Banka Botërore: Shqipëria me rritje ekonomike 3,5 për qind, më e larta në rajon

Banka Botërore vlerëson se Shqipëria shënoi gjatë vitit 2016 rritjen ekonomike më të lartë në rajon me 3,5 për qind...

Banka Botërore: Shqipëria me rritje ekonomike 3,5 për qind, më e larta në rajon

Banka Botërore vlerëson se Shqipëria shënoi gjatë vitit 2016 rritjen ekonomike më të lartë në rajon me 3,5 për qind.

Të dhënat u publikuan të enjten nga Banka Botërore në raportin vjetor për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore, Ellen Goldstein, u shpreh gjatë prezantimit të raportit në Tiranë se rritja ekonomike do vazhdojë edhe për 2017-n në shifrat 3,2 për qind.

“Rimëkëmbja e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor u përshpejtua në vitin 2016, shoqëruar me prirje pozitive për uljen e papunësisë dhe varfërisë”, u shpreh Goldstein, ndërsa theksoi se “rritja dhe punësimi u rritën veçanërisht në vende, të cilat kanë shënuar progres të rëndësishëm në uljen e deficitit fiskal, duke adresuar probleme të trashëguara të një shteti të madh dhe joefikas, si dhe duke përmirësuar mjedisin e biznesit për investime vendase dhe të huaja”.

Raporti evidenton se pavarësisht këtij progresi, tregu i punës në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka sfida, me një shkallë papunësisie që luhatet rreth 22 për qind për vitin 2016. Ndërsa reformat e qëndrueshme kanë qënë efikase në tërheqjen e investimeve private, stabilizimin e borxhit publik dhe rritjen e të ardhurave të qytetarëve.

Ekaterina Vostroknutova dhe Marco Hernandez, kryeekonomistë dhe bashkëautorë të raportitthanë se “ka pasur përmirësime të balancave fiskale në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe disa vende e kanë arritur këtë duke mbajtur nivelin apo rritur shpenzimet për investime, gjë që do të ndihmojë të ruhet e përshpejtohet ritmi i rritjes ekonomike në të ardhmen”. 

“Vende të tjera ulën deficitin duke shkurtuar investimet, ndërkohë që ngritën pagat, pensionet dhe pagesa të tjera të ndihmës sociale dhe subvencionet. Kjo dëmton rritjen në të ardhmen”, theksuan Vostroknutova dhe Hernandez.

Sipas raportit, konsolidimi i rritjes në Ballkanin Perëndimor dhe adresimi i sfidave të vazhdueshme të papunësisë kërkon që vendet t’i përmbahen kursit të reformave. Në veçanti, konsolidimi i mëtejshëm fiskal dhe reformat strukturore janë të domosdoshme për të 6 vendet e rajonit për të përmirësuar efikasitetin e sektorit publik, si dhe për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomive të tyre, që të nxisë zhvillimin e sektorit privat.

Raporti i Bankës Botërore thekson se reformat duhet të përqëndrohen në fushat e tregut të punës, klimën e biznesit, efikasitetin e sektorit publik dhe integrimin global duke siguruar përdorim të qëndrueshëm të burimeve të energjisë dhe atyre natyrore.



Lajme të ngjashme