Trepça bëhet pronë e qeverisë dhe e punëtorëve

Qeveria e Kosovës ka miratuar një projektligj për Trepçën, sipas të cilit 80% do të jetë pronë e qeverisë, kurse 20% e punëtorëve.

Trepça bëhet pronë e qeverisë dhe e punëtorëve

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci ka prezantuar Projektligjin për Trepçën, që ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik.

Dispozitat e këtij projektligji përcaktojnë transformimin e disa njësive biznesore të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça” në Shoqëri Aksionare me ç‘rast Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronar i 80 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa punëtorët pronarë të 20 për qind të aksioneve.
Ministri Stavileci, po ashtu, tha se ky proces nuk përfundon me kaq. 
“Edhe në ligj e kemi precizuar që gjashtë muaj më së voni nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Qeveria së bashku me Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes, do t’ia prezantojnë Kuvendit për miratim Strategjinë Zhvillimore të saj. Duke e ditur që kjo ndërmarrje nuk është një ndërmarrje e thjeshtë, atëherë kemi dashur që shumë më shumë t’i japim trajtën e një Shoqërie Aksionare e cila i hap në të ardhmen rrugë investimeve, po ashtu edhe tek pjesa ku flet për punëtorët, një lloj kontributi i cili lidhet edhe me performancën e tyre në bazë të njësive biznesore ku ata janë të punësuar.”

Stavileci tha se një kapitull shumë i rëndësishëm është ai i mundësisë së pjesëmarrjes së sektorit privat, që qysh tani ky aset i rëndësishëm të nis rrugën e saj të revitalizimit dhe të jetë i hapur për investime të ndryshme.

“Ne e dimë që sektori minerar në përgjithësi dhe fushat e veçanta të cilat i trajton në këtë rast edhe mineralet dhe xehet “Trepça”, në botën bashkëkohore, i kemi disa modele të investimeve të cilat janë të preferuara. Ne edhe këto i kemi paraqitur, katër forma të mundshme të tyre: partneriteti publiko-privat; investimet private direkte; investimet e përbashkëta; po ashtu meqenëse kemi të bëjmë me një lloj shoqërie të tillë, edhe mundësia e shitjes dhe emetimit të aksioneve”, tha Stavileci.

***

Kryeministri Isa Mustafa, po ashti foli për Projektligjin për Trepçën.
“Përshtypja është që në mënyrë të ngutshme ne po e vëmë këtë në rend dite edhe në Qeveri edhe në Kuvend. Kam parasysh edhe vërejtjet për këtë që dhanë disa anëtarë të Qeverisë, mirëpo po ashtu kam parasysh edhe një periudhë shumë të gjatë kohore, në të cilën ne kemi punuar për gjetjen e mundësive më të mira për statusin e ardhshëm të “Trepçës”. Ne e kemi themeluar me kohë një komision këtu në Qeveri, që ka pasur për detyrë të hartojë Ligjin për “Trepçën” dhe të përcaktojë statusin e saj, një komision i cili është përbërë prej ekspertëve që ne kemi menduar se janë më të mirët në këtë fushë, përfshirë edhe komunitetin serb. Kemi pasur prezantimin e pesë studimeve të rastit, që kanë trajtuar rastet e ngjashme ose të njëjta me vendet qoftë në tranzicion ose me vendet e tjera, të cilat pastaj na kanë shërbyer që ne të marrim disa elemente shumë të rëndësishme nga ato dhe t’i inkorporojmë në këtë ligj”, tha kryeministri. 
Kryeministri shprehu bindjen se është një zgjidhje shumë e mirë për “Trepçën”, se ky ligj është me rendësi të veçantë, duke pasur parasysh se “Trepça” paraqet një sinonim të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por paraqet po ashtu një sinonim të sakrificës dhe flijimit për Kosovën, që nuk duhet të lihet anash.

Me ligj është thënë qartë se prona e “Trepçës” është pronë e Republikës së Kosovës, tha më tutje kryeministri, dhe se kjo nuk mund të negociohet, se resurset minerare janë pronë e Kosovës, por po ashtu është hapur një kapitull i ri në të cilin është paraparë që asetet mbitokësore të “Trepçës” janë aset mbi të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë aksione 80 për qind dhe 20 për qind do të jenë të punëtorëve të “Trepçës”.

“Dhe po ashtu edhe 20 për qind nga taksat minerare do t’i ndajmë për komunat, përkatësisht për komunitetin në të cilat veprojnë njësitë organizative të “Trepçës”, në mënyrë që të ndihmojmë atje ndërtimin e infrastrukturës, ndërtimin e objekteve të arsimit, kulturës, shëndetësisë, dhe të kompensojmë të gjitha dëmet që ju krijohen vendbanimeve atje dhe ambientit në atë pjesë,” bëri të ditur kryeministri Mustafa.

***

Ndryshe, ka pasur shumë kritika nga opozita për vonesën në përgatitjen e projektligjit për Trepçën. Së pari ishte kryetari i lëvizjes VetëvendosjeVisar Ymeri, i cili më 2 tetor, organizoi një konferencë për media në lidhje me këtë çështje.

Ai tha se saktësisht pas një muaji, skadon afati i zgjatur me ligj në janar të vitit 2015, kur duhet të fillojë likuidimi i Trepçës.

“Përkundër premtimeve të qeverisë dhe zotimeve përballë minatorëve, as strategjia e as ligji nuk janë sjellë në Kuvend gjatë më shumë se një viti e gjysmë”, tha Ymeri.

Sipas Vetëvendosjes, nuk ka investim më të mençur sot dhe më me ndikim në krijimin e një baze të qëndrueshme prodhuese e industriale për Kosovën, se sa investimi në Trepçë dhe në sektorin e energjisë.

Ndryshe, vendimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme që ishte marrë në janar të 2015-ës i pati alarmuar të gjithë, pasi i njëjti e kishte caktuar datën 2 shkurt të atij viti për futjen e “Trepçës” në proces të likuidimit. Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte marrë vendim urgjent për kalimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili i hapte rrugë bërjes së “Trepçës” ndërmarrje publike.

Por, ministrat serbë të Kosovës bashkë me ministra të Qeverisë së Serbisë gjatë një takimi në Beograd, nga atje patën kërcënuar Qeverinë e Kosovës me prishje të stabilitetit politik, greva, e dalje nga koalicioni qeverisës. Të nesërmen, kur pritej që në seancën e jashtëzakonshme të thirrur me kërkesë të qeverisë, të votohej ky projektligj, kryeministri Mustafa e kishte tërhequr atë, duke thënë se ka qenë një hap i ngutur.

Ndërkohë, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ia kishte zgjatur afatin Qeverisë së Kosovës deri më 2 nëntor të këtij viti, për përgatitjen e planit të riorganizimit për të parandaluar futjen e “Trepçës” në likuidim.

***

Për Trepçën, është folur jashtë rendit të ditës edhe në Komisionin për Zhvillim Ekonomik e Tregti.

Kryetari i komisionit Muhamet Mustafa paralajmëroi miratimin e projektligjit për Trepcën nga qeveria, e që më pastaj do të procedohet në kuvend.

“Për shkak të disa rregulloreve që po u dashka me ndejt dy javë te presidenti, tetë ditë te kryetari i Kuvendit, fatkeqësisht neve na kufizon shumë kohën, por ne duhet të mobilizohemi në maksimum që këtë kohë që e kemi me e shfrytëzua sa më mirë.”

Ai i ftoi anëtarët e komisionit të mobilizohen në mënyrë që të përgatiten për seancën e së premtes.

“Sipas një skenari që e ka miratua edhe Kryesia e Kuvendit, të premten pasdite mund të jetë në rend dite leximi i parë i projektligjit.  Kështu që ne duhet të enjten të takohemi ta diskutojmë ngadalë, pastaj pas leximit të parë do të bëjmë një agjendë qe ne ti marrim parasysh të gjitha këto.”

Anëtari i Komisionit, Besim Beqaj, ndërkaq, i ftoi anëtarët që të punojnë nëse ka nevojë pa u ndalë.

“Jo të enjten, por nëse e merrni sot, me u taku nesër tërë ditën, me u taku pasnesër tërë ditën. Ne nuk do të kursehemi në kuptimin e punës të cilën do të bëjmë. Por në asnjë rrethanë nuk do të bëjmë punë sa për sy e faqe.”

Ndërkohë, sipas kryetarit Mustafa do të mbahet edhe dëgjim publik, ndoshta diskutime në njësitë e Trepçës, si dhe do të konsultohen ekspertë. Kurse anëtarët e opozitës nga komisioni shprehën kritika për vonesat e paarsyeshme të qeverisë për të sjellë në rend të ditës një ligj shumë të rëndësishëm për vendin, kurse tani me nguti po duan të kryejnë punë. Më kritiku ishte Enver Hoti nga Nisma për Kosovën, i cili shprehu dyshimet e tij për vonesën që ka ndodhë, se në këtë kanë ndikuar qarqet e tjera.

“S’keni pas asnjë arsye. Mendoj se qeveria ka pasur kohën e mjaftueshme. Tani kryhen punët me nxitim, të shprehem krejtësisht popullorçe, me i shkarravit të gjitha punët”, tha Hoti.

***

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, njoftoi kabinetin qeveritar për rifillimin e punës në ndërmarrjen “Ferronikel”.
“Ju e dini që disa muaj aty ka pasur probleme dhe është ndërprerë puna. Në këtë drejtim, unë shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj të gjitha institucionet, të gjithë aktorët në këtë përkrahje, të cilën e kemi bërë, duke i përfshirë institucionet qeveritare, në këtë rast, KEDS-in, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, të cilat e kanë bërë të pamundurën, në mënyrë që t’i akomodojmë disa prej kërkesave të menaxhmentit të ndërmarrjes “Ferronikel” dhe që ata të pajtohen që të rinisin punën. Në veçanti Ministria e Infrastrukturës e Agjencia Kosovare e Privatizimit, në takimet e përbashkëta që i kemi pasur, kanë treguar edhe gatishmëri, por edhe kanë vepruar gjatë gjithë kohës, në mënyrë që t’i akomodojmë zgjidhjet e pajtueshme, zgjidhje ligjore, në mënyrë që kjo përkrahje institucionale të përkthehet në një rinisje të punës të kësaj ndërmarrje të rëndësishme” , tha ministri Stavileci. 

***

Vazhdimi i autostradës nga Prishtina drejt Merdares është i realizueshëm, është thënë gjatë prezantimit të studimit të fizibilitetit, financuar nga Bashkimi Europian. Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku u shpreh i kënaqur me rezultatet e studimit, i cili parasheh kthim të investimeve.

Studimi i filluar para dhjetë muajsh, është në prag të përfundimit, ka thënë shefi i projektit të studimit të fizibilitetit, nga Mbikëqyrja e Transportit të Europës Juglindore, (SEETO), Yanni Papapanagiotou.

“Jemi në fazën finale të kompletimit ë studimit të fizibilitetit, të kompletimit të draftit të cilin do ta finalizojmë ditëve në vazhdim, e cila do të jetë hyrje për në fazën e ardhshme me të cilën do të bëhet dizajni preliminar i rrugës.”

Zyrtarët ndërkombëtarë të studimit thanë se projekti është duke vazhduar me rezultate shumë të mira. Me rezultatet, u shpreh i kënaqur edhe ministri i infrastrukturës, Lutfi Zharku.

“Jam shumë i kënaqur që studimi i fizibilitetit është pozitiv me një normë të kthimit prej 16% e që siguron kthim të investimeve tona.”

Zharku tha se rëndësia e kësaj rruge nuk është vetëm në aspektin formal, por se do të ndikojë në shfrytëzimin shumë më të madh të gjithë autostradës aktuale.

Autostrada që do të ndërtohet nga Prishtina drejt Merdares, është pjesë e “Autostradës së Paqes” që do të lidhë Bullgarinë me detin Adriatik përmes Serbisë e Kosovës. Pritet që pjesa kosovare e kësaj autostrade të jetë atraktive dhe me interes për Institucionet Financiare Ndërkombëtare për të financuar ndërtimin e projektit, të vlerësuar në vlerë prej 127 milionë euro, pa TVSH.

***

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me kompaninë investuese amerikane në industrinë e mermerit “Stone Alliance”, e cila pritet që t’i punësojë rreth 3 mijë persona.

E pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, tha se kjo është një ditë e veçantë për Kosovën. Ndërsa theksoi se përmes kësaj kompanie, dërgohen mesazhe dhe tek investitorët tjerë nga e gjithë bota, që të investojnë në Kosovë. Ai tha se institucionet e vendit, do të bëjnë ç’është e mundur në lehtësimin e procedurave, për tërheqjen e investitorëve të jashtëm.

Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë amerikane “Stone Aliance”, Michael Berbero tha se SHBA-të janë krenar, për rolin që kanë pasur në pavarësimin e Kosovës. Por sipas tij komuniteti ndërkombëtar, ka hasur në vështirësi për ta ndihmuar Kosovën të zhvillojë ekonominë. Megjithatë beson se suksesi i projektit “Stone Aliance”, do të përçojë një mesazh të fuqishëm dhe të qartë tek investitorët tjerë, që Kosova është një partner i shkëlqyer biznesi dhe për investime.

‘Stone Aliance’ synon të hapë në mes të 2000 deri në 3000 mundësish punësimi. Ne synojmë të themelojmë 4 fabrika. Ne do të fokusohemi në trajnimin dhe zhvillimin e fuqisë punëtore kosovare”, tha ai.

Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie tha se ky është një shembull i përkryer i potencialit që ka Kosova për investime.

Ndërsa drejtori i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, tha se viteve të fundit ka interesim të shtuar nga kompanive amerikane, që të investojnë në Kosovë.

***

Dogana e Kosovës ka vazhduar edhe më tej të rris të hyrat e grumbulluara për buxhetin e Kosovës. Gjatë muajit shtator ka vazhduar trendi i mirë i mbledhjes së të hyrave e sidomos performacë të mirë ka pasur taksa e akcizës.

Akciza e grumbulluar nga importi i duhanit në krahasim me vitin e kaluar është për 29,6 milionë euro më shumë.

“Muaji shtator në raport me shtatorin e kaluar ka shënuar rritje të importit të cigareve me afër 100 ton, ndërsa në total në raport me vitin e kaluar kemi 293.1 ton me shumë produkte të duhanit të zhdoganuar. Kjo ka ndikuar që edhe të hyrat të jenë shume më të larta. Kështu në periudhe të njëjte kohore totali i përgjithshëm i taksave në vitin 2015 ka qenë 96 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 kemi inkasuar 125,2 milionë euro apo saktësisht 29,6 milionë euro më shumë, që tregon se kemi rritje të inkasimit në shkallë prej 30.19%”, kanë njoftuar nga Dogana e Kosovës.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saraxholli -



Lajme të ngjashme