P/ligji për buxhetin e Kosovës pas shumë debateve, shkon në Kuvend

Është proceduar për në Kuvendin e Kosovës, projektligji për vitin 2017, megjithë kritikat e shumta nga anëtarë të Komisionit për Buxhet.

P/ligji për buxhetin e Kosovës pas shumë debateve, shkon në Kuvend

Sipas projektbuxhetit, të hyrat e rregullta për vitin e ardhshëm janë planifikuar të jenë 1 miliardë e 725 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 6% në raport me këtë vit. Kurse shpenzimet në vlerë prej 2 miliardë e 1 milionë euro, njoftoi ministri Avdullah Hoti. Por anëtarët e komisionit në përjashtim të LDK-së potencuan se buxheti nuk është zhvillimor por elektoral. Safete Hadërxhonaj që vjen nga radhët e PDK-së, e mori një shembull.

“Kam parë planifikime këtu z. ministër sot, ministri i infrastrukturës është në Deçan duke përuruar trasenë e parë të rrugës Deçan-kufiri me Malin e Zi, dhe e shikova bile sot këtë projekt këtu në buxhet dhe e pash që janë të planifikuar vetëm 50 mijë euro. A nuk është absurd i llojit të vet kjo çështje?”

Shqipe Pantina nga Vetëvendosje tha se me projektbuxhet janë planifikuar rreth 50 projekte elektorale infrastrukturore, por që pasi planifikohen të përfundojnë pas disa vitesh, qeveria e tanishme po e fut në borxhe qeverinë e ardhshme.

“Nëse nuk janë zgjedhjet vitin tjetër, qysh po duket se janë, ato në 2018 sigurt. Që do të thotë se pastaj do të vije një qeveri e re e cila ndoshta nuk e ka prioritet asfaltin, mund ta ketë arsimin, shëndetësinë e fushat e tjera. Ju qeveritë e ardhshme po i fusni në borxhe.”

Edhe anëtari i Nisma’s Enver Hoti u ndal te çështja e projekteve infrastrukturore që kushtojnë me qindra mijëra euro, por që vitin e ardhshëm pritet të nisin me shumë më pak mjete.

“E kanë qitë p.sh. një rrugë atje që kushton 400 mijë euro që  duhet me u kry diku në vitin 2019 ose 2020, i kanë ndarë rreth 20 mijë euro tash shkon atje fukaraje të shkretë të cilët i kanë lënë në baltë që 15 vjet, iu ka bërë gropa deri në gjunjë, tash shkon ministrat atje edhe i mashtrojnë.”

Kurse Besa Gaxheri e LDK-së ishte e vetmja më e zëshmja e cila theksoi se projektbuxheti është zhvillimor.

“Për herë të parë ne kemi në shqyrtim buxhet zhvillimor dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Paga ka rritje vetëm 3%, shpenzime operative vetëm 8%, subvencione e transfere vetëm 1.7% ndërsa investime kapitale 45%. Kjo i thotë të gjitha.”

Nga ana tjetër, edhe anëtari tjetër i PDK-së Shukri Buja njëjtë sikur kolegia e saj partiake Hadërxhonaj kritikoi projektbuxhetin. Por Hadërxhonaj për dallim nga Buja votoi pro procedimit në Kuvend. Kundër përveç Bujës, votuan edhe Pantina e Vetëvendosjes si dhe Hoti i Nismës. 5 anëtarë të tjerë votuan pro. Në fund, ministri i Financave, u shpreh i bindur se Buxheti mund të realizohet, pasi që janë dakorduar FMN edhe Komisioni Europian.

***

Qeveria efikase e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka arritur të jetë më efikasi në rajon sa i përket reformave të përgjithshme shoqëro ekonomike. Kështu është thënë në mbledhjen e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, ku u diskutua për Dokumentin programor 2017-2019.

Qeveria e Kosovës është lavdëruar nga eksperti monitorues i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Valentina Ivaniq.

“Efikasiteti i qeverisë që është e ndërlidhur me punën e qeverisë për të krijuar kushtet e nevojshme për shumicën e reformave shoqëro ekonomike, këtu Kosova ka arritur 77% të përmbushë targetin që është shumë mirë në krahasim me rajonin e Europës juglindore dhe ekonomitë e tjera në rajon.”

Ministrja e Tregtisë e Industrisë Hikmete Bajrami e shprehi kënaqësinë me përmbushjen e targetit.

“Më vjen mirë që kur jemi tek efikasiteti i qeverisë dhe  institucioneve të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme kemi arritur të përmbushim targetin prej 77% dhe besoj se ky është lajm i mirë.”

Kurse sa i përket tregtisë rajonale, për të cilën ekspertët e Këshillit thanë se Kosova nuk qëndron mirë, ministrja Bajrami i gjeti disa arsye.

“Kemi barriera të shpeshta nga vendet e rajonit, por edhe prodhuesit vendorë duhet të ngrisin kualitetin.”

Kurse Gazmend Turdiu, zëvendës sekretar i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal sugjeroi qeverinë e Kosovës të sjellë projekte që ndërlidhen me rajonin. Edhe pse ai tha se fondet janë shkurtuar për shkak të gjendjes ekonomike në BE, por edhe për shkak se një pjesë e fondeve po ndahen për rajonet e tjera me krizë nëpër botë. Ky seminar në Prishtinë në kuadër të strategjisë 2020 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (KBR) për Europën Juglindore ishte i treti, pas Podgoricës e Tiranës, në radhën e gjashtë aktiviteteve që po organizohen në kryeqytetet e rajonit.

***

Task Forca për përmirësimin e ambientit të biznesit

U mbajt takimi i parë koordinues i Task Forcës me Grupet Punuese për reformat që ndërlidhen me raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, ku u lansua cikli i ri i reformave që do të ndërmerren nga institucionet e Kosovës me qëllim të përmirësimit të indikatorëve të Bankës Botërore të të bërit biznes.

Me vendim të Qeverisë është krijuar Task Forca për koordinimin e reformave dhe janë caktuar organet qeveritare përgjegjëse për secilin nga indikatorët e Raportit të Bankës Botërore për të Bërë Biznes.

Ministrja Hykmete Bajrami, në cilësinë e udhëheqëses së Ministrisë koordinuese të kësaj Task Force potencoi se përmirësimi i mjedisit afarist në vend nuk është punë vetëm e një Ministrie apo institucioni por e të gjithëve së bashku, përfshirë edhe komunitetin e biznesit. Bajrami shtoi se rritjen e rangimit të Kosovës në raportin e fundit të Bankës Botërore e kanë ndihmuar disa indikatorë, e në veçanti ‘Fillimi i një Biznesi’ i cili është ngritur nga vendi i 27 në vendin e 13-të, ‘Pagesa e Tatimeve’ nga vendi i 77-të në vendin e 43-të dhe ‘Tregtia Përtej Kufijve’ që është ngritur nga vendi i 59-të në vendin e 51 në botë.

“Prandaj, qëllimi takimit është të iniciohet faza e dytë e reformave për Raportin e Bankës, e cila do të identifikojë edhe më shumë veprime dhe aktivitete që mund të ndërmerren për adresimin e indikatorëve të Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes”, tha ajo.

Ministrja Bajrami u bëri thirrje institucioneve relevante që ta marrin me seriozitet ciklin e ri të reformave për përmirësimin e mjedisit afarist, ku do të përfitojë veçanërisht sektori privat dhe në përgjithësi Kosova.

***

Projektligji për pagat gati, të procedohet

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga Kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 117-të të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime të tjera.

Kryeministri Mustafa kërkoi që javën e ardhshme të jetë gati projektligji për pagat.

Ai tha se ekziston marrëveshje edhe me BE-në që Projektligji për Pagat, ai për Shërbyesit Civil dhe për Organizimin e Administratës të bëhen njëkohësisht.

Megjithatë me propozim të Zëvendëskryeministrit Kuçi janë pajtuar që të procedohet me Projektligjin për Pagat sepse është gati.

“Pastaj, të procedojmë me koncept-dokumentet për këto dy Ligjet tjera, ndërkaq hyrja e tyre në fuqi të bëhet njëkohësisht në mënyrë qe ne pastaj të respektojmë marrëveshjen që kemi me BE-në, por nuk kemi nevojë që të prolongojmë ligjet të cilat i kemi përgatitur. Prandaj, e kisha lutur edhe ministrin Jagxhillar dhe ministrin e Financave që në këto punë që do të mbeten, që ne ta kemi gati për javën e ardhshme Projektligjin për Pagat që atë mos ta kufizojmë vetëm në paga që realizohen nga Buxheti por për pagat që realizohen nga mjetet publike që nënkupton edhe agjencitë e tjera, edhe kompanitë publike, për ato mjete në të cilat Qeveria është aksionare e këtyre kompanive dhe të vëmë një rregull të përgjithshëm në këtë sistem”, tha kryeministri.

Qeveria miratoi edhe Vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës shoqërore të evidentuar në emër të Shoqatës Vllaznim Bashkim, Zona Kadastrale Prishtinë, vendi Lakërishtë, për nevoja të akomodimit të Institucionit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Republikës së Kosovës.

***

Kryeministri Mustafa numëron sukseset

Kryeministri Mustafa ka numëruar dy suksese të qeverisjes së tij. Në një adresim përmes profilit të tij në Facebook, ai tha se Kosova radhitet e para në rajon dhe në Evropë për rritje ekonomike si dhe e 13-a në botë për lehtësitë e krijuara në bërje të biznesit.

Instituti IFO i Universitetit të Munihut, ndër më prestigjiozët në Evropë, ka publikuar të dhënat për rritjen ekonomike për Evropën. Qartësisht shihet se Kosova ka rritjen më të lartë ekonomike në rajon dhe në Evropë”, ka thënë Kryeministri Isa Mustafa.

Po ashtu, një prej medieve kryesore të biznesit në botë, Business Insider, në një artikull të saj ka renditur Kosovën në vendin e 13 në botë për lehtësitë e krijuara për bizneset, ku konkludohet se “Kosova e ka lehtësuar pagimin e taksave duke aplikuar një sistem online për deklarimin dhe pagimin e TVSH-së dhe kontributeve të sigurisë sociale. Po ashtu, ka lejuar më shumë kategori të shpenzimeve për t'u zbritur nga tatimi i korporatave”, ka cituar kryeministri.

“Këto janë dy lajme shumë të mira, të radhës, për shtetin tone”, ka vlerësuar ai në postimin e tij.

Artikulli, i cili është bazuar në raportet e Bankës Botërore (BB) dhe ka analizuar të dhënat e më shumë se 130 mijë firmave në 139 ekonomi botërore, e ka futur Kosovën në listën e 17 vendeve më të suksesshme për hapjen e bizneseve.

“Të nderuar bashkëqytetarë, Republika e Kosovës, dita e ditës po korrë sukseset e punës së jashtëzakonshme që është bërë në dy vitet e fundit në zhvillimin ekonomik, reformat fiskale, përmirësimin e ambientit për biznes, integrimet evropiane, forcimin e rendit dhe ligjit, mirëqenien sociale, përkrahjen e arsimit, kulturës, sportit, raportet me diasporën, e shumë aspekte të tjera”, ka thënë Mustafa.

***

S’ka rritje të çmimeve të rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke iu përgjigjur shqetësimeve të konsumatorëve, ka sqaruar situatën e çmimeve të energjisë elektrike, duke thënë se çmimet e energjisë elektrike nuk kanë ndryshuar që nga viti 2014.

“Për shkak të reagimeve të shumta në lidhje me çmimet e energjisë elektrike, ZRRE dëshiron të sqarojë për të gjithë qytetarët se çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak janë të njëjta që nga viti 2014. Përderisa Struktura Tarifore nuk ka ndryshuar që nga viti 2007. Struktura e tanishme tarifore e energjisë elektrike është vendosur nga Bordi i ZRRE si zgjidhje për të përshtatur çmimet me karakteristikat e sistemit elektro-energjetik në vend, me qëllim të sigurimit të shërbimeve me çmime që mbulojnë kostot e arsyeshme të këtij sistemi”, thuhet në sqarimin e ZRRE-së.

Siç thuhet në komunikatë, ZRRE vazhdimisht është përpjekur të sqarojë për konsumatorët se duke filluar nga muaji tetor fillojnë tarifat e sezonit dimëror, përkatësisht tarifat e larta.

“Arsyeja e ndarjes së tarifave sezonale është që të bëhet përshtatja me kërkesën e konsumit të energjisë elektrike e që me fillimin e sezonit të lartë konsumi i energjisë elektrike fillon të rritet dhe në të njëjtën kohë çmimet janë më të larta. Qëllimi i vendosjes së tarifës së sezonit së lartë është që të nxitet kursimi i energjisë elektrike gjatë muajve kur ngarkesa rritet dhe zvogëlohen mundësitë për të furnizuar të gjithë konsumatorët vetëm nga gjenerimi vendor. Në këtë mënyrë imponohet importi i energjisë me çmime më të larta”, thuhet në njoftim.

Konsumatorët në sezonin e ulët, sipas tyre, paguajnë tarifa nën kosto mesatare të shërbimit, ndërsa e kundërta ndodh për sezonin e lartë.

 “Rritja e konsumit, sidomos duke përdorur energjinë elektrike për ngrohje, mund t’i vendos ata në grup të konsumit më të lartë dhe duke pasur parasysh edhe diferencën nga çmimet e sezonit të ulët faturat e tyre mund të dyfishohen”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së. 

***

Ulen dënimet për mos-regjistrim të automjeteve

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se qytetarët e Republikës së Kosovës se nga data 16 nëntor, ka zbritur taksat administrative (dënimet) për rastet të cilave ju ka kaluar afati prej 30 ditësh nga data e skadimit të regjistrimit të automjetit.

“Për automjetet nën 3.5t për çdo 30 ditë - nga 25 euro zbret në 10 euro;
Për automjetet 3.5t dhe mbi 3.5t për çdo 30 ditë - nga 50 euro zbret në 20 euro;
Për motoçikleta për çdo 30 ditë, është përcaktuar taksa prej 5 euro”, ka njoftuar MPB-ja.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme