kurse Berat Thaçi, I cili prezantoi analizën, tha se mjaft rekomandime të Komisionit Europian (KE), përsëri nuk janë marrë parasysh.

“Përkundër rekomandimit të KE, buxheti për mirëmbajtjen e rrugëve është ulur për 30%. Sa i përket çështjeve të punësimit ka një përmirësim të kapaciteteve buxhetore për trajnimet profesionale, mirëpo edhe këtë vit problem është mungesa e inspektorëve të punës”, tha Thaçi.

Po ashtu u potencua se njëri nga problemet që përsëritet më së shpeshti në rekomandimet e Komisionit Evropian ka të bëj me mungesën e stafit në departamente kyçe që kanë të bëjnë me monitorim të politikave dhe zbatim të ligjeve.

***

Prokuroritë e Prizrenit, Gjakovës, Ferizajt dhe Mitrovicës më të dobëtat

Lëvizja “FOL”, ka publikuar një raport të monitorimit të sistemit prokurorial me fokus në veprat penale të korrupsionit. Prokuroria ka  shënuar efikasitet prej 130% në trajtimin e lëndëve për vitin 2016. Por kjo përqindje është rritur për shkak të prokurorisë speciale si dhe të asaj të Prishtinës, të cilët kanë tejkaluar normën mbi 200%, përderisa prokuroritë e pesë qyteteve tjera kanë performuar dobët. Prokuroritë e Mitrovicës, Gjilanit, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës kanë zgjidhur më pak lëndë se që kanë pranuar gjatë vitit 2016.

Përderisa prokuroria e Mitrovicës ka zgjidhur vetëm 66%, prokuroritë e 4 qyteteve tjera kanë zgjidhur mbi 80%. Por kjo shkallë negative është përmirësuar nga performanca e tri prokurorive tjera, Pejës, Prishtinës dhe asaj Speciale. Posaçërisht këto dy të fundit kanë pasur zgjidhje të rasteve mbi 200%, pasi përveç rasteve të pranuara gjatë vitit 2016, janë marrë edhe me rastet e viteve të kaluara, ka thënë Jeton Zulfaj, menaxher i programeve.

Por, nëse shikohet numri i lëndëve të zgjidhura gjatë vitit 2016, performancë më të dobët kanë treguar prokuroritë e Gjakovës dhe të Ferizajt, duke zgjidhur vetëm nga 28 lëndë respektivisht, duke u ndjekur nga prokuroritë e Mitrovicës dhe Prizrenit.

As prokuroria speciale edhe pse është e para në përqindje, nuk mund të mburret për sa i përket numrit të lëndëve, sepse ka zgjidhur vetëm 84 lëndë. Shkalla e arritur prej 210% e Prokurorisë Speciale është realizuar për shkak se i kishte pranuar vetëm 40 lëndë gjatë vitit të kaluar, shumë më pak se sa Prishtina që kishte pranuar mbi 265 lëndë.

***

Vet-lavdërohet krye-prokurori Lumezi

Prokurorët në vend janë treguar efektivë gjatë vitit 2016, ka thënë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. Gjatë vitit të shkuar, prokuroritë në Kosovë kanë zgjidhur mbi 63 mijë lëndë, prej të cilave 450 kallëzime penale për veprat e korrupsionit dhe 407 të tjera për veprat penale që lidhen me krimet ekonomike. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se për herë të parë janë ngritur edhe aktakuza për zyrtarë të lartë të shtetit. 

“Kemi hetuar dhe ngritur aktakuza për herë të parë për ministra në detyrë, ish-ministra, deputetë, kryetarë të komunave, ish kryetarë të komunave, kryetarë të gjykatave, ish gjyqtarë, prokurorë, policë, sekretarë permanentë, mjekë si dhe anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve të ndryshme, noterë, avokatë, inspektorë dhe kryeinspektorë, operatorë ekonomikë si dhe shumë zyrtarë të tjerë publikë”, ka thënë Lumezi.

Lumezi i cili po kritikohet se vepron në bazë të urdhrave politike, tha se prokuroria speciale po heton rreth kontratës së PTK-së dhe kompanisë Devolli për dëmin e shkaktuar prej 30 milionë eurove. 

***

Kryeministri Mustafa kritikon serbët për Asociacionin

Kryeministri Isa Mustafa tha se nuk ka disponim nga deputetët serbë që Asociacioni i komunave serbe, të themelohet bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

“Themelimi i asociacionit me shumicë serbe të bëhet mbi bazën e këtyre marrëveshjeve duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk kam parë një disponim nga pala serbe në Kuvend për të filluar themelimin e Asociacionit, ndoshta pse atyre nuk u pëlqen të bëhet mbi bazën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por kjo do të bëhet vetëm duke respektuar Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Sa i përket vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, Mustafa tha se nuk do të ishte e arsyeshme që të vazhdohet me këtë ritëm të dialogut. Ai tha se duhet të gjendet hapësirë që të kyçet edhe shoqëria civile, po ashtu edhe kyçja e opozitës me përfaqësues të tyre në Bruksel apo edhe në formë të tryezave të debatit në vend.

Ndërsa, përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova tha se Bashkimi Europian pret që dialogu të vazhdojë dhe ndërkohë të formohet asociacioni.

Në tryezën “4 vjet pas Marrëveshjes Kosovë-Serbi-Sa po ndihmon dialogu politik”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike, po ashtu është thënë se shtrirja e sovranitetit të Kosovës në gjithë territorin e vendit, përfshirja e qytetarëve serb në institucionet e Kosovës, avancimi i Kosovës në rrugën drejt integrimeve Evropiane, janë disa nga rezultatet e bisedimeve në Bruksel.

***

Qeveria e Kosovës ndan mjete për pjesëtarët e ish-organizatës paramilitare serbe

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i integrojë pjesëtarët e organizatës, të cilën dikur e quante ilegale dhe paramilitare serbe “Mbrojtja Civile”. Dhe për këtë punë, në mbledhjen e fundit të qeverisë janë ndarë mbi 31 mijë euro.

Gjithnjë kjo në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për shpërbërjen e organizatës në fjalë.

Ministrja e Dialogut Edita Tahiri, e vlerësoi shumë të rëndësishëm vendimin.
“Ky vendim e rrumbullakon zbatimin e marrëveshjes për zhbërjen e të ashtuquajturës mbrojtja civile”, tha Tahiri.
Kabineti qeveritar ndërkohë miratoi edhe Nismën për lidhjen e marrëveshjes për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë me Qeverinë e Shqipërisë, në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera.
Qeveria miratoi edhe vendimin për themelimin e Këshillit të Turizmit dhe vendimin për shpronësimin e disa pronave private dhe shoqërore që preken nga realizimi i fazës së tretë të projektit për ndërtimin e fabrikës së re të ujit në fshatin Shkabaj.

***

Kurti akuzon kompaninë Devolli dhe PDK-në

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Albin Kurti kërkoi hetim rreth pasurisë së biznesmenëve të vëllezërve Devolli. Kurti akuzoi edhe pjesëtarë të PDK-së për lidhjet me kompaninë e Devollëve.

“Klani pronto ka kurdisur fitoren e Devollëve në tender, për shkak të kurdisjeve të këtilla, pronarët e vërtetë që figurojnë në emër të Devollëve, janë kurdisësit, Klani Pronto. Terminalet doganore në anën tjetër janë dorëzim i pastër i shtetit”, ka thënë Kurti.

Deputetja Margarita Kadriu edhe pse iu përmend emri në lidhje me terminalin doganor, zgjodhi të flas për humbjet që i shkaktohen buxhetit të vendit nga Gjykata e Arbitrazhit përkatësisht nga kompania e Devollëve dhe çështja e Z- mobile.

“Buxheti pësoj në dy vendimet e fundit, ku humbjet janë dhe po i afrohen shumës prej 50 milion eurove, ndërkaq pritet vendimi edhe 400 milion euro të tjera të shtetit. Kush janë fajtorët, kush janë autorët e këtij krimi të planifikuar. Përgjegjësit kushdo cofshin ata duhet të përballen me pasojat ligjore”, ka thënë Kadriu.

Kurse për këtë çështje, përkatësisht për humbjen e 30 milion eurove nga buxheti i Republikës së Kosovës pas padisë së Z- Mobile, ka folur edhe kryeministri Isa Mustafa.

“Kosova humb rrafsh 30 milion euro dhe nuk kemi reagim publik. Kemi 2-3 pyetje të deputetëve por nuk kemi asnjë reagim publik. Edhe unë se kam të qartë se kush do të përfitoj nga këto 30 milion euro, por unë si kryeministër dhe ne si Qeveri do të kërkojmë përgjegjësi ligjore”, ka thënë kryeministri.

Seanca e Kuvendit të Kosovës kishte nisur me ngritjen e shqetësimeve të deputetëve rreth djegies së një pjese të shtëpisë së shëndetit në veri të vendit.

- Përgatiti për TRT në Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme