Mjekët nga Turqia i bëjnë të lumtur familjet kosovare

Në kuadër të Javës së shëndetësisë Turko-Kosovare mjekë specialistë nga Turqia kanë realizuar me shumë sukses mbi 100 operacione të ndërlikuara kirurgjike në Kosovë.

Türk doktolar Kosovalılara yeni hayat veriyor.jpg
Kosova-Karadağ-Makedonya sınır anlaşması-uzmanlar.jpg
Arnavutça_Nisma për Kosovën_Fatmir Limaj.jpg
Kosova meclisi genel oturum.jpg

Mjekët specialistë nga Turqia kanë realizuar me shumë sukses mbi 100 operacione të ndërlikuara kirurgjike në Kosovë, gjatë javës së shëndetësisë turko-kosovare. Kjo ndihmë e mjekëve nga Turqia ka gëzuar shumë familjar të pacientëve duke e marrë parasysh se intervenimet e tilla nuk kanë mundur të realizojnë mjekët nga Kosova, ka thënë ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, gjatë vizitës që i bëri pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Kemi parë edhe rastin e fëmijës 5-muajsh që është hera e parë që bëjmë një intervenim të tillë te një moshë e re në Kosovë dhe shpresojmë se këto bashkëpunime do të vazhdojnë edhe më tej, sepse shkëmbimi i përvojave mes profesionistëve shëndetësorë të vendeve të ndryshme shkon në dobi gjithmonë të cilësisë së shërbimeve dhe në dobi të shëndetit të pacientëve”, ka thënë ministri.

Ekipi i mjekëve nga Turqia udhëhiqej nga Dr. Öner Güner, drejtor i përgjithshëm për marrëdhënie ndërkombëtare dhe me Bashkimin Europian në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë. Ai duke premtuar se Turqia do të vazhdojë të ndihmojë edhe në të ardhmen, theksoi se ndihen të lumtur pasi që pacientët ndihen mirë pas intervenimeve.

“Gjatë vizitës me ministrin edhe ju keni parë se të gjithë pacientët po ndihen mirë, edhe ne po ndihemi shumë të lumtur që me të vërtet ata shumë shpejt po e marrin veten, përveç këtyre vlen të theksohet se deri tash janë kryer edhe 19 koronografi”, ka thënë Guner.

***

Ministri i shëndetësisë Rrahmani falënderon mjekët turq 

Gjatë mbajtjes së javës së shëndetësisë turko-kosovare, ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë, ka pritur një delegacion zyrtar nga Turqia të udhëhequr nga Dr. Öner Güner. Ministri Rrahmani ka falënderuar ekipin nga Turqia duke vlerësuar lartë marrëdhëniet e mira midis dy shteteve në fushën e shëndetësisë.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis Kosovës e Turqisë, kanë mundësuar një bashkëpunim shumë të mirë edhe në shëndetësi midis profesionistëve, shoqatave  profesionale dhe institucioneve të dy vendeve”, tha Ministri Rrahmani.

Ministri Rrahmani tha se këmbimi i përvojave midis ekspertëve të dy vendeve rritë mundësinë e ofrimit edhe të shërbimeve që më parë nuk janë ofruar në Kosovë.

Dr. Güner tha se në shëndetësinë e Kosovë po vërehet përparim në krahasim me vendet të tjera që kanë bashkëpunime të tilla.

Ai më tej shtoi se organizimi për herë të katërt i Javës së shëndetësisë është dëshmia më e mirë e përkushtimit të Qeverisë së Turqisë në mbështetjen e zhvillimit të Kosovës.

Turqia është dëshmuar me të arriturat e saj të larta në shëndetësi, andaj besoj që ekspertët tanë do të dëshmojnë këtë me punën e tyre me kolegët kosovarë edhe gjatë kësaj jave të qëndrimit këtu si në javët e shëndetësisë të viteve të kaluara duke bërë intervenime të komplikuara dhe duke këmbyer përvojat e tyre profesionale”,- tha dr. Güner.

Ekspertë të fushave të ndryshme të shëndetësisë nga Turqia, në bashkëpunim, me mjekët nga Kosova gjatë javës kanë kryer intervenime në fushën e kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë, etj.

***

Kërkohet të zbulohen “lidhjet sekrete” të figurave të larta publike

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) po kërkon të fillojë procesi i lustracionit për figurat e larta publike dhe hapjen e dosjeve. KMDLNj propozon që ky proces të administrohet nga një komision i pavarur si dhe vlerëson se ai nuk mund të përdoret për dënime, ndëshkime apo hakmarrje individuale, politike, etnike etj.

Në një komunikatë të lëshuar për media nga KMDLNj, thuhet se Kosova, 19 vite pas përfundimit të luftës, nuk ka arritur të krijojë një standard të mirëqeverisjes shkaku se ka munguar Ligji për Lustracion si mundësi dhe domosdoshmëri që, përmes një procesi efektiv të hapjes së dosjeve, të bëhet pastrimi i figurave publike nga e kaluara e që tani janë në poste të larta publike. Për këtë arsye kurrë nuk është krijuar raporti i besimit të këtyre figurave publike. Sipas KMDLNj-së, ky proces nëse do të bëhet, atëherë do të bëjë transparent krimet nga sistemi i kaluar dhe pasojat e tyre sikur që do të sigurojë se këta që qeverisin sot apo janë bartës të posteve të larta publike e meritojnë besimin e opinionit publik në rast se procesi i lustracionit ua nxjerr të pastër figurën e tyre.

Kjo vlen për administratën shtetërore në përgjithësi duke theksuar disa segmente të veçanta në pushtetin ekzekutiv, gjyqësor dhe bartës të funksioneve të larta publike. Në letrën dërguar ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha, thuhet se nisma për ligjin duhet të rrjedhë nga shoqëria civile kurse KMDLNj, me këtë kërkesë që ua bënë vetëm sa po kontribuon në bërjen e hapit të parë në përmbylljen e një procesi shumë të ndjeshëm.

***

Kosova ka humbur territor gjatë demarkacionit me Maqedoninë, por jo edhe me Malin e Zi, thotë Komisioni i ekspertëve 

Komisioni i ekspertëve për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës, ka bërë publik draft-raportin e parë rreth gjetjeve për matjen e territorit të Kosovës.
Kryetari i komisionit, Hivzi Islami tha se madhësia territoriale e Kosovës para 25 gushtit 2015, përkatësisht nga viti 1961 deri në vitin 1981 është 10 mijë e 887 kilometra katror. Ndërsa nga viti 1982 deri në vitin 2007 është 10 mijë e 908 kilometra katror. Por, megjithatë ky territor është zvogëluar pak pas demarkacionit me Maqedoninë.
“Me demarkacionin e kufirit mes ish RSFJ-së, Serbia dhe Mali i Zi dhe Maqedonisë, ka një ndryshim të vogël të sipërfaqes në zonat kadastrale të Debëlldesë, minus, Restelicës minus, dhe Dimsës plus në kufi më Maqedoninë. Prandaj madhësia territorial e Republikës së Kosovës sot është 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë”, tha Islami.

Çakorri gjendet jashtë territorit të Republikës së Kosovës

Argumentet e deponuara nga agjencitë përkatëse të involvuara në proces, i prezantoi Tomor Qela që është zëdhënës i këtij komisioni. Qela tha se janë ofruar shumë argumente shkencore të autorëve të ndryshëm të botuar nëpër revista e në institucione të rëndësishme të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Me këtë rast përmendi publikimet e Riza Çavollit, Mark Krasniqit, Bojko Bojoviq, Marko Knezeviq, e autor të tjerë, të cilët, sipas Qelës, dëshmojnë se Çakorri dhe Bjelluha nuk kanë qenë pjesë e territorit të Kosovës.
“Argument tjetër i deponuar në sekretarinë e Komisionit, është një libër i botuar nga Grup Autorësh, në botimin e tyre ‘Natyra e Kosovës’, Prishtinë, 1985, ku paraqesin hartën e shkallës 1 me 50 mijë të Parkut Nacional Bjeshkët e Nemuna, në të cilën vërehet qartë se Çakorri gjendet jashtë territorit të Kosovës”, tha Qela.
Qela prezantoi edhe argumentet e paraqitura nga KOST-it, Agjencia Kadastrale e Kosovës, e agjenci të tjera, të cilat sipas tij, tregojnë se Kosova nuk po humbë territor me demarkacionin me Malin e Zi dhe se të gjitha hartat e publikuara para viteve ’90-a, janë të ngjashme me hartën e tanishme.


***

Ekspertët e pavarur zbulojnë humbjen e territorit me Malin e Zi

Ekspertët e pavarur, kundërshtarë të Demarakcionit, Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi, kanë prezantuar informacione dhe materiale të ndryshme, që sipas tyre konstatohet se Kosova me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi humb një pjesë të territorit të saj. Argumenti kryesor i prezantuar ishte fakti që pas nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin, në vitin 2015, Mali zi ka rritur sipërfaqen e tij territoriale në dëm të territorit të Republikës së Kosovës për më shumë se 70 kilometra katror.

Këtë fakt e paraqiti gjeografi Shpëtim Bulliqi, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës në një konferencë për media

“Duke krijuar poligonin e shtetit të Malit të Zi mbi bazën hartografike zyrtare, është arritur të vërtetohet se ky shtet, rrit sipërfaqen e tij, bazuar në vijën kufitare të demarkimit të vitit 2015-të. Bazuar në këtë, Mali i Zi do të rrit sipërfaqen e tij nga 13.812.00 km/2 sa ka pasur historikisht në 13.882.44 km/2 apo kthyer në shifër 70.44 km më shumë”, ka thënë Bulliqi.

Përderisa Kosova, prezantohet me sipërfaqe të ndryshme, në etapa të ndryshme historike , Mali i Zi historikisht është prezantuar me shifrën e njëjtë, deri në vitin 2015-të, kanë thënë ekspertët e pavarur.

***

Kryeministri Mustafa, përsërit se s’ka humbje të territorit 

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij se Kosova nuk ka humbur territor në shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Në një postim në rrjetin social, Facebook, kryeministri Mustafa, ka shkruar se “qytetarët e Kosovës, duhet të lëvizin lirshëm në vendet e Shengenit. Askush nuk ka të drejtë të pengoj këto procese as për interesa politike e as materiale. Këtë punë duhet ta bëjmë ne shqiptarët e Kosovës dhe komunitetet jo-shumicë, që nuk diktohen nga Serbia”, shkruan Mustafa.

Duke lavdëruar akademik Hivzi Islamin për punën që ka bërë, Mustafa ka thënë se komunat e Pejës, Istogut, Deçanit dhe Junikut, ia kanë konfirmuar se nuk është humbur asnjë pjesë e territorit të tyre. Ndërsa ai ka thënë se ekspertët e pavarur, kanë treguar letra të pavlera përmes të cilave siç shkruan ai, “po na maltretojnë në emër të shkencës dhe ekspertëve të pavarur”.

***

Veseli heziton të flasë nëse koalicioni i ka numrat

Krye-parlamentari Kadri Veseli ka deklaruar se kurdo që Qeveria e dërgon në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, Kryesia e Kuvendit do ta procedojë për ratifikim në seancë. Këto komente, Veseli i bëri pas mbledhjes së Kryesisë duke potencuar se ratifikimi i kësaj marrëveshje është shumë me rëndësi për Kosovën.
Veseli ka hezituar të flas nëse koalicioni qeverisës i ka numrat e nevojshëm për ratifikimin e marrëveshjes, kur dihet se opozita dhe një pjesë e deputetëve të shumicës vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë marrëveshje.
Kreu i Kuvendit ka thënë se Kosova ka nevojë të bëjë demarkimin e kufirit me të gjitha vendet fqinje, duke përfshirë edhe Serbinë, e po ashtu ka nevojë që të ketë raporte të mira me fqinjët. Kur bëhet fjalë për demarkacionin, si çështje që i hapë rrugë integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave, Veseli tha se duhet thirrur në zërin e arsyen dhe në interesin strategjik nacional.    

 
***

Nisma për Kosovën i mbushi 3 vite

Nisma për Kosovën dhe drejtuesit e saj për gjatë këtyre viteve e kanë mbajt fjalën dhe i kanë qëndruar besnik atdheut dhe kombit. Kështu u tha në tre vjetorin e themelimit të Nismës për Kosovën, në një Konventë solemne, të mbajtur në Prishtinë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, tha se Nisma për Kosovën në trevjetorin e themelimit të saj, beson edhe më fuqishëm në të ardhmen e ndritshme të shqiptarëve dhe të qytetarëve të Kosovës. Këtë shtet, duhet ta vëmë në shërbim të qytetarëve, e jo pushtetarëve, tha Krasniqi.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se Kosova ka nevojë për ata njerëz që e mbajnë fjalën dhe punojnë për të ardhmen e Kosovës. Në Kosovë, koalicioni qeverisës e ka bastarduar çështjen e të bërit politikë, tha kryetari Limaj.

***

Peticion për Ramushin, ambasadës së Francës 

Organizata ”Demokracia Studentore”, ka dorëzuar një peticion me rreth 3 mijë nënshkrime nga studentët kosovarë, në Ambasadën e Francës, në Prishtinë. Ky peticion është dorëzuar në shenjë proteste për mbajtjen e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradianj në Francë. Peticioni është pranuar nga zëvendës ambasadorja e shtetit francez, Lise Moutoumalaya, e cila u ka premtuar studentëve që atë do ta dorëzojë tek ambasadori. Ndërkohë, ish presidenti i kroat, Stipe Mesiç gjatë një vizite që i ka bërë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për Ramush Haradinaj duke shtuar se beson që ai shumë shpejtë do t’i kthehet familjes dhe vendit.

***

Hap para drejt njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale

Më shumë se tri vjet pas miratimit të ligjit, që definon statusin e viktimave të dhunuara në luftë, ekzekutivi ka përzgjedhur javën e kaluar kandidatët për anëtarë të Komisionit qeveritar për Njohjen e Statusit të tyre.

Anëtarët e Komisionit qeveritar që do ta bëjnë verifikimin dhe japin statusin e viktimave të dhunës seksuale në luftë nuk do t’i takojnë direkt viktimat që do të aplikojnë për njohjen e këtij statusi.

Për të ruajtur identitetin e viktimave, qeveria ka përzgjedhur për të mbledhur aplikacionet dhe intervistuar viktimat, organizatat e njëjta joqeveritare që kanë punuar deri më tani me gratë e dhunuara gjatë luftës.

Aplikimi për statusin viktimës do të bëhet përmes 4 organizatave dhe aplikacionet do të mund të dorëzohen edhe nga avokatët apo familjarët e tyre si dhe departamentet për viktimat e luftës nëpër komuna.

Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Medica Kosova dhe Medica Gjakova janë ngarkuar nga qeveria për t’i intervistuar dhe regjistruar aplikacionet e grave nëpër tërë territorin e Kosovës.

Deri më tani përveç Tribunalit të Hagës, vetëm dy persona janë dënuar në gjykatat e vendit për dhunim dhe në të dyja rastet të akuzuarit e nacionalitet serb u liruan nga Gjykata Supreme

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ka njoftuar se ka identifikuar mbi 100 lokacione ku supozohet se kanë ndodhur rreth 20 mijë dhunime. Megjithatë, organizatat që kanë trajtuar këto raste deri më tani kanë ofruar të dhëna për vetëm disa qindra raste.

***

Deri në 100 euro gjobë për ata që hedhin mbeturina në rrugë

Për të ngritur vetëdijen e qytetarëve në ruajtjen e ambientit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka filluar zbatimin e një udhëzimi administrativ për gjobat mandatore. Udhëzimi përfshin gjoba të larta për ndotësit e ambientit.

Zbatimi i këtij udhëzuesi administrativ i është lënë Policisë së Kosovës dhe inspektorëve komunal e mjedisorë.

Prej këtij muaj Ministria e Ambientit dhe segmentet tjera, përveç zbatimit të këtij udhëzuesi administrativ kanë filluar edhe një fushatë ndërgjegjësuese në kryeqytet dhe komunat e tjera. Ndërsa gjobat përfshijnë shuma nga 5 e deri në 100 euro për të gjithë qytetarë që hedhin mbeturina jashtë kontejnerëve.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme