Shqipëria dhe Kosova intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me produkte konkrete

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, Ferat Shala janë takuar në Tiranë për të vendosur piketat e bashkëpunimit për vitin 2017, në fushat që dy ministritë mbulojnë.

Shqipëria dhe Kosova  intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me produkte konkrete

Shqipëria dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me produkte konkrete në fushën e planifikimit të territorit, në nivel kombëtar e vendor, strehimit, legalizimit dhe standardeve urbane.

Këtë qëndrim kanë ndarë ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe ministrin në detyrë të Ministrisë së Mjedisit  dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, Ferat Shala, gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë, në kuadër të zbatimit të memorandumit të mirëkuptimit nënshkruar ndërmjet dy ministrive më 15 prill 2014.

Ministrat dhe delegacionet që i shoqëronin, ranë dakord mbi piketat e bashkëpunimit për vitin 2017, në fushat që dy ministritë mbulojnë.

“Produkti konkret do të jetë krijimi i një plani veprimi të përbashkët me qëllim zbatimin e projekteve ndërkufitare.

Sa i takon planifikimit hapësinor një angazhim i ndërmarrë sot për t’u realizuar përgjatë vitit 2017 është dhe shkëmbimi i eksperiencës dhe procesit model që është ndërtuar tashmë në kuadër të hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore. Angazhimi ynë që të rakordojmë një plan veprimi me projekte konkrete me qëllim zhvillimin e potencialeve të zonave ndërkufitare dhe integrimin e qasjeve të përbashkëta.

Strehimi është sektori që ka nevojë për më shumë intensitet në shkëmbimin e eksperiencave, veçanërisht për partneritetin  publik – privat, pas strategjisë 10 vjeçare dhe draft-ligjit të ri të strehimit që ne kemi hartuar”, tha ministrja Gjermeni gjatë konferencës për shtyp pas takimit.

Ministri Shala vlerësoi bashkëpunimin me ministren Gjermeni dhe MZHU për realizimin e projekteve ndërkufitare, të unifikimit të euro kodeve etj.

“Po krijojmë një agjendë produktesh me afate të sakta kohore në disa sektorë, sidomos për legalizimin, çështje kjo që për ne në Kosovë kërkon një vëmendje të posaçme. Kemi gjetur frymë pozitive dhe jam optimist se shumë shpejt do të ndajmë me qytetarët fryte konkrete të bashkëpunimit”, deklaroi ministri Shala.

Pala kosovare tregoi interes për tu mbështetur në eksperiencën e MZHU lidhur me sistemin on-line për lejet e ndërtimit që ka nisur të aplikohet me sukses në Shqipëri që prej shtatorit të vitit të kaluar.

Një tjetër pikë e rëndësishme e takimit ishte aplikimi me projekte të përbashkëta në kuadër të Programit IPA II Bashkëpunim Ndërkufitar Shqipëri –Kosovë 2014-2020.

Takimi  i parë i përbashkët me grupet e punës respektive, do të organizohet shumë shpejt në Prizren, në të cilin është parashikuar edhe një sesion informues gjatë javës së parë të shkurtit nga inistria e Integrimit Europian  dhe Delegacioni Europian.

Ministri i Mjedisit  dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, Ferat Shala dhe delegacioni që e shoqëron atë kanë mbërritur në Tiranë me ftesë të Ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben Halluni, Shqipëri -



Lajme të ngjashme