Qeveria e Kosovës do të negociojë direkt me investitorët potencialë

Me 57 vota për, 14 kundër dhe 11 abstenime Kuvendi miratoi Ligjin për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës do të negociojë direkt me investitorët potencialë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mbajti konferencë për media, pas miratimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Investime Strategjike.

Ajo tha se ky Ligj i ka munguar për një kohë të gjatë legjislacionit të Kosovës dhe se ai ofron kushte të barabarta në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj në krahasim me vendet fqinje dhe ato të rajonit.

Ministrja Bajrami i ka falënderuar në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Kryeministrit Isa Mustafa, të gjithë deputetët që votuan për këtë Ligj, duke thënë se të gjitha vendet fqinje dhe disa anëtare të Bashkimit Evropian negociojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për dhënin e aseteve në shfrytëzim në këmbim të investimeve, për krijimin e vendeve të reja të punës.

Ligji i mundëson Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejtë me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë. Faktikisht, këtu rritet transparenca për dhënien e aseteve në shfrytëzim, për shkak se janë dy mundësi, njëra është që Qeveria të përgatisë një listë të projekteve, me të cilat ajo mund t’iu qaset investitorëve dhe kompanive serioze. Qasja ose opsioni tjetër të cilin e ofron Ligji është që investitorët e ndryshëm të cilët mund të jenë të interesuar për asete që janë në pronësi komunale, qoftë shtetërore, qoftë shoqërore, mund t’i qasen Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë që të bëjnë investime në këto asete”, tha ministrja e Tregtisë dhe Industrisë.

Sa i përket rritjes së transparencës, ministrja Bajrami theksoi se janë paraparë disa hapa të kalimit të negociatave dhe dhënies së aseteve në shfrytëzim.

Fillimisht aplikacionet ose kërkesat e investitorëve shkojnë tek Agjencia për Promovim të Investimeve dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve KIESA, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila sipas ligjit parashikohet që të ketë një ekip të ekspertëve për të trajtuar këto aplikacione. Më pas, në qoftë se aplikacioni, në këtë rast kompania, i përmbush kushtet për të hapur negociata direkte, ata këtë ia rekomandojnë grupit ndërministror që përbëhet nga pesë ministri dhe kryetari i komunës, në të cilën potencialisht do të zhvillohet investimi. Në qoftë se grupi ndërministror e vlerëson si projekt të vlefshëm, atëherë këtë ia propozon Qeverisë. Me aprovimin e Qeverisë një kërkesë e tillë i kalon Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili pastaj mund të kërkoj nga Agjencia e Privatizimit kalimin e këtyre aseteve tek Qeveria për dhënien në shfrytëzim”, tha ministrja.

Më tej, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, u shpreh se me Ligj janë adresuar të gjitha çështjet të cilat kanë qenë preokupim edhe i organizatave jo qeveritare dhe i spektrit ndërkombëtar. “Gjithashtu, edhe deputetët kanë punuar në versionin e fundit dhe janë harmonizuar të gjitha ato qëndrime që më parë kanë qenë të pa harmonizuara”, tha ministrja Bajrami.

***

“Ministria e Financave është duke ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme për të siguruar vendosjen e tatimit në të gjitha llojet e pronës së paluajtshme (tokë), por edhe duke kërkuar gjithashtu, përmirësimin e qëndrueshëm të sistemit të tatimit në pronë” bëri të ditur ministri i Financave Avdullah Hoti.

Ministria e Financave (MF) në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) mbajtën takimin e përbashkët me kryetarë të komunave të vendit, me të cilët diskutuan lidhur me ndryshimet në Projektligjin e ri të Tatimit në Pronë. Risi në këtë projektligj është vendosja e tatimit në tokë.

Ministri I Financave Avdullah Hoti, tha se projektligji i ri përmban ndryshime tejet të mëdha sa i përket tatimit në Pronë, prandaj do të miratohet kur të arrihet një dakordim i përgjithshëm me kryetarët e Komunave.

Duke folur për projektligjin, ministri Hoti tha se ai i thjeshtëson në masë të madhe procedurat e mbledhjes së tatimit në pronë si dhe i rishikon normat e tatimit në pronë.

“Dhe risia kryesore është vendosja e tatimit në tokë, në patundshmëri, që nuk ka qenë deri më tash duke qenë se kjo ka implikime në fuqinë blerëse të qytetarëve.”

Projektligji mundëson përshtatjen e këtij legjislacionit sa I përket tatimit në pronë me direktivat e ndryshme të BE-së në këtë fushë, u tha veç tjerash në këtë diskutim, ku kryetarët e komunave thanë se vërejtjet kryesisht do t’i dërgojnë më shkrim. 

***

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha dhe krerët e lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, vizituan Depon qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar. Shitja e pasurisë në fazën e sekuestrimit do të kontribuonte në ruajtjen e vlerës së këtyre pasurive, zvogëlimin e shpenzimeve gjatë administrimit të tyre, si dhe përfitimet që do sillte shitja në këtë fazë, theksoi ministrja Hoxha. 

Janë 170 vetura të konfiskuara në depon qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar. Këto tashmë janë bërë problem për mirëmbajtjen, por edhe për shkak të humbjes së vlerës së tyre si pasojë e amortizimit. Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, theksoi rëndësinë e veprimit të përshpejtuar në këtë proces.

Shitja e pasurive në fazën e sekuestrimit do të kontribuonte në ruajtjen e vlerës së këtyre pasurive, zvogëlimin e shpenzimeve gjatë administrimit të tyre, si dhe përfitimet që do sillte shitja në këtë fazë”, theksoi ministrja Hoxha.

Edhe krye-shefi i Agjencisë Rrahim Rama u shpreh për rëndësinë e shitjes së këtyre veturave, dhe kritikoi gjykatat për neglizhencë.

Vlera e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, të pranuar sipas vendimeve gjyqësore është mbi 34 milionë euro.

***

Në Pestovë të Vushtrrisë, u shënua Dita e Patates. Me këtë rast Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, ka përsëritur se sektori i bujqësisë është prioritet për qeverinë. Ai tha se është i vetëdijshëm se asnjë kulturë bujqësore nuk mund të kultivohet vetë, duke shtuar se fermerët do të mbështetën financiarisht.

Kultivuesi i patateve Bedri Kasumi, duke potencuar se patatet sivjet janë më kualitative, tha se kur farërat janë të mira edhe produkti është i mirë. Ai ka ftuar fermerët që të vazhdojnë të ngritin cilësinë e kësaj kulture bujqësore.

Ndërkaq, nënkryetari iKomunës së Vushtrrisë, Dibran Përçuku, tha se ekonomia është në fazën e sfidave, por sektori i bujqësisë do të mbetet prioritet edhe për komunën. Përkrahje fermerëve u ka dhënë edhe drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovën, Elena Petrovska. Patatja është ndër prodhimet më të eksportuara që ka Kosova.

***

Ministrja për Dialog Edita Tahiri ka thënë se Trepça nuk do të jetë temë e bisedimeve me Beogradin. Kundër bisedimeve për Trepçën mes palës kosovare e asaj serbe, është shprehur edhe analisti i çështjeve ekonomike Ibrahim Rexhepi.

Trepça asnjëherë nuk ka qenë e as nuk do të jetë temë e bisedimeve me Beogradin, ka siguruar ministrja për dialog, Edita Tahiri.

Kundër bisedimeve për Trepçën është shprehur edhe analisti Ibrahim Rexhepi, I cili tha se qeveria duhet të qëndrojë në konceptet e saj për Trepçën.

Kur është çështja e relacionit me Beogradin apo edhe me serbët ajo duhet të punojë sipas konceptit të vet dhe Trepçën në asnjë mënyrë mos ta lejojë të futet në agjendat e negociatave apo bisedimeve, kudo që zhvillohen ato”, shprehet Rexhepi.

Ndryshe, Rexhepi thotë se tani pas miratimit të Ligjit për Trepçën, qeveria duhet sa më parë të bëjë analizën e fizibilitetit dhe të ndërtojë strategjinë për Trepçën.

Ajo çka duhet të bëhet fillimisht është aktivizimi i Trepçës, qoftë edhe përmes disa investimeve nëse ka nevojë edhe nga buxheti I Kosovës, në mënyrë që ajo të kompletohet, të funksionalizohet dhe të rritet vlera në mënyrë që në procesin e mëtejshëm të shqyrtohen alternativat, se a është që ajo të shkojë në shitje pjesërisht, apo në partneritet publiko privat. Mirëpo gjithsesi se Trepça fillimisht duhet të jetë aktive në mënyrë që të ketë një vlerë shumë më të madhe dhe të jetë atraktive për investues.”

Si problematike në ligj, Rexhepi e sheh mos-përfshirjen e tërësishme të Trepçës në kuadër të ligjit. Po ashtu ai i ka dhënë të drejtë Vetëvendosjes që ka kërkuar që Kuvendi të mos anashkalohet në vendimet e ardhshme për Trepçën.

***

Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk po respektohet vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për Zonën me Interes të Veçantë EkonomikFusha Mihja e Re”. Në këtë zonë të mbrojtur, nga viti 2009 e deri më sot, sipas Vetëvendosjes, janë ndërtuar qindra shtëpi të reja, nga militantët e partive në pushtet, në mënyrë që në të ardhmen të përfitojnë nga shpronësimet.

Zona me interes të veçantë ishte shpallur që në vitin 2004 në kohën e kryeministrit Bajram Rexhepi, kurse në vitin 2009 ishte lëshuar një vendim I tillë edhe në kohën e kryeministrit Hashim Thaci. Zona e ashtuquajtur “Fusha Mihja e Re” që përfshin komunat Obiliq, Fushë Kosovë, Vushtrri e Drenas, është duke u keqpërdorur nga militantët e partive në pushtet, për të përfituar nga shpronësimet në të ardhmen, ka thënë në një konferencë për media, drejtuesi i Komitetit për Energjetikë në Lëvizjen Vetëvendosje, Naim Hoxha.

Hoxha thotë se kur të vie vendimi për rrënimin e atyre shtëpive, të gjithë ndërtuesit ilegal ata do të dalin në protestë me fëmijë e pleq, e do të paraqiten si raste sociale, në mënyrë që të përfitojnë nga keqpërdorimet.

***

Ministri i Financave Avdullah Hoti me bashkëpunëtorët e tij dhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Bruksel Bernard Nikaj, kanë pritur në takim një delegacion të Komisionit Evropian të kryesuar nga drejtori I përgjithshëm në Drejtorinë për Negociatat për Fqinjësi dhe Zgjerim (DG NEAR) në Komisionin Evropian Christian Danielsson.

Në këtë takim u vlerësua lartë performanca makroekonomike dhe me theks të veçantë performanca fiskale gjatë vitit 2015 - 2016. Si rrjedhojë u vlerësuan edhe përparimi në zbatimin e marrëveshjes me FMN-në dhe përgatitjet për buxhetin e vitit 2017.

Ndërsa, sa i përket bashkimit të planifikuar të shërbimeve tatimore dhe doganore në një Agjenci të të hyrave, ministri Avdullah Hoti njoftoj delegacionin se qeveria e Kosovës ka miratuar Planin Inicial për krijimin e Agjencisë, i cili përmban objektivat, përfitimet dhe aktivitetet konkrete drejt funksionalizimit të saj. Pritet që në Qeveri të Republikës së Kosovës të aprovohet edhe Projektligji për krijimin e kësaj agjencie.

***

Departamenti i Statistikave i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka njoftuar Ministrinë e Financave se statistikat fiskale të Qeverisë së Kosovës janë publikuar për herë të parë në Vjetarin Ndërkombëtar të Statistikave Financiare të Qeverisë (SFQ).

Adaptimi i standardit të FMN-së për raportimin e statistikave fiskale sipas manualit të SFQ (GFS) dhe publikimi i të dhënave në vjetarin e FMN-së është dëshmi e integritetit dhe transparencës së lartë të raportimit financiar të Qeverisë së Kosovës. Veç tjerash, ky raportim mundëson krahasim konsistent të performancës fiskale të Kosovës me mbi 140 vendet tjera anëtare të FMN-së, duke ofruar kështu më shumë llogaridhënie ndaj qytetarit. 

Kjo arritje e fundit është vetëm një nga rezultatet e shumta të reformave që Ministria e Financave ka ndërmarrë, me mbështetjen e USAID Partneritet për Zhvillim për ngritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies financiare, thuhet në një komunikatë të ministrisë së financave. 

***

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur Ankandin e radhës të Bonove të Thesarit, i cili u mbajt më 11 tetor 2016, ku u ofertuan Bono Thesari me maturitet 3 mujor në vlerë nominale 10 milionë euro. Shuma e ngritur në këtë ankand do të shërbej për ri financimin e Bonove 3 mujore të emetuara paraprakisht.

Në këtë ankand, tregu shfaqi kërkesë për blerje në vlerë 26.30 milionë euro, kurse është pranuar vetëm shuma e shpallur prej 10 milionë Euro. Norma e interesit për këtë ankand ishte 0.09% vjetore.

***

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi kompaninë e teknologjisë informative “3CIS”, ku u prit nga drejtori, Kujtim Tali me bashkëpunëtorë.

Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, vizitoi ambientet e punës dhe bisedoi me drejtuesit dhe punëtorët e kësaj kompanie lidhur me punën, rezultatet e deritashme dhe projektet e tyre në të ardhmen.

Kryeministri Mustafa vlerësoi lartë sukseset e arritura nga kompania “3 CIS”, me theks të posaçëm në tregun ndërkombëtar, duke veçuar faktin që Kosova ka një firmë kaq të suksesshme dhe me renome botërore.

Ai, po ashtu ofroi përkrahjen e Qeverisë për kompaninë e cila ka mbi 100 të rinj profesionistë të përsosur në punën e vet, të cilët kryejnë operime në mbarë globin.

Ndryshe, gjithë produkti i kompanisë “3CIS” eksportohet jashtë vendit.

- Përgatiti për TRT Shqip, Maharrem Saraxholli -



Lajme të ngjashme