Kosova e merr Kodin telefonik më 15 dhjetor

BE ka njoftuar se më 13 nëntor 2016, përfaqësuesit e dy palëve, Kosovës e Serbisë kanë rënë dakord për zbatimin e marrëveshjes për sigurimin nga ITU një kodi treshifror për Kosovën.

Kosova e merr Kodin telefonik më 15 dhjetor

Ministrja për Dialogun njëherit kryenegociatorja me Serbinë, Edita Tahiri ndodhet në Bruksel së bashku me delegacionet përkatëse për të marrë pjesë në takimet e dialogut për çështjet e drejtësisë, Telekomit dhe menaxhimit të integruar të kufirit (IBM).
Në takimet që do të vazhdojnë të enjten (17.11.2016) do të bëhet vlerësimi i gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të lartpërmendura dhe obligimet e palëve për këto çështje.
Njoftohet opinioni po ashtu se Marrëveshja për Asociacionin e komunave më shumicë serbe në Republikën e Kosovës, nuk është temë e bisedimeve. Fillimi i zbatimit mund të diskutohet vetëm pasi Kosova ta marrë kodin shtetëror nga ITU-ja, më 15 dhjetor 2016, në pajtim me marrëveshjen. 

- Është arritur marrëveshja për Kodin Telefonik të Kosovës

Bashkimi Europian (BE) ka njoftuar se më 13 nëntor 2016, përfaqësuesit e dy palëve, Kosovës e Serbisë, nën lehtësimin e Bashkimit Europian kanë arritur marrëveshje në implementimin e mëtejmë të marrëveshjes së dakorduar dhe të nënshkruar për Telekomunikacionin më 2013 dhe në Planin e Veprimit 2015 të rrjedhur nga kjo marrëveshje. Marrëveshja do të sigurojë një kod treshifror që është ndarë për Kosovën nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU).

Marrëveshja i mundëson kompanisë publike serbe MTS të veprojë me leje të plotë për shërbimet telefonike në Kosovë dhe të marrë autorizimin e përkohshëm për telefoninë mobile. Kosovës do t’i jepet kodi digjital treshifror nga Bashkimi Ndërkombëtar I Telekomunikimeve, ITU, në të njëjtën kohë që kjo kompani e re do të nisë operimet.

Palët janë pajtuar që telefonia mobile, frekuencat dhe spektret t’i jepen MTS në Kosovë, për të mundësuar arritjen e nivelit të mbulueshmërisë për klientët e saj. Marrëveshja po ashtu i mundëson transferimin e aseteve të MTS pa doganë, taksa apo detyrime.

Palët janë pajtuar në marrëveshjen dyvjeçare që numrat aktualë të përdoren në numeracion të dyfishtë, në mënyrë që t’i lejohet klientëve të rinj për të përdorur numrat që tashmë i posedojnë.

Në javët e ardhshme, të dyja palët do të zbatojnë një sërë masash nën lehtësimin e BE-së për të zbatuar këtë marrëveshje. Të gjithë draft dokumentet e lidhura me licencat, transferimi dhe regjistrimi i pasurive do të përfundojë deri më 28 nëntor.

Palët do të shqyrtojnë këto dokumente dhe nëse ata bien dakord se dokumentet janë në përputhje me Marrëveshjen e Telekomunikacionit nga Marrëveshja e 2013-ës, Plani i veprimit dhe konkluzionet e lehtësuesit të BE-së të vitit 2015, Serbia do të dërgojë një letër ITU-së më 3 dhjetor duke rënë dakord se një kod treshifror mund të ndahet për Kosovën. BE-ja mirëpret këtë rezultat dhe nxit të dyja palët që të përshpejtojnë progresin për zbatimin e Marrëveshjeve të tjera të arritura, në veçanti atë për Asociacionin / Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe dhe atë për Energjinë.

- Presidenti Thaçi e vlerëson marrëveshjen

Marrëveshja për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka hasur në reagime të ndryshme në Kosovë.

Sipas presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pozicioni i shtetit tonë forcohet edhe më shumë në arenën ndërkombëtare me kodin e ri në fushën e telekomunikacionit.

Kodi telefonik +383 është pronë e Kosovës, me të cilin do të administrojnë institucionet tona. Operimet ilegale dhe pengesat e deritashme do të eliminohen në tërësi. Tash Kosovës i është hapur rruga që ta jetësojë edhe programin shtetëror të digjitalizimit”, ka shkruar Thaçi në Facebook. 

- Dida vlerëson lartë marrëveshjen

Eksperti i Telekomunikacionit, Agron Dida thotë se ka shumë arsye pse duhet të quhet marrëveshje e suksesshme.

“Së pari me rëndësi është që Kosova me këtë po bëhet aktor ndërkombëtar tash do të bëhet edhe anëtare e ITU, Rregullatorit Botëror të Telekomunikimeve, e ka kodin e vet e ka identitetin e vet. Tash edhe nuk do të ketë asnjë pengesë që këto sisteme të mëdha, Google, Facebook e tjerë ta njohin më Kosovën, sepse është hequr pengesa e fundit e që kjo është tepër me rëndësi për Kosovën.”

Dida pranon se kjo marrëveshje ka kosto, por përfitimet janë më të mëdha se humbjet.

“Do të formohet operatori i GSM në Kosovë por po them përfitimet do të jenë dukshme më të mëdha, pos asaj operatori këtu do të veprojë në pajtim me rregullat e shtetit të Kosovës, e do ti përgjigjet ATK-së.”

- Ish-ministri kundër marrëveshjes

Kurse ish-ministrit të Telekomunikacionit Zef Morina marrëveshjen e vlerëson si të dëmshme për Kosovën.

“Përveç asaj që ne iu kemi nënshtrua Serbisë e vullnetit të saj që të pajisemi me kod, ne kemi mundësua Serbisë të futet me operatorin serb në Kosovë gjë që faktikisht kjo do të jetë e dëmshme sepse ajo do të vë monopol dhe faktikisht operatorët kosovarë do të jenë në humbje dhe vet buxheti i vendit do të jetë në humbje.”

E mira e vetme e marrëveshjes sipas Morinës është se do të kemi një kod e jo tri kode siç kemi aktualisht. Edhe pse Morina vlerëson se nuk është dashur të hyhet fare në bisedime me Serbinë për kodin telefonik, por ishte dashur të tentohet anëtarësia në ITU përmes votave të shteteve anëtare, pas së cilës Kosova do të mund të pajisej me kod telefonik.

- Komuna e Prishtinës në kërkim të investitorëve privatë për projekte të mëdha

Komuna e Prishtinës mbajti konferencën e parë për investime, ku u prezantuan 5 projekte të mëdha kapitale. Duke marrë parasysh kufizimet buxhetore, Komuna synon t’i realizojë këto projekte përmes partneritetit publiko-privat.

Komuna e Prishtinës është e përkushtuar në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve, përmes ofrimit të shërbimeve cilësore dhe mundësive për zhvillim ekonomik. Nga instrumentet kryesore që Komuna i ka në dispozicion për arritjen e këtyre qëllimeve, janë investimet kapitale në infrastrukturë.
Projektet që u prezantuan në këtë konferencë janë Pishina Olimpike prapa Pallatit të Rinisë; Parkingu nëntokësor tek Fakulteti Filologjik; Çarshia e Vjetër në qendër të Prishtinës; Kompleksi banesor dhe afarist në rrugën B; si dhe Stacioni Qendror i autobusëve.

Përveç Kryetarit Shpend Ahmeti dhe ekipit të tij që prezantuan projektet, pjesë e panelit në këtë konferencë ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell. Ai përgëzoi Komunën e Prishtinës për konceptin qeverisës që po ndjek, me theks të veçantë për masat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit, me ç’rast janë krijuar kushte të përshtatshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Qëllimi i konferencës ishte informimi i investitorëve potencialë për parametrat kryesorë të këtyre projekteve, si dhe përfitimet dhe avantazhet e secilit projekt.

- Limak i lumtur për investimet në Kosovë

Limak Holding është duke investuar në Kosovë, Shqipëri e rajon. Kjo kompani është e lumtur që po investon në Kosovë, përmes KEDS’it, thotë zëvendës-drejtori i përgjithshëm i kësaj kompanie Mesut Serhat Dinc.

“Ne jemi vërtet shumë të lumtur që ndodhemi në Kosovë, e që po investojmë në Kosovë. Të gjithë premtimet tona për investime i kemi realizuar dhe po i realizojmë. Nëse pyesni se cilat ishin ato premtime, ato ishin se çdo vit do të investonim 20 milionë euro dhe ne këto investime po i realizojmë për çdo vit.” 

Limak ka mundësi të kyçet në projektin e ndërtimit të termocentralit Kosova e Re, që do të ndërtohet nga kompania amerikane “Contour Global”, e që ndërtimi pritet të nisë në gjysmën e dytë e vitit të ardhshëm.

“Ju e dini se Limak Holding posedon edhe sektorin e ndërtimit dhe nëse firma e cila do të vije, nëse shpall tender për kryerjen e punëve ndërtimore, atëherë do të ulemi e do t’i shikojmë mundësitë.”

Anëtari i bordit të Limak-ut Mesut Serhat Dinç, tha se përveç Kosovës, janë duke investuar edhe në vendet tjera të rajonit.

- Diplomoi gjenerata e tretë e Akademisë së KEDS-it

Dhjetëra studentë e nxënës kosovarë të hënën janë pajisur me certifikata të njohura ndërkombëtarisht. Kjo ndodhi pas diplomimit të tyre në KEDS Akademi III në një ceremoni madhështore.

E nisur në vitin 2013, KEDS Akademia tashmë ka përmbushur misionin e sajë dhe po sheh tutje drejt avancimit të mëtutjeshëm.

Gjenerata e katërt po përgatitet të nisë së shpejti, përderisa arritjet e deritashme e bëjnë secilin të ndihet mirë.

“Kosova zë një vend të veçantë në zemrat tona dhe ne e vlerësojmë shumë mikpritjen që kemi hasur këtu. Ndërsa, rinia kosovare është pasuria më e vlefshme e këtij vendi të ri dhe kjo është arsyeja që KEDS Akademia ka marrë mbështetje të padiskutueshme prej nesh”, tha Nihat Ozdemir, Kryetar i Bordit të Limak Holding.

“Dëshira jonë për të kontribuar në Kosovë nuk është vënë asnjëherë në pyetje, por për të kontribuar në talentet më të vlefshëm është privilegj dhe shpërblim që mbush zemrat tona. Suksesi që po tregojnë pjesëtaret e KEDS Akademisë është tregues që kjo ishte ide e qëlluar dhe rruga e duhur”, theksoi z. Ozdemir.

- Përkrahja ishte e pa rezerve edhe ngakompania Çalik.

“Mënyra më e mirë për të kontribuuar për gjeneratat e reja është përmes mbështetjes së arsimimit të tyre. Për këtë në e vlerësojmë KEDS Akademinë dhe gjithmonë do të mbështesim arsimimin në këtë vend të bukur”, tha z. Ahmet Çalik, kryetar i Bordit të KEDS-it dhe udhëheqës i Çalik Holding.

Akademia e KEDS-it u themelua në partneritet me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetin Bogazici të Stambollit. Tashmë afro 150 të rinj janë të përgatitur për tregun e punës dhe janë pjesë e rëndësishme e tij. Një pjesë e konsiderueshme e tyre tashmë janë punëtorë të KEDS-it.

- Stavileci: Kosova ka nevojë për kuadro të përgatitura në sektorin e energjisë

“Tani më shumë se kurrë na duhen kuadro të përgatitur në sektorin e energjisë. KEDS Akademia po e bën këtë dhe unë i jam mirënjohës dhe e përgëzoj për këtë iniciativë”, tha Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, duke shtuar se kjo vjen në kohën kur Kosova po bën hapa të mëdhenj në sektorin e energjisë. 
Këto komente Stavileci i bëri në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së tretë të Akademisë së KEDS-it.
Ai tha se KEDS Academy e ka dëshmuar veten me suksesin e këtij projekti, duke ditur se për Qeverinë sektori i energjisë është si njëri nga sektorët më vital të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
“Ne  jemi në fazën më të rëndësishme të vendimeve strategjike për të ardhmen e vendit tonë të cilat kanë nisur me modernizimin e sistemit të shpërndarjes dhe furnizimit, i cili është bërë suksesshëm nga  KEDS, për të cilin ne si shtet  merremi shembull pozitiv si duhet të transformohet në mënyrë moderne sektori”, tha Stavileci, duke shtuar se përmbyllja e këtij qarku të modernizimit bëhet me realizimin e projektit më të madh TC ‘Kosova e Re’ që është investim direkt i huaj.
- Ministrja Bajrami priti kryetaren e Bashkisë së Sarandës, Florjana Kokën

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti në takim kryetaren e Bashkisë së Sarandës, Florjana Kokën. Në këtë takim ishin prezent edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe përfaqësues të bizneseve të sferave të ndryshme nga Saranda. Temë e këtij takimi ishte thellimi i bashkëpunimit në fushën e zhvillimit ekonomik, çështjet tregtare dhe turizmit. Ministrja Bajrami, informoi bashkëbiseduesit për potencialin qe ka Kosova në fushën e turizmit dhe mundësinë e shkëmbimit të informative për promovimin e turizmit. Në anën tjetër, znj. Koka u shpreh se kanë ardhur në Kosovë me përfaqësues të bashkisë të Sarandës dhe përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrës në mënyrë që të shtojnë bashkëpunimin ekonomike të deritanishëm. Bashkëbiseduesit u pajtuan që të intensifikohet puna e përbashkët institucionale me qëllim të identifikimit të projekteve konkrete dhe bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe investimeve dhe organizimin e një konference në Sarandë me biznese nga Republika e Kosovës dhe Shqipërisë.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme