Kryeministri Mustafa i kënaqur me rezultatet e vitit 2016

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka vlerësuar se Qeveria e drejtuar prej tij ka arritur suksese të jashtëzakonshme në vitin 2016.

642250
Kryeministri Mustafa i kënaqur me rezultatet e vitit 2016

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka vlerësuar se Qeveria e Republikës së Kosovës në vitin 2016 ka arritur suksese të jashtëzakonshme, jo vetëm karshi situatës me të cilën është ballafaquar, por edhe karshi sfidave të cilat kanë qenë. Në konferencën e fund-vitit, Mustafa ka thënë se këtë e mbështet me fakte, që janë rritja ekonomike më e larta në rajon për dy vite me radhë apo buxheti më i lartë në histori të Kosovës, mbi 2 miliardë euro.

Kryeministri Mustafa potencoi edhe sipas tij uljen rekorde të papunësisë nga 35% në vitin 2014, në 26 % në vitin 2016, edhe pse shumica në Kosovë pajtohen se nuk ka statistika të sakta dhe të besueshme.

Kryeministri Mustafa përmendi si suksese edhe nënshkrimin e MSA-së, përmbushjen e kritereve dhe marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave, marrjen e kodit telefonik, rritjen më të madhe të pensioneve dhe përkrahjes sociale që ka ndodhur ndonjëherë, deri në 70% për pensionet, adresimin e çështjes së veteranëve, e cila është zgjidhur pas 17 viteve, pastaj anëtarësimin në UEFA dhe FIFA etj.

“Kemi një rritje të fuqishme të zhvillimit ekonomik, kemi fuqizim të sektorit privat, është miratuar ligji për Trepçën, është rritur ndjeshëm përkrahja për bujqit, është punuar fuqishëm në përfundimin e rrugës për Shkup, është punuar në Autostradën për Pejë e Mitrovicë, dhe planifikojmë të nisim punët në ndërtimin e autostradës për Gjilan e Podujevë”, tha Mustafa.

Kryeministri përmendi si suksese edhe dy njohje ndërkombëtare.

“Në politikën e jashtme kemi fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, jemi njohur nga Surinami e Singapuri.”

Kryeministri Mustafa theksoi edhe përkushtimin për përgatitjen e legjislacionit dhe fuqizimin e sektorit të drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ngritjen e kapaciteteve të FSK-së. Por, ai pranoi se gjatë vitit 2016 ka pasur edhe shumë sfida.
“Me keqardhje më duhet të përmendi mungesën e koncensusit në nivel parlamenti për tejkalimin e demarkacionit e cila po ndodhë për shkak të një kauze politike dhe unë e konsiderojë krejtësisht për përfitime elektorale. Qytetarët e Kosovës sot nuk kanë mundësi të lëvizin pa viza pikërisht për shkak të këtyre interesave personale dhe unë mendoj se kjo mbetet pikë e zezë në politikbërjen 17-vjeçare në Kosovë”, tha Mustafa.

Megjithatë, Mustafa theksoi se përkundër kësaj Qeveria do të vazhdojë të angazhohet që demarkacioni të kalojë në fillim të vitit 2017 dhe të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, pasi që sipas tij të gjitha kriteret tjera janë përmbushur me përpikëri ashtu siç është kërkuar. 

Në arsim, sipas kryeministrit, po kompletohet në tërësi infrastruktura dhe tashmë janë të fokusuar krejtësisht në ngritjen e kualitetit të mësimdhënies dhe mësim-nxënies në të gjitha nivelet. Për vlerësimin e Pisa-së, kryeministri tha se e ka kërkuar vetë këtë vlerësim, për të mësuar se ku ndodhemi në këtë aspekt, sa I përket cilësisë së arsimit.

“Tani e kemi një pasqyrë shumë të qartë të fushave në të cilat duhet të bëjmë përmirësime në periudhën e ardhshme dhe do të orientojmë të gjitha energjitë që të përmirësojmë cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet”, tha Mustafa. 

***

Inaugurohet objekti qeveritar i Kosovës në Mitrovicën veriore

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka inauguruar objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në komunën veriore të Mitrovicës. Ky proces shënon shtrirjen dhe konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit, thuhet në një komunikatë nga qeveria.
“Objekti i Qeverisë së Republikës së Kosovës të cilin e inauguruam gjendet në komunën veriore të Mitrovicës. I bëra vizitë objektit të qeverisë dhe vlerësoj se kushtet e punës janë përgatitur mjaft mirë nga ana e Ministrisë së Administratës Publike”, ka thënë ministrja Tahiri.

Në këtë objekt do t’i kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushë veprimtari lokale si Ministria e Administratës Publike, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Kulturës Rinisë e Sportit, Ministria e Tregtisë e Industrisë etj. Poashtu aty zyre do të kenë edhe Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia e Statistikave, Agjencia e Kadastrave, Agjencia e Arkivave etj.

“Gjithsejtë do të punojnë 105 zyrtar të punësuar në këto institucione”, theksoi ministrja Tahiri.

Po ashtu në Mitrovicë, ministrja Tahiri ka mbajtur takim me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që kanë filluar punën në komunën e Mitrovicës veriore.

Ndryshe, edhe një objekt tjetër i Qeverisë së Kosovës do të hapet pas vitit të ri në komunën e Zubin Potokut dhe një tjetër në Leposaviq me të cilët do të plotësohet progresi në shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të vendit i cili është i një rëndësie strategjike. 

***

Apeli thotë se gjykata e Kosovës ka juridiksion ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit

Gjykata e Apelit e ka prishur aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për rastin aferës me pasaporta të Kosovës.

Kompania austriake Osterreichische Staatdruckerei GMBH (Osterrajhishe Shtatdrukerai GMBH) e kishte fituar kontestin në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe Kosova ishte detyruar që t’ia paguante afër 5 milionë euro lidhur me aferën e pasaportave.

Por, Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur që ta kthejë këtë çështje në rigjykim, duke nxjerrë kështu një vendim në favor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ka bërë ankesë.
Përmes një njoftimi, Gjykata e Apelit bën të ditur se më 15 dhjetor e ka prishur aktvendimin  e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 16 tetor 2016, me anë të së cilit, kjo e fundit e ka hedhur poshtë padinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kundër të paditurve: Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit me seli në Paris të Francës si dhe Osterreichische Staatdruckerei GMBH, me seli në Vjenë të Austrisë.
Qeveria e Kosovës me anë të kësaj padie kishte kërkuar që të shqyrtohet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit lidhur me kompetencën e kësaj gjykate për të vendosur në kontestin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Osterreichische Staatdruckerei GMBH, duke propozuar anulimin e tij.
Në këtë rast, në njoftimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se Departamenti i Çështjeve Ekonomike i kësaj gjykate, ka vendosur që kjo çështje të kthehet në rigjykim, pasi që ka gjetur shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe të drejtës materiale.
Gjykata e Apelit në njoftimin e saj bën të ditur se ka konstatuar se pretendimet e gjykatës së shkallës së parë, se gjykatat vendore janë kompetente për të vendosur vetëm lidhur me vendimet e arbitrazhit vendor dhe jo atij të huaj, nuk qëndrojnë, pasi ligji nuk  parasheh një dallim të tillë.
Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e Kosovës ka juridiksion të vlerësojë ekzistimin e klauzolës për arbitrazh. Kjo kompetencë, sipas saj, buron nga Neni 14.5 i Ligjit të Kosovës për Arbitrazhin, i cili ligj është në përputhje të plotë me Konventën e Nju –Jorkut, të viti 1958 dhe Ligjin Model UNCITRAL mbi Arbitrazhin komercial ndërkombëtar.

***

Projektligji për Haden shkon në Kuvend

Ka kaluar Projektligji për banorët e Hades në komisionin për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor. Por pavarësisht kësaj ballafaqimet dhe mos pajtimet e anëtarëve të komisionit ishin të pranishme.

Në fillim të mbledhjes, kryetarja e komisionit Duda Balje, ka paraqitur kërkesën e banorëve të fshatit Hade, që të zgjidhet problemi i tyre, duke propozuar që të nxirret një ligj për Haden. Përkrahje për këtë dha deputeti Adem Salihaj nga LDK.

“Kushtet për jetë janë të padurueshme, ndotja është në të gjitha aspektet, pra edhe nga tymi, edhe nga pluhuri, edhe nga zhurma dhe nuk mund të bëjnë një jetë të qetë, as një gjumë të qetë, kështu që mendoj se duhet të nxjerrim një ligj të shkurt, konciz që i parasheh të gjitha mënyrat e zgjidhjes së problemit”, tha Salihaj.  

Mirëpo, anëtari i komisionit Shaip Muja kritikoi formën e kërkuar të nxjerrjes së këtij ligji.

“Është joserioze me iu ofru qytetarëve të Hades edhe është  mirë mos me u sjellë ju si OJQ, por si deputet. Edhe mos me luajt me ndjenjat e këtyre fshatarëve sepse ata kanë probleme serioze. Unë nuk hyjë në kësi lojëra, edhe nuk lëshohen në këso premtimesh edhe nuk du me qenë objekt i pajtimit i cili ata mendojnë se na ia zgjidhëm situatën. Prandaj unë iu lus me kuptu seriozisht”, theksoi Muja.

Anëtarët e komisionit nga opozita theksuan se qeveria nuk ka vullnet politik për zgjidhur problemin e banorëve të fshatit Hade.  Megjithatë, pas  shumë diskutimesh, ligji mori votat e nevojshme për të kaluar në Kuvend. Ndryshe, banorët e fshatit Hade ka kohë që po kërkojnë zhvendosjen nga ai vend, për shkak të ndotjes së ambientit nga mihjet sipërfaqësore për nevojat e Termocentralit.

***

Ministri i Arsimit e paska ditur rezultatin nga testi “Pisa”

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami është kritikuar shumë për rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin e PISA-së, sa që është kërkuar edhe dorëheqja e tij. Mirëpo, në konferencën e fund-vitit me gazetarë, ai e ka vlerësuar të suksesshëm vitin 2016, duke konsideruar se ka punuar për ngritjen e cilësisë.

Ministri Bajrami poashtu u shpreh se as në testin e radhës të PISA-s, nuk pret mrekulli. Megjithatë ai premton rritje të cilësisë. Ai vuri në theks se nuk ka qenë i befasuar me vlerësimin e PISA-s.

“Është dashtë të ndodhë Pisa dhe ajo ka ndodhë në muajin prill të vitit 2015, rezultatet i morëm me një vit e gjysmë vonesë. Por ne nuk kemi pritë rezultatet sepse nga fillimi kishim vlerësimin e saktë dhe kemi fillua me riparua. Gjetja e fajtorëve është një proces i përgjegjshëm, sepse ka shumë fajtorë. Filluar nga kurrikulat, eksperimentimet, roli pasiv i familjeve, neglizhenca e mësimdhënësve, tekstet jo të mira dhe të gjitha këto ne i kemi trajtuar”, tha ai.

Ministri Bajrami vuri në theks se presin që gjatë viti të 2017 të bëhen pjesë e Bolonjës. Sipas tij janë dy kushte: anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimi në Konventën Kulturore Evropiane.

***

Kryetari i LDK-së kërkon të mos votohen të padëgjueshmit

Kruetari i LDK-së, njëherit kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka akuzuar deputetët kundërshtues të demarkacionit për mos-liberalizim të vizave. Ai në Kuvendin zgjedhor të Forumit të Rinisë së LDK-së, poashtu kërkoi që në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm të ketë kryetarë të komunave e deputet të përgjegjshëm ndaj politikave të LDK-së.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se qytetarët e Kosovës i kanë plotësuar kushtet për të udhëtuar pa vizë. Prandaj sipas tij askush nuk ka të drejtë të mbajë peng procesin e liberalizimit të vizave.

“Askush nuk ka të drejtë të pengojë shndërrimin e kufijve të vendit në kufij shtetëror ndërkombëtar, as për motive e interesa personale e as duke u thirrur në kujtesa historike. Unë i pyes disa deputetë kundërshtues nga ky vend, se me çfarë të drejte ju mbajnë juve të izoluar, me çfarë të drejte ju detyrojnë të prisni edhe me nga gjashtë muaj para dyerve të ambasadave për të marrë një vizë”, potencoi kryetari.

Kryeministri vazhdoi duke kritikuar për pengesat që po bëhen drejt liberalizimit të vizave, duke pyetur se me çfarë të drejte po privohen të rinjtë të vizitojnë prindërit e familjarët e tyre në vendet perëndimore. 

Ai në Kuvendin zgjedhor i Forumit të Rinisë së LDK-së, njëherit kërkoi që në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm të ketë kryetarë të komunave e deputet të përgjegjshëm ndaj LDK-së, duke kërkuar në këtë mënyrë të mos votohen deputetët të cilët kanë mbajtur qëndrim kundërshtues ndaj politikave të tij.

“Qysh tani duhet të fillojmë të mendojmë kush do të jenë kandidatët për deputet të LDK-së, në zgjedhjet e vitit 2018, kush janë ata që do të zënë vendet në ulëset e parlamentit të Kosovës. Prandaj të gjithë ne duhet të punojmë bashkë që të kemi një grup parlamentar të përgjegjshëm ndaj LDK-së, ndaj votës së qytetarëve dhe ndaj realizimit të programit politik të LDK-së dhe politikave të LDK-së, jo individë që ndjekin agjenda personale që nuk respektojnë partinë e as votën që ua ka siguruar LDK”, theksoi Mustafa.

Kryeministri i Kosovës njëherit kryetari i LDK-së në fund theksoi se Kosova ende është në fazën e shtet-ndërtimit, prandaj ka nevojë për unitet jo vetëm brenda LDK-së por edhe ndërmjet grupeve parlamentare të pozitës e të opozitës, për të kapërcyer disa sfida shumë të rëndësishme.

 - Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme