Kosova në Fondin e Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë, me fusnotë

Kosova do të marrë pjesë me fusnotë në Fondin e Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë, me të cilin synohet financimi i projekteve të vogla dhe të mesme në fusha të ndryshme.

Kosova në Fondin e Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë, me fusnotë

Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit të Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Me këtë Fond, synohet financimi i projekteve të vogla dhe të mesme, në fusha të ndryshme. Për këtë arsye anëtarët e opozitës në Komisionin për Punë të Jashtme kërkuan që Kosova të mos përulet kundrejt Serbisë, në një marrëveshje ku fondet janë të vogla. Selia e Fondit do të jetë në Shqipëri dhe kjo duhet shfrytëzuar sipas anëtares nga Vetëvendosje Puhie Demaku.

“Është një marrëveshje ku edhe Shqipëria ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, rol kyç madje, do të mund të kishte ushtruar një trysni, e nëse Serbisë kjo nuk i pëlqen, lë të tërhiqet Serbia nga kjo marrëveshje, e jo Kosova të mangësojë vetveten e të pranojë të përfaqësohet me fusnotë në një nismë që ajo po e themelon vet”, tha Demaku.

Edhe Zafir Berisha nga Nisma si dhe Pal Lekaj nga AAK u shprehën kundër pjesëmarrjes me fusnotë. Mirëpo Ismet Beqiri nga LDK si dhe Blerta Deliu Kodra nga PDK theksuan se proceset e integrimeve evropiane janë më të rëndësishme. Për miratim dhe ruajtjen e aleancave me shtetet mike u shpreh edhe kryetari i Komisionit Elmi Reqica.

“Janë duke ndodhë ri-konfigurime, janë duke ndodhë situata të ndryshme, është duke u rikthyer lufta e ftohtë por në një variant pak më të ashpër dhe pikërisht këtë e kemi pa tash në rastin e trenit, dhe pozicionimet, jo vetëm tonit por edhe shteteve mike e kundërshtare tona”, u shpreh ai.

Reqica tha se do të bëjnë përpjekje maksimale ta heqin fusnotën, por Kosova duhet të jetë pjesë e marrëveshjes. Ai u shpreh i shqetësuar me situatën aktuale politike në botë.

“Pas luftës së dytë botërore situatë më e acaruar nuk ka ndodhë... dhe ne jemi të pozicionuar qartë, ne duhet të notojmë lumit teposhtë, boll kemi notua lumit përpjetë... ne prej Rambujes e tutje sa i përket diplomacisë, kemi notua lumit te poshtë dhe kemi krijua aleanca dhe duhet me i ruajt ato Aleanca.”

Fondi i Ballkanit Perëndimor (FBP) është një platformë bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ku marrin pjesë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia, e ngritur sipas modelit të suksesshëm të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit. Fondi është iniciativa e parë rajonale me qendër në kryeqytetin e Shqipërisë. Zyrat e Fondit do të jenë në Tiranë dhe Drejtori i parë Ekzekutiv i organizatës do të jetë një diplomat shqiptar me eksperiencë në fushën e iniciativave rajonale

***

Kërkohet dorëheqja e ambasadores Alma Lama

Komisioni për Punë të Jashtme ka diskutuar edhe për rastin e ambasadores së Republikës së Kosovës në Romë, Alma Lama.

Puhie Demaku, nga Vetëvendosje, tha se gjuha e saj ofenduese ndaj gazetarit të KTV-së Xhemajl Rexha, duhet të sanksionohet njëjtë sikur ish ambasadori në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti, i cili ishte shkarkuar pasi kishte ofenduar ish-kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha

“Rasti i saj për mua nuk ka qenë befasi sepse edhe në raportin që e kemi hartua kur është intervistuar, kam thënë se ajo në komision ka shpërfaq një temperament të pakontrolluar, sjellje të pahijshme të cilat nuk i përkojnë karakterit të një ambasadori dhe një shpirt tepër idhnak. Dhe kjo është demonstrua disa herë, qëndrimet e saj në Facebook kanë vazhduar... duke publikuar kohë pas kohe statuse kur i ofendon deputetët”, ka potencuar Demaku.

Edhe Zafir Berisha nga Nisma kërkoi shkarkimin e ambasadores Lama. Kurse kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reqica, tha se duhet pritur vendimin e Komisionit Disiplinor.

“Ministria e jashtme e ka krijuar një komision disiplinor për rastin e ambasadores Lama dhe ne po e presim çfarë mesazhi do të del ai, se s’kemi kompetencë tjetër”, është shprehur Reqica.

Kurse të gjithë u pajtuan me propozimin e dytë të deputetes Demaku, që në Komision të raportojë dikush nga ministria e Punëve të Jashtme, për të diskutuar çështjen e shërbimit të jashtëm.

***

Nivelizohen pagat nga buxheti i Kosovës

Projektligj për paga në sektorin publik që pritet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, nuk do t’ua ulë pagat atyre që marrin rrogë nga buxheti i shtetit, ka thënë ministri i Financave, Avdullah Hoti.

“Nëse krahasojmë buxhetin për paga të vitit 2017 me atë 2104 të qeverisë paraprake, është rritur për 83 milionë euro, për 17% më shumë. Prandaj nuk ka asnjë kuptim, asnjë logjikë për çfarëdo supozimi që pagat mund të zvogëlohen në Kosovë”, ka thënë Hoti.

Atë çka e bën ky ligj, sipas ministrit Hoti, është harmonizimi brenda sektorit publik sa i përket pagave. Ai e mori një shembull nga sistemi i trashëguar i pagave, kur një zyrtar që kryen punë të njëjtë, ka diferencë të madhe të pagës.

“Cilido zyrtar i njëjtë ligjor, duhet të ketë pagë të njëjtë pavarësisht në cilin institucion punon, ndërsa për momentin ka diferenca shumë të mëdha. P.sh. një zyrtar i tillë merr një pagë prej 520 euro në Ministrinë e Financave, merr 800 eu në një institucion tjetër publik, e shkon deri në 1200 eu nëpër agjenci dhe rregullator që janë të pavarura. I njëjti zyrtar, qoftë ai ligjor, financiar ose zyrtar tjetër. Nuk mund të tolerojmë një situatë të tillë dhe ky ligj rregullon në detaje këtë çështje”, potencoi Hoti.

Qeveria e Kosovës në fakt, siç tha ministri i Financave, Avdullah Hoti, po përgatitet për një rritje të mundshme të pagave në periudhën e ardhshme.

***

Pakoja e Re Fiskale, objektivë e ministrisë së Financave

Objektivë kryesore e Ministrisë së Financave gjatë këtij viti është Pakoja e Re Fiskale, e cila në parim është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar në qeveri, ka thënë ministri i Financave Avdullah Hoti.

 “E para është Pakoja Fiskale e cila në parim është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar në qeveri dhe ne tani jemi duke diskutua gjerësisht me shoqata, oda ekonomike etj për të marrë edhe propozimet e tyre para se të kthehemi në qeveri ta miratojmë këtë pako fiskale me afate kohore dhe me institucione përgjegjëse që duhet të zbatojnë këtë pako fiskale”, u shpreh ai.

Hoti theksoi se janë marrë propozime shumë të mira nga Odat ekonomike dhe lista do të plotësohet me masa të tjera të cilat do ti bëjnë të ditura në fund të janarit. Objektivë me rëndësi po ashtu është krijimi i agjencisë së të hyrave për tatime e dogana të Kosovës, që është hapi i parë drejt kalimit të mbledhjes së TVSH-së brenda.

***

Gërxhaliu kërkon përfitim intern dhe ekstern nga Pakoja Fiskale

Në lidhje me Pakon e Re Fiskale, ministri i Financave, Avdullah Hoti ka mbajtur një takim me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës si dhe me përfaqësues të bizneseve. Ministri Hoti ka prezantuar masat e nxjerra nga grupi punues i kësaj ministrie dhe masat tjera të propozuara nga Oda Ekonomike e Kosovës.

”E para është zgjerimi i listës së lëndëve të para që lirohen nga tatimi doganor, e dyta është heqja e normës së akcizës në mazut që përdoret për qëllime prodhimi, e treta është ndryshimi dhe plotësimi i listës së produkteve që i nënshtrohen normës së reduktuar të TVSh-së, prej 0 ose prej 8 për-qind, e katërta Udhëzimi Administrativ për pushimet tatimore që buron nga ligji për të ardhurat e korporatave”, theksoi ministri.

Hoti përmendi edhe masat e tjera që janë akti legjislativ i kërkuar nga OEK për banderolat në produktet e miellit, pastaj akti legjislativ për humbjen në peshë të disa produkteve dhe pika e shtatë është krijimi i kodeve të reja të disa produkteve.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safët Gërxhaliu shtroi katër propozim – rekomandimet për Pakon e re Fiskale, duke i ndërlidhur si zakonisht me përfitimet në aspektin intern dhe ekstern.

***

Risi, pagesa e tatimit në pronë edhe nga shtëpia

Qytetarët e Kosovës pagesën e tatimit në pronë mund ta bëjnë edhe nga shtëpia, duke përdorur Web faqen e tatimit në pronë. Se sa lehtë bëhet kjo, e demonstroi vetë ministri i Financave, Avdullah Hoti. Risitë, sipas ministrit, Hoti, realizohen në kuadër të reformave në sistemin e tatimit në pronë, përmes projektit Protax2

“Është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Përmes këtij projekti kemi marrë mbështetje me  rreth 5 milionë euro nga qeveria suedeze përmes “Sida”, ndërsa si MF kemi kontribuar me 350 mijë euro”, theksoi ministri.

Ndër objektivë e këtij projekti është miratimi i Ligjit të Tatimit në Pronë, i cili është diskutuar gjerësisht me komunat, tha më tej ministri, Hoti.

“Tani e kemi draftin e plotë të këtij ligji dhe unë besoj që deri në fund të janarit ose në fillim të shkurtit do ta dorëzojmë në qeveri për miratim dhe pastaj në procedura të kuvendit.”

Përmes projektit në fjalë, janë më shumë se dy milionë parcela që janë futur në sistemin e tatimit në pronë. Sistemi mundëson përcaktimin e vlerës së tokës përmes kategorizimit të tokës në bujqësore, pyjore, për banim, komerciale dhe industriale. Kurse përfaqësuesi i Agjencisë Kadastrale të Suedisë, Göran Paulsson, theksoi se projekti në fjalë është më i rëndësishmi në kuadër të përkrahjes që e bën  qeveria suedeze ndaj Kosovës.

***

Shtatëmbëdhjetë vite arkëtim tatimesh në Kosovë

Në shënimin e 17 vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, u shpreh se ATK është një nga institucionet më të rëndësishme në Kosovë. Ai theksoi sukseset e vazhdueshme të administratës me ç’rast, gjatë vitit 2016 ka pas 16% të hyra më të larta krahasuar me vitin 2015.

”Për ne është një tregues shumë i rëndësishëm edhe ulja e vazhdueshme e evazionit fiskal në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe Veriun e Kosovës, ka thënë kryeministri.

Ndërkaq, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, gjatë fjalimit për historikun e ATK-së, tha se prioritet i tyre mbetet luftimi i ekonomisë jo-formale. Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, konsideron se Administrata Tatimore e Kosovës po rritet bashkë me shtetin e Kosovës.

***

Takim i nivelit të lartë mes Kosovës e Serbisë

Përfaqësuesja e lartë e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka thirrur për 24 janar një takim me kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë. Takimi në kuadër të Dialogut për normalizim marrëdhëniesh është thirrur pas rritjes së tensioneve të  fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka deklaruar se në takimet e radhës që do të mbahen në Bruksel, delegacioni i Republikës së Kosovës do të përbëhet nga Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Isa Mustafa.

Nga ana tjetër, Serbia do të përfaqësohet po ashtu në nivelin më të lartë. Përveç Kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuciq, në takim do të marrë pjesë edhe Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq.

***

Mustafa i fton ministrat serbë

Kryeministri, Isa Mustafa, në mbledhjen e qeverisë ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend. Ai ftoi serbët e Kosovës që të kthehen në institucionet e Kosovës për të punuar bashkërisht për të ardhmen e qytetarëve të vendit.
“I ftoj edhe njëherë ministrat serbë të kthehen në Qeveri, por ata ministra, të cilët e respektojnë kushtetutën, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Po ashtu, thërras pushtetin lokal të Komunës veriore të Mitrovicës për zbatimin e ligjit rreth murit të ndërtuar pa leje”, tha Mustafa.

Mustafa tha se nëse pushteti lokal në veri nuk e respekton ligjin, qeveria do të marrë masa ligjore. Ai foli edhe për dialogun me Serbinë, si dhe për ngjarjet e fundit.

“Dua të konkludoj se qytetarët e Kosovës nuk do të ndahen me mure, por do të bashkohen me ura, Ramush Haradinaj nuk do të ekstradohet në Serbi, por do të kthehet në Kosovë dhe, trenat do të mund të hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe nga Kosova në Serbi, duke respektuar në mënyrë të dyanshme rregullat e lëvizjes së mallrave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”, u shpreh Kryeministri Mustafa.
Ai i ftoi partitë opozitare, shoqërinë civile dhe mediat që të punojnë bashkërisht me institucionet për avancimin e demokracisë, ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe paqes, në mënyrë që të evitohen me çdo kusht provokimet qëllim këqija.

***

Opozita kritikon qeverinë për mungesë vullneti për të përmirësuar situatën në veri

Gjatë javës është mbajtur edhe Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku u shprehën shqetësime për situatën në veri. Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se zmbrapsja e trenit të Serbisë tregoi se mungesa e sundimit të ligjit në veri, nuk paska qenë mungesë e gatishmërisë, guximit apo profesionalizmit të institucioneve të sigurisë, e as pengesë e bashkësisë ndërkombëtare.
“Mungesa jonë atje dhe prania e Serbisë në veri po del që paska qenë më së shumti mungesë e vullnetit dhe strategjisë nga ana e udhëheqësve të Kosovës. Qëndrimi i NATO-s, dhe ai amerikan, tregon qartë se zbatimi i ligjit dhe kushtetutshmërisë në çdo cep të Kosovës nuk pengohet asnjëherë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Konjufca.
Përkundër akuzave nga opozita për koalicionin qeverisës për gjendjen në veri, deputetët e tjerë nga pozita nuk folën për këtë çështje.

***

Kërkohet dorëheqja e ministrit të Arsimit 

Pas gjendjes jo të mirë në arsimin e Kosovës, kërkohet dorëheqja e ministrit të  Arsimit, Arsim Bajrami. Gjatë fjalimit të tij në interpelancë gjatë seancës së Kuvendit, Bajrami përmendi disa probleme me të cilat ballafaqohet arsimi në vend, ndërsa prezantoi planin 10 pikësh të ministrisë për përmirësimin e gjendjes në arsim. Kërkuesi i kësaj interpelance, Ismajl Kurteshi, kërkoi që ata që e sollën arsimin në këtë gjendje, të largohen nga postet e tyre.

***

Nuk u hap ura e Ibrit sipas marrëveshjes së Brukselit

Ura kryesore mbi Lumin “Ibër” në Mitrovicë, nuk është lëshuar për qarkullim më 20 janar, ashtu edhe siç ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit. Hapja e kësaj ure është shtyrë pas ndërtimit të murit në anën veriore të urës. Ndonëse ishte e garantuar me marrëveshje të Brukselit që ura kryesore mbi Lumin Ibër të lëshohet për qarkullim më 20 janar, kjo nuk ndodhi. Ndërtimi i një muri në pjesën veriore të urës, i ka pezulluar punimet në rivitalizimin e saj. Për këtë, zyrtarët shtetëror të Kosovës, kanë akuzuar direkt Beogradin.

Një Rezolutë e miratuar në Kuvendin e Kosovës, urdhëroi që deri më 31 janar të rrëzohet muri.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka thënë se muri do të rrëzohet pas datës 31 janar.

***

Ndotja alarmante e ajrit në Kosovë 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konstaton se ndotja e ajrit është e rrezikshme dhe brengosëse. Ndërkaq, ka kërkuar nga Institucionet e vendit që urgjentisht të merren masat për pengimin e ndotjes. Ministria e Ambientit thotë se 2015-ta ishte më keq sesa 2016-ta. Kurse zyrtarë të BE-së, thonë se vetëm strategjitë nuk mjaftojnë për përmirësimin e situatës.

***

Demonstrim në mbështetje të Ramush Haradinajt

Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën e organizuar të shtunën nga Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbështetje të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili megjithëse është liruar nga burgu, vazhdon të mbahet në Francë. Në protestën e mbajtur në Prishtinë, kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, u bëri thirrje autoriteteve franceze që të heqin dorë nga aktakuzat të cilat ngrihen nga Serbia, në drejtim të pjesëtarëve të UCK-së.

Kurse lideri i “Nisma për Kosovë”, Fatmir Limaj tha se ai dhe Haradinaj gjithmonë i janë përgjigjur drejtësisë kur u është kërkuar, pavarësisht a ka qenë e drejtë apo e padrejtë dhe e montuar politikisht.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme