Shqipëri – Ahmetaj: Pas zgjedhjeve do të ketë një program të ri me FMN-në

Ministri i Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, deklaroi të hënën se pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit do të ketë një program të ri me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN)...

681343
Shqipëri – Ahmetaj: Pas zgjedhjeve do të ketë një program të ri me FMN-në

Ministri i Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, deklaroi të hënën se pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit do të ketë një program të ri me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Gjatë një takimi me gazetarët, Ahmetaj informoi se aktualisht kanë një instrument të përbashkët që do të vijojë të funksionojë, i aprovuar nga Bordi, instrument që monitoron qeverinë për të gjitha ato angazhime, që ka ndërmarrë qeveria përgjatë vitit 2017.

“Ne kalojmë në një marrëdhënie të re me FMN-në, që është monitorimi pas marrëveshjes, që do të thotë se do të vijojmë të punojmë shumë ngushtë me FMN-në, ndërsa pas zgjedhjeve, është tagri i qeverisë së re për të marrë një vendim të ri për të pasur një program të ri”, deklaroi ministri.

Sipas tij, Bordi i Fondit ka aprovuar mbylljen me sukses të programit 3-vjeçar me Shqipërinë, si dhe është thekuar edhe angazhimi serioz i autoritete për plotësimin e të gjitha reformave, të cilat u konsideruan brenda marrëveshjes me FMN-në.

“Sot kemi një rritje ekonomike të konfirmuar me 3,4 për qind të PBB-së dhe një platformë ekonomike të konsoliduar për një rritje të konsiderueshme gati 3,7 për qind gjatë vitit 2017. Kemi arritje rekord në aspektin makrofiskal duke filluar që nga deficiti buxhetor, në nivelin më të ulët rekord të 25 viteve, -2 për qind, si dhe balancën primare me një suficit 0,7 për qind”, renditi ministri.

Të gjitha këto, tha ai, janë rezultate të reformave që kemi ndërmarrë në aspektin makroekonomik e fiskal.

Por, vijoi ministri, këto janë të lidhura ngushtë me të gjitha reformat, që ka bërë qeveria në tre vitet e fundit duke nisur nga ajo e pensioneve, energjisë, menaxhimin e financave publike, reformimin e administratës tatimore dhe reformën territoriale.

Ahmetaj veçoi reformën në drejtësi duke i vënë theksin fillimit të saj me “Vetingun”.

“Me reformën në drejtësi janë të lidhura të gjitha reformat e tjera dhe fillimi i “Vetingut” është një sinjal shumë i rëndësishëm për sipërmarrjen vendase, qytetarët dhe investitorët e huaj”, u shpreh ministri shqiptar i Financave.

Po ashtu, kreu i financave publike komentoi edhe zhvillimet e fundit politike në vend, që lidhen me protestën e opozitës, duke e quajtur këtë të fundit tension politik artificial, që dëmton ekonominë, imazhin dhe reformat e vendit.

“Besoj se çdo qytetar ka të drejtën e vetë të protestojë, por në rastin konkret po tentojnë të përdorin qytetarët për motive të tyre, pastërtisht politike. Çdo lloj tensioni politik është në dëm të imazhit dhe ekonomisë së vendit”, shtoi Ahmetaj.

Në fund të javës që lamë pas, Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mbyllur edhe rishikimin përfundimtar të programit me Shqipërinë, çka përkthehet në disbursimin e 73,2 milionë eurove nga qeveria shqiptare duke e çuar huanë me këtë institucion në 377,3 milionë euro. Marrëveshja trevjeçare me FMN-në merr kështu fund zyrtarisht.



Lajme të ngjashme