Diplomatët kosovarë do të kontaktojnë me investitorët strategjikë

Pas miratimit të Ligjit për investime strategjike, diplomatët e Kosovës me detyrë në 35 misione në botë do të inkurajohen për ti sjellë vendit investitorë strategjikë.

Diplomatët kosovarë do të kontaktojnë me investitorët strategjikë

Në 35 misionet diplomatike të Kosovës nëpër botë, diplomatë përshkrim të punës e kanë edhe promovimin dhe lehtësimin e shitjes së produkteve të Kosovës jashtë vendit. Por, pas miratimit të Ligjit për investime strategjike, ata tash inkurajohen edhe për sjelljen e investitorëve strategjikë.

Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe në këtë rrugë diplomacia ekonomike mund të ndihmojë shumë. Megjithatë, sipas krye-parlamentarit Kadri Veseli, janë disa vështirësi sepse Kosova si shtet i ri ende nuk e ka të përmbyllur subjektivitetin ndërkombëtar.

“Problemi i njohjeve vazhdon të jetë në epiqendër të diplomacisë sonë aktualisht. Mungesa e burimeve financiare gjithashtu është një barrierë serioze në zgjerimin e kapaciteteve tona diplomatike. Por, kjo nuk është arsye që të injorohet dimensioni i diplomacisë ekonomike. Kosova ka nevojë jetike por thithjen e investimeve të huaja  dhe diplomacia jonë duhet të shndërrohet në hallkën e parë të komunikimi me investitorë të jashtëm”,- ka thënë Veseli.

Në konferencën me temën “Diplomacia Ekonomike & Made in Kosova”, kanë marrë pjesë edhe diplomatë nga ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës nga vende të ndryshme. Zëvendës-kryeministri Ramiz Kelmendi i ftoi ata të negociojnë me investitorë potencialë.

Ligji mbi Investimet Strategjike që ka kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës ju mundëson që edhe ju si ambasadorë të bashkëbisedoni me investitorët e mundshëm që janë të interesuar të investojnë në Kosovë dhe bashkëbisedimi do të shkojë direkt me qeveritarët e Republikës së Kosovës, në mënyrë që t’i heqim të gjitha mundësitë e ndonjë krimi e korrupsioni që është ka ngrit një bindje se në Kosovë nuk mund  të vihet për shkak se ka korrupsion”,- tha Kelmendi.

Organizatore e konferencës është Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Klubin e Prodhuesve të Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se qëllimi i takimit ishte që t’u thuhet prodhuesve vendorë që Diplomacia e Kosovës është në shërbim të tyre.

Ndërkohë, kryetari i klubit të prodhuesve të Kosovës, Astrit Shabani ka folur për rolin e prodhuesve vendorë dhe kapacitetet e tyre. “Secila nga këto kompani vendore është duke kontribuar në ekonomi”,- ka thënë Shabani.
Sipas tij, prodhuesit vendorë kanë një eksport në mbi 30 vende të ndryshme të botës. Ndër prioritetet e klubit të prodhuesve, Shabani e ka përmendur edhe nevojën e më tejshme për vetëdijesimin e konsumatorëve vendorë.

***

Hiqen tarifat sezonale për energjinë e shpenzuar

Nga një 1 prilli janë hequr tarifat sezonale për energjinë e shpenzuar në Kosovë. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të bordit të ZRRE, Krenar Bujupi, ka thënë se nga muaji prill një kategori e caktuar e bizneseve e kanë tregun e hapur dhe mund të zgjedhin furnizuesin.

Bizneset kanë mundësi të zgjedhin ndërmjet kompanive furnizuese, sepse në tregun e Kosovës përveç KESKO-it janë edhe dy kompani tjera.  Bujupi megjithatë nuk tregoi saktë se sa do të jenë tarifat e reja të propozuara që duhet të paguajnë bizneset për tarifat ditore dhe të natës.

“Struktura tarifore për bizneset ka me qenë ditë edhe natë. Do të thotë e ulët dhe e lartë se tek ne për shkak të identifikimit e përdorim se gjatë ditës është më e lartë. Do të thotë ka  një tarifë të ditës një tarifë të natës”, ka thënë Bujupi.

Bizneset kishin shumë kritika për mos-furnizim të rregullt me energji. Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Brahim Selimaj, ka kërkuar të jepet  përgjegjësi  nga përgjegjësit e mungesës së rrymës, që po i dëmton bizneset.

Ndërsa Fatim Halimi, nga një kompani prodhuese e ujit, tha se ndërprerja e rrymës ju ka shkaktuar dëme materiale në vlerë mbi 100 mijë euro. Për këtë ai thotë se i ka njoftuar organet kompetente, por askush nuk i ka dalë në ndihmë.

***

Ulje e madhe e mbjelljes së grurit 

Në Kosovë sivjet janë mbjellë 20 mijë hektarë grurë më pak se sa vitin e kaluar,ka bërë të ditur Shoqata e Prodhuesve të Grurit gjatë një tryeze të përbashkët me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK).

Importimi i pakontrolluar i miellit nga shtetet fqinje dhe mbështetja jo e kënaqshme e bujqve nga ana e qeverisë, vlerësohen ndër faktorët kryesorë të kësaj.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Grurit, Pal Gjuraj, theksoi se bujqit po përballen me probleme të shumta.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se është koha kur duhet të fillohet me përdorimin e praktikave të vendeve të rajonit që për mbrojtjen e prodhimeve vendore jo vetëm të flitet por të veprohet.

***

Punëtorët shëndetësorë kërkojnë rritje të pagave

Punëtorët shëndetësorë të Kosovës kërkojnë rritjen e pagave dhe përmirësim të kushteve të punës së tyre. Për këtë ata protestuan për një orë në të gjitha institucionet publike shëndetësore në nivel vendi. Sindikalistet i dhanë afat Qeverisë së Kosovës shtatë ditë për plotësimin e tyre, përndryshe kanë paralajmëruar radikalizëm të protestave në të ardhmen.

Kërkesë tjetër e tyre ka qenë edhe ulja e përqindjes për sigurime shëndetësore nga 7%, në 4%.

***

Serbët e Kosovës kërkojnë shtyrjen e afatit për grante bujqësore 

Serbët nga veriu i Kosovës që merren me bujqësi, kanë kërkuar nga ministria e Bujqësisë zgjatjen e afatit për aplikime për grante. Ata kishin dorëzuar më herët një peticion për këtë gjë, andaj kërkuan nga zëvendës-ministri i Bujqësisë Rodoljub Mladenoviq përgjigje për atë se a është zgjatur afati. Por zëvendës-ministri nuk ishte I njoftuar për këtë gjë.

“Jo unë vërtet nuk kam informacione rreth asaj, është shtyrë afati për aplikim për subvencione deri më 10 prill, ka qenë deri më 27 mars. A është shtyrë afati edhe për grante, mendoj se nuk është shtyrë. Por do të bisedojë me ministrin për peticionin në fjalë, tash sapo dëgjova për këtë”, tha zëvendësministri serb.

Kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, tha se duhet mbajtur takime më të shpeshta me institucionet për ti dëgjuar problemet e qytetarëve të veriut të Kosovës.

“Thoni në këtë ditë duam ti takojmë këta njerëz, duam ti zgjidhim këto probleme  dhe ne do ta bëjmë këtë. Sepse nuk ka zgjidhje të problemeve pa dialog”,- tha Gërxhaliu.

Kreu I Odës po ashtu tha se humbja e granteve apo subvencioneve për shkak të çështjeve teknike është një dëm, nga i cili nuk përfiton askush.

***

 “Deti i Korrupsionit në Kosovë- Peshqit e vegjël kapen, të mëdhenjtë lihen të lirë”

Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka publikuar raportin vjetor të vitit 2016, “Deti i Korrupsionit në Kosovë- Peshqit e vegjël kapen, të mëdhenjtë lihen të lirë”, i cili flet për monitorim të rasteve të korrupsionit  në Kosovë. Gjatë periudhës një vjeçare, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka evidentuar 27 raste të korrupsionit të profilit të lartë  ku bëjnë pjesë kryetar  gjykatash, ministra, zëvendësministra dhe kryetar komunash.

Statistikat e larta të korrupsionit, dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e gjyqësorit, tha ambasadori britanik në Kosovë Ruari Oconell.

***

Kryeministri Mustafa flet për funksionalizimin e aeroportit të Gjakovës 

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur përkushtimin që në muajt e ardhshëm të punohet për funksionalizimin e aeroportit të Gjakovës.

Këto komente kreu i ekzekutivit i bëri gjatë një vizite që pati në këtë aeroport, i cili posedon asete dhe pajisje me vlerë rreth 10 milionë euro.

“Do të zgjidhet edhe çështja e pronave, para se gjithash, çështja e përdorimit dhe shfrytëzimit ekonomik të këtij aeroporti. Është në një vend të mrekullueshëm dhe është një aset që ka nevojë të shfrytëzohet ose për udhëtarë ose për mallra, ose për FSK-në, apo ushtrinë e ardhshme të Kosovës”, tha Mustafa.

Nga ana tjetër, krye-shefja ekzekutive e Aeroportit të Gjakovës, Vlora Gojani, falënderoi kryeministrin Mustafa për vizitën, duke thënë se nga ky takim do të fitojnë të dy anët.

“Shpresojmë se do të përfitojmë dy anët nga ky takim. Aeroporti i Gjakovës është aset nacional, aset shtetëror dhe jemi drejt funksionalizimit të këtij aeroporti”, tha ajo.

Kjo vizitë në aeroportin ë Gjakovës u bë në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të themelimit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjakovë.

***

Malazezët shpresojnë në ratifikimin e demarkacionit

Përfaqësues të shoqatës së malazezëve në Kosovë theksuan se shpresojnë që Kuvendi i Kosovës, të ratifikojë së shpejti marrëveshjen për demarkacionin. Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Sllobodan Vujiçic u shpreh se Mali i Zi dhe Kosova duhet të kenë kujdes kur kanë të bëjnë me marrëveshjen për Demarkacionin.

“Ratifikimi i marrëveshjes është kusht esencial i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe të prosperitetit strategjik me anëtarët e NATO-s por edhe me 28 anëtarët e tjerë që përfaqësojnë NATO-n”,- ka thënë Vujicic.

Ekspertë të sigurisë, pjesëmarrës në këtë debat vlerësuan se anëtarësimi i Malit të ZI në NATO, do të ndihmonte në stabilizimin e rajonit duke e bërë kështu vendin e tretë të anëtarësuar në këtë aleancë.

***

Miratohet Marrëveshja për themelimin e Fondit për Ballkanin Perëndimor  

Kuvendi i Kosovës miratoi Marrëveshjen për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, pas miratimit të një deklarate që Kosova të përfaqësohet si shtet i pavarur.
Me 80 vota për dhe 5 kundër, Kuvendi miratoi një deklaratë lidhur me fusnotën në emrin e Republikës së Kosovës, në të cilën thuhet se Kuvendi e njeh Kosovën vetëm në bazë të emrit të saj kushtetues si Republikë e Kosovës.

Nxjerrja e kësaj deklarate që ishte kusht i opozitës, i hapi rrugë miratimit të Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes. Kërkesa për nxjerrjen e deklaratës për fusnotën erdhi nga Glauk Konjufca i Vetëvendosjes. “Kërkesa e vetme është që ky Kuvend duhet ta lëshojë një deklaratë që Kosova nuk e njeh në aspektin e brendshëm fusnotën”, ka thënë Konjufca.
Në vazhdim, Kuvendi përveç tjerash, ratifikoi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë në fushën e energjetikës.

***

Shënohet një vjetori i MSA-së 

Me rastin e shënimit të  anëtarësimit të Doganës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave dhe njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se Kosova  po vendoset në harta globale dhe ka vizion që t’i përmbush të gjitha kriteret që i kërkohen nga MSA-ja.

Ndërsa Ministri i financave Abullah Hoti, ka thënë se po punojnë shumë në reformat e të bërit biznes dhe MSA-në e shohin si përpjekje për një platformë më të mirë ekonomike dhe prosperitet.

Nga ana e tij, Bahri Berisha, drejtor i përgjithshëm Doganës se Kosovës, tha se dogana vazhdon të forcoj kapacitetet për luftimin e ekonomisë jo formale dhe të ruaj e promovojë boshtin e vlerave në shërbim të qytetarëve të vendit.

***

Drejtori i doganës Bahri Berisha për vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe

Qëllimi i vizitës ishte bashkëpunimi, përkrahja e institucioneve kufitare në ngritjen e kapaciteteve në luftën kundër trafikimit ndër-kufitar, kontrabandës rajonale, ngritjen e kapacitete të qendrës kombëtare për menaxhimin e kufirit, shkëmbimin e informacioneve dhe përvojave dhe përkrahje në trajnime

Kjo vizitë u realizua dhe financua nga ambasada amerikane, programi EXBS dhe zyrtarët nga dogana angleze.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme