Turqia e nis vitin me vrull, eksportet rriten me 15 për qind

Muaji janar ka shënuar një rritje të eksporteve me 15 për qind duke u realizuar në 10 miliardë e 528 milionë dollarë amerikanë, shifra që nënkuptojnë thyerjen e rekordit të rritjes në 49 muajt e fundit, njoftoi Asambleja e Eksportuesve të Turqisë...

Turqia e nis vitin me vrull, eksportet rriten me 15 për qind

Asambleja e Eksportuesve të Turqisë (TIM) publikoi të dhënat e para të eksportit për 2017-n, pas një viti 2016 të mbyllur me rënie.

Sipas raportit në fjalë, muaji janar ka shënuar një rritje të eksporteve me 15 për qind duke u realizuar në 10 miliardë e 528 milionë dollarë amerikanë, shifra që nënkuptojnë thyerjen e rekordit të rritjes në 49 muajt e fundit.

Eksportet turke të 12 muajve të fundit janë rritur me 1,8 për qind në krahasim me një vit më herët duke kapur vlerën totale të 143 miliardë e 588 milionë dollarëve.

Në bazë sektoriale, eksportuesi kryesor për janarin 2017 ka rezultuar automobilistika me 2 miliardë e 69 milionë dollarë, e ndjekur nga sektori i veshmbathjeve me 1 miliard e 253 milionë dollarë dhe ai i lëndëve kimike me 1 miliard e 234 milionë dollarë.

Pjesa e BE-së në eksportet kombëtare turke ka arritur në 49,9 për qind, ajo e Lindjes së Mesme në 18,2 për qind dhe e vendeve afrikane në 8,3 për qind.

Eksportet turke në Rusi janë rritur me 57 për qind, niveli më i lartë që nga kriza e avionit. Vetëm eksporti i fruta-perimeve të freskëta nga Turqia në Rusi është rritur me 27 milionë dollarë, gati sa gjysma e rritjes totale në Rusi. Nga ana tjetër, eksportet në Irak janë rritur me 42,4 për qind, kryesisht si rezultat i rritjes së stolive të çmuara, peshkimit dhe prodhimeve blegtorale.

Stambolli vijon ende të jetë qyteti më eksportues në Turqi, i ndjekur nga Bursa, Kocaeli, Izmiri dhe Gaziantepi. Ndërsa Sakarya ka demonstruar performancën më të mirë në kuadër të 20 vendeve eksportuese të para duke shënuar një rritje të eksporteve të saj me 268 për qind.



Lajme të ngjashme