Kosovë - Qytetarët mendojnë se gjyqësori është i korruptuar

Qytetarët e Kosovës kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë nga organet gjyqësore.

Kosova Bakanlar Kurulu toplantısı_Şubat 2017.jpg
Kosova Silahlı Kuvvetleri.jpg
bağımsız kosova 9 yaşında.jpg
Arnavutluk-NATO-Kosova bayrakları.jpg

Qytetarët e Kosovës nuk janë të kënaqur fare me punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Afro 80% e qytetarëve mendojnë se gjyqtarët pranojnë mite ose ryshfet.

Ky perceptim i pakënaqësisë shumë të lartë të qytetarëve ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve ka dal nga anketa e bërë nga grupi për studime politike dhe juridike.
Qytetarët në Kosovë mendojnë se sistemi i drejtësisë vazhdon të ndikohet nga personat me pushtet politikë. Këtë mendim e ndajnë 70 % e të anketuarve, të prirë nga qytetarët e Pejës e Mitrovicës. 

Të dhënat e anketës u prezantuan nga Albana Merja nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike.
“Nga të dhënat e anketës tregohet që rreth 43% e qytetarëve të Kosovës mendojnë se punonjësit e Drejtësisë pranojnë mite ose ryshfet. Sërish është shqetësues fakti që 77% mendojnë se Gjykatat janë institucioni më i prekur, ndjekur nga prokuroria me 69%”, bëri të ditur Merja.

Që nga paslufta gjyqtarët e prokurorët kosovarë vazhdimisht janë ankuar për mungesë të numrit të tyre. Ky numër edhe pse vazhdimisht është shtuar ashtu siç kanë kërkuar vet gjyqtarët e prokurorët, megjithatë edhe sot e kësaj dite arsyetimet janë të njëjta. Justifikim të njëjtë për numrin e lartë të lëndëve dhe numrin e vogël të prokurorëve e përsërit Agron Qalaj, prokuror në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, duke mos treguar se deri kur do të vazhdohet me këto justifikime.

"Me numrin e prokurorëve të cilët i kemi , me numrin e lëndëve të cilat janë të pranuara dhe të bartura, është e pamundur që të plotësohet ky parim, sepse një vonesë e shkaktuar, në fakt shkakton pakënaqësi”, ka thënë Qalaj.

Qytetarët kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë nga organet gjyqësore. Kjo do të ndikojë që sistemi prokurorial të performojë më mirë por edhe bindja e qytetarëve të ndryshojë.

Kurse Armend Zemaj nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion ka bërë të ditur se disa ligje do të jenë në procedurë për tu ndryshuar dhe do tu përshtaten edhe ndryshimeve kushtetuese. Mirëpo Zemaj pati edhe vërejtje.

 “Na është dukur që më shumë është kujdesur Komisioni për Legjislacion , për të avancuar punën e këtyre dy trupave (Gjykatë, Prokurori) edhe shoqëria civile sesa këta vet, në detyrat që i kanë pasur të parashtruara me ligj dhe kushtetutë”.

Sidoqoftë një pjesë e madhe e qytetarëve të anketuar në përqindje prej 76%  shprehen se janë të gatshëm të raportojnë pranë institucioneve përkatëse , krimin apo korrupsionin.

***

Shqiptarë e serbë bashkë në kontrabandë të drogës

Policia e Kosovës në një aksion të realizuar në rajonin e Gjakovës, ka arritur të sekuestrojë rreth 80 kilogramë substanca narkotike dhe ka arrestuar pesë persona. Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, policia ka bërë të ditur se 3 prej të arrestuarve janë shtetas serbë.

Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotikë pas hetimeve ka siguruar informacione se disa persona janë të përfshirë në trafikimin me narkotikë. Policia e Kosovës me këtë rast ka ndërmarrë një operacion, ka bërë të ditur majori Bahri Shala.

“Policia e Kosovës dje rreth orës 23:00, ka ndërmarrë një aksion me ç’rast janë arrestuar dy shtetas shqiptarë dhe tre serbë. Personat e arrestuar janë, U. Gj. viti i lindjes 1971, mashkull, shtetas Kosovar, M. B. viti i lindjes 1989, mashkull, shtetas Kosovar, D. M. viti i lindjes 1982, mashkull, shtetas i Serbisë, J. V. viti i lindjes 1973, mashkull, shtetas i Serbisë dhe R. Zh. viti i lindjes 1980, mashkull, shtetas i Serbisë”, ka thënë Shala.

Origjina e narkotikëve është Shqipëria, kurse arrestimi I shtetasve serbë jep indikacione se tregu i destinuar ka qenë Evropa, ka thënë majori Shala. Nga ana tjetër, policia ka pranuar se ka rritje të trafikimit me narkotikë në Kosovë, për çka edhe ka konfiskime të shpeshta nga policia.

***

Presidenti Thaçi ia dorëzon krye-parlamentarit Veseli projektligjin për ushtrinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ia dorëzoi të martën kryeparlamentarit Kadri Veseli projektligjin për FSK-në, me të cilin, Forcës së Sigurisë së Kosovës do t`i ndryshohet misioni dhe do të bëhet ushtri. Megjithatë, Presidenti Thaçi tha se tri vite më parë është paralajmëruar themelimi i Forcave të Armatosura por fatkeqësisht realiteti ka mbetur i njëjte ngase deputetët serbë disa herë kanë thënë se nuk do t`i votojnë ndryshimet kushtetuese. 

Sa i përket emrit të ushtrisë së re të Kosovës, Presidenti Thaçi tha se më e rëndësishme se simbolika që lidhet me emrin është përmbajtja. Sipas tij, Kosova përfundimisht po ndërton ushtrinë e saj moderne dhe se ai personalisht ndihet mirë me emrin FSK  dhe se ky emër është adekuat. Me projektligjin për FSK-në, ndryshohet misioni i kësaj force dhe do t`i ngarkohen detyrat e reja në përputhje me ligjin e ri. Presidenti Thaçi ka ftuar shtetet anëtare të NATO-s ta ndihmojnë FSK-në edhe në të ardhmen, siç kanë bërë deri tani.

***

Kryesia e Kuvendit unanimisht për ushtri

Kryesia e Kuvendit, unanimisht, i ka dhënë dritën jeshile projektligjit për FSK. Pas mbledhjes së kryesisë, krye-parlamentari Veseli tha se qeveria ka kohë një muaj që ta kthej në Kuvend projektligjin, i cili më pas do të procedohet për miratim në seancë. Projektligjin, në parim, e kanë mbështetur edhe LDK, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma. 

Pas mbledhjes së Kryesisë, Veseli tha se vendimmarrja për formimin e ushtrisë së re të Kosovës është dashur të merrej para tre vjetësh.

Mbështetje projektligjit i ka dhënë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik, Ismet Beqiri tha se duan të kenë një ushtri të mirëfilltë por gjithnjë duke besuar se presidenti e bënë këtë në partneritet me shtetet që e mbështesin Kosovën.

Në parim, projektligjin e ka mbështetur edhe lëvizja Vetëvendosje. Këtë e ka konfirmuar Aida Dërguti, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën (Nisma) kanë thënë se janë të gatshëm ta mbështesin iniciativën për themelimin e ushtrisë së re. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj, tha se është shumë e rëndësishme ndryshimi tërësisht i misionit të FSK-së.

***

Qeveria e trajton projektligjin për ushtrinë

Qeveria, posa të marrë nga Kuvendi Projektligjin me të cilin propozohet që FSK-së t’i jepet roli i ushtrisë, do ta trajtojë sipas rregullores nga Ministria e FSK-së, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe ajo e Financave. Përmes një komunikate për media, qeveria ka bërë të ditur se Projektligji do të harmonizohet me Kushtetutën dhe do të ketë mbështetje buxhetore, përderisa ka bërë të ditur se Projektligji është propozuar nga presidenti si komandant Suprem i FSK-së.

***

Kryeministri Mustafa ishte i njoftuar më herët për projektligjin e ushtrisë

Pas reagimeve rreth formimit të ushtrisë, edhe qeveria e Kosovës ka dalë me një komunikatë ku thuhet se për propozimin e këtij Projektligji, kryeministri është njoftuar nga Presidenti më 5 mars, para se ai ta bënte publike këtë iniciativë në fjalimin e tij në Kazermën “Adem Jashari”, me rastin e Epopesë së UÇK-së. 

“Bazuar në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, që rezultoi nga debati për FSK-në të datës 14 shkurt të këtij viti, kryeministri kishte kërkuar nga ministri i FSK-së që të përgatitet Strategjia për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo ndryshimit të Ligjit mbi FSK-në. Më 14 shkurt 2017, kryeministri mori letër nga Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, në të cilën ai shprehu qëndrimet e qarta se NATO do të vazhdojë bashkëpunimin me FSK-në vetëm në mandatin ekzistues. Edhe në bisedën telefonike, të datës 8 mars, sekretari Stoltenberg ka kërkuar nga Kryeministri që të rishqyrtohet ndryshimi i mandatit të FSK-së përmes ligjit, për çfarë shprehin shqetësime anëtarët e Aleancës Veri-atlantike. Qëndrime të ngjashme, kryeministri ka marrë këtë javë edhe nga Ambasadori i ShBA-ve dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë,  thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga qeveria, duke theksuar se kryeministri vlerëson se themelimi i Ushtrisë nuk mund të mbetet peng i Serbisë.

Qeveria është e përcaktuar që Kosova ta ketë Ushtrinë e saj, në suaza të hapësirës së Kushtetutës dhe në mbështetje me partnerët strategjikë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe NATO-n, thuhet në komunikatë.

***

Qeveria i dha mbështetje raportit vjetor të punës

Qeveria e Kosovës i dha mbështetje raportit vjetor të punës për vitin 2016, me ç’rast u vlerësuan rezultatet e Qeverisë për vitin e kaluar. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se është punuar sidomos në pesë prioritetet kryesore të kësaj qeverie. Kuçi tha se raporti ka për qëllim që të paraqes progresin e arritur në realizimin e këtyre prioriteteve dhe që të jetë pikë reference për programin e Qeverisë së Kosovës për prioritetet strategjike edhe për këtë vit.
Raportin e vlerësoi edhe kryeministri Isa Mustafa.
Kabineti qeveritar ndërkaq miratoi programin kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2017-2021.

Kostoja totale e zbatimit të këtij programi për këtë vit, sipas ministres Ahmetaj, është vlerësuar të jetë mbi 484 milionë euro, nga të cilat afro 400 milionë sigurohen nga buxheti shtetëror, ndërsa pjesa tjetër nga mbështetja e donatorëve.

***

Deputetët me rezolutë për lirimin e Haradinajt

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 78 vota për, miratuan rezolutën për lirimin e Ramush Haradinaj nga Franca. Rezoluta u miratuar pas ndryshimeve që iu bënë dhe ajo u lexua nga Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj

“1. Lirimi të ndodhë sa më shpejtë. 2 Të pezullohet dialogu deri në lirimin e Ramush Haradinajt. 3. Qeveria të kërkojë nga BE që të largojë të gjitha akuzat e lëshuar nga Serbia”.

***

Kërkohet ndryshimi e plotësimi i ligjit për gjykatën speciale

Deputeti i PDK-së Nait Hasani në vazhdim të seancës paraqiti kërkesë për mbajtjen e një debati për Gjykatën Speciale, me qëllim ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për këtë gjykatë.

Sa i përket debatit për Gjykatën Speciale, PDK dhe LDK thanë se mbështesin çdo debat. Kur bëhet fjalë për ndryshime dhe plotësime në këtë ligj, procedurat janë tjera tha shefi i LDK-së Ismet Beqiri.

Për këtë temë më i zëshmi ishte shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Zhbërja e Gjykatës Speciale bëhet me një projekt serioz duke u përfshirë të gjitha subjektet politike dhe jo duke e futur siç ka ndodhur sot në seancën e Kuvendit e cila nuk ishte as pikë e rendit të ditës, tha Konjufca.

Në cilindo variant që mund të zhbëhet Gjykata Speciale, dy partitë tjera opozitare AAK e Nisma thanë se do ta mbështesin.

***

Publikohet raporti i Komisionit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës

Qeveria e Kosovës e ka publikuar në faqen zyrtare të saj raportin e Komisionit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës pas prezantimit në mbledhjen e kaluar të ekzekutivit.

“Ky raport zyrtar i Komisionit të ekspertëve, të kryesuar nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, puna e të cilit është mbikëqyrur dhe nënshkruar nga përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve, të KFOR-it dhe të BE-së, tashmë është në procedurë të dërgimit për informim në Kuvend dhe te Presidenti i vendit”, thuhet në njoftimin e qeverisë. 
Duke ftuar përfaqësuesit e partive parlamentare dhe më gjerë që të jenë pjesë e këtij procesi historik të shënjimit të një kufiri ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, i cili njëkohësisht hap udhë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, Qeveria fton deputetët e Kuvendit që të jetësojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për realizimin e këtyre aspiratave shumëvjeçare”, përfundon njoftimi i qeverisë.

***

Qeveria pret momentin për të ri-proceduar në Kuvend Demarkacionin

Qeveria pret një moment të volitshëm për të ri-proceduar në Kuvend marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, ka thënë zëdhënësi i qeverisë Arban Abrashi.

Raporti i Komisionit të Ekspertëve për Matjen e Territorit të Kosovës është publikuar në web-faqen e qeverisë, kurse tash pritet t’u shpërndahet edhe deputetëve, për të filluar diskutimet, ka thënë zëdhënësi i qeverisë Arban Abrashi. Ai nuk dha datë të saktë se kur çështja e demarkacionit  do të procedohet në Kuvend.

“Nuk ka një datë të caktuar, është mendua jo java e kaluar jo kjo javë. Mendoj se pritet momenti më i volitshëm kur afërsisht dihen edhe deputetët të cilët mund të kenë paqartësi se kur do të shkojë. Mund të jetë java e ardhshme, mund të jetë pas një jave, nuk ka një datë specifike, ajo çka duhet me bo është me veprua sa ma shpejt sepse mendoj se e humbim momentumin, i cili është krijua në Bruksel”, është shprehur Abrashi.

***

Ulja teorike e papunësisë nga qeveria e Kosovës

Në lidhje me shifrat për uljen e papunësisë nga 35% në 29%, zëdhënësi Abrashi që është edhe ministër i Punës e Mirëqenies Sociale, ka pranuar se aty ka ndikuar edhe regjistrimi i të punësuarve që punonin në të zezë.

“Duhet me qenë të sinqertë, shifrat e uljes së papunësisë nuk janë vetëm nga krijimi i vendeve të reja të punës, por ka efekt edhe luftimi i informalitetit”, ka thënë Abrashi.

Elementi tjetër sipas tij që ka ndikuar në uljen e papunësisë është krijimi i vendeve të punës nga ndërmarrjet e disa sektorëve, të cilët po përjetojnë “boom” të zhvillimit, e që vinë nga industritë e metalit, tekstilit, drurit, nga bujqësia dhe Teknologjia Informative. Për sa i përket migrimit, Abrashi tha se ka mund të ndikojë në nivel më të ultë, sepse migrim ka pasur edhe gjatë qeverive të kaluara, kur nuk ka pasur ulje të papunësisë. Edhe pse gjatë mandatit të qeverisë janë evidentuar zyrtarisht rreth 30 mijë vende të reja të punës, gjatë një diskutimi në “Fol Hapur”, Abrashi beson se do të përmbushin premtimin e fushatës për 100 mijë vende të reja të punës.

***

Nevojitet ligji për partitë politike 

Instituti Demokratik i Kosovës, njohës të çështjeve ligjore  dhe përfaqësues të shoqërisë civile, debatuan nevojën e miratimit të Ligjit për partitë politike në Kosovë. Qëllimi i debatit ishte përcaktimi i kritereve minimale të funksionimit të demokracisë së brendshme pasi që partitë politike në Kosovë, konsiderohen si institucione më së paku të besuara në raport me institucionet tjera. Në debat, përveç nga Vetëvendosje, nuk morën pjesë përfaqësues të partive tjera politike.

***

Kosova e Greqia afër gjeografikisht, por larg me marrëdhënie ekonomike

“Kosova dhe Greqia po afrohen gjithnjë e më tepër përmes Autostradës “Arbën Xhaferi”, prandaj kjo duhet të shfrytëzohet për shtimin e bashkëpunimit ekonomik”, është thënë në Forumin Ekonomik mes këtyre dy shteteve të mbajtur në Prishtinë. Në Forum, bizneset nga të dyja vendet kanë pasur rastin të takohen direkt dhe të bisedojnë për mundësitë e bashkëpunimit.

Kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, kërkon intensifikim të bashkëpunimit, duke e marrë parasysh edhe afërsinë gjeografike.

“Dua të besoj se shumë shpejt do ta kemi edhe përfundimin e auto-udhës për në Shkup dhe besoj që distanca mes Greqisë e Kosovës çdo ditë është duke u minimizuar”, ka thënë Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se në vitin e kaluar raportet tregtare ndërmjet Kosovës e Greqisë ishin 117 milionë euro import, kurse eksporti i Kosovës drejt Greqisë ishte vetëm mbi 1 milion euro.

Ambasadorja e Greqisë në Prishtinë, Konstantina Athanassiadou, tha se janë të interesuar që të organizojnë këso lloj forumesh për të gjitha palët e interesit ekonomik, në mënyrë që të ketë zhvillim ekonomik dhe perspektivë.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme