Shqipëri-Mal i Zi, marrëveshje për administrimin e ujërave

Ministri shqiptar i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, zhvilloi në Podgoricë një takim me homologun malazez, Milutin Simoviç...

Shqipëri-Mal i Zi, marrëveshje për administrimin e ujërave

Marrëveshja për Menaxhimin e Ujrave, grupet e përbashkëta të punës, veterinare dhe fitosanitare për lehtësimin e shkëmbimit të mallrave mes dy vendeve dhe laboratorët e referencës, kanë qenë temat kryesore që u diskutuan gjatë takimit që ministri shqiptar i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, zhvilloi në Podgoricë, me homologun malazez, Milutin Simoviç.

Gjatë takimit, ministri Panariti deklaroi se është mjaft e rëndësishme një marrëveshje mes dy vendeve për “menaxhimin e ujrave”, firmosja e të cilës mund të bëhet në Tiranë ose Shkodër.

“Duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve tona, mendoj që për të minimizuar burokracitë përgjatë shkëmbimit të mallrave dhe lehtësimin e bizneseve të dy vendeve tona, do të ishte e udhës, që të ngremë grupe pune të përbashkëta, veterinare dhe fitosanitare, duke lehtësuar kështu dhe lëvizjet tregëtare”, theksoi Panariti.

Ministri shqiptar i Bujqësisë deklaroi gjithashtu se, është gati të ushtrojë autoritetin e tij, për të përfshirë edhe Malin e Zi në propozimet që i ka bërë ministrit Federal të Bujqësisë së Gjermanisë gjatë takimeve që ka pasur me të, në lidhje me laboratorët e referencës.

“Mali i Zi duhet të shfrytëzojë propozimin e qeverisë Gjermane, për të shfrytëzuar laboratorët e tij të referencës. Bashkëpunimi nis mes dy vendeve tona, pra Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke shërbyer si fillim i përfshirjes hap pas hapi, edhe i vendeve tjera të Ballkanit”, theksoi Panariti, duke shtuar se, “programet e përbashkëta të të dy vendeve tona, pranë institucioneve ndërkombëtare financiare, janë mjaft të rëndësishme”. Panariti e ftoi për një vizitë në Shqipëri homologun malazes, Simoviç, ftesë që u prit me kenaqësi nga ai.

Milutin Simoviç u shpreh dakord për propozimet e Panariti, duke thënë gjithashtu se ishte optimist për një intensifikim të marrëdhënieve mes dy ministrive, me qëllim zhvillimin e bujqësisë, menaxhimin e ujrave dhe çështje të tjera në interes të të dy vendeve.

Ministri Panariti ndodhej në Mal të Zi, ku mori pjesë në takimin e Ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore, në Podgoricë. Në këtë takim të SWG, për sëmundjen Bluetongue, si dhe per çështje të tjera të marrëdhënieve tregëtare me vendet kufitare.



Lajme të ngjashme