Hekurudhat, e ardhmja e Kosovës

Falë grandeve e huave nga Institucione të fuqishme ndërkombëtare qeveria e Kosovës ka filluar ta zhvendosë fokusin e investimeve nga rrjeti rrugor në atë hekurudhor.

Hekurudhat, e ardhmja e Kosovës

Pas investimeve të shumta në asfaltim të rrugëve në Kosovë, qeveria e vendit tashmë ka filluar të zhvendosë fokusin e investimeve nga rrjeti rrugor në atë hekurudhor. Kjo pasi që qeveria e Kosovës në vazhdimësi po angazhohet t’i arrijë synimet e saj që shërbimet e transportit hekurudhor të jenë në nivel të vendeve të rajonit, theksoi ministri Lutfi Zharku. Bazë për këtë, është implementimi i strategjisë sektoriale 2015-2025 dhe plani i veprimit 5 vjeçar i miratuar në shtator të vitit të kaluar, tha ministri.

“Investimet e vazhdueshme, synimet strategjike, bashkëpunimi rajonal dhe orientimi për integrimin e rrjetit hekurudhor vendor në rrjetin hekurudhor pan-evropian janë dëshmia më e mirë që Qeveria e Kosovës ka filluar të zhvendosë fokusin nga rrjeti rrugor në atë hekurudhor.”

Gjithë këto investime, tha më tej Zharku, nuk do të mund të arriheshin pa përkrahjen e pa-rezervë të Komisionit Evropian përmes granteve në rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 si dhe të huave të partnerëve strategjikë, siç janë BERZH dhe Banka Investive Evropiane.

Kryesuesi për kooperim nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, Luigji Brusa, potencoi se Kosova ka përfituar grante të shumta për rehabilitimin e korridorit 10.

“Për pjesën ndërmjet Hanit të Elezit e Fushë Kosovës, janë dhënë rreth 38 milionë euro, për rehabilitimin e pjesës ndërmjet Fushë Kosovës e Mitrovicës, 17 milionë euro. Lidhjet hekurudhore nuk kanë të bëjnë vetëm me infrastrukturën, po ashtu edhe me integrimin në tregje.”

Linja hekurudhore “Korridori 10” është 250 km e gjatë, prej së cilës 148 km janë në Kosovë dhe pjesa tjetër në Maqedoni dhe Serbi. Modernizimi pritet të përfundojë për 3 vite. Këto komente u bënë gjatë një konference në Prishtinë ku u prezantuan planet për zhvillimin e hekurudhave të Kosovës përmes grandeve e huave nga institucione financiare ndërkombëtare.

***

Korrupsioni pengon sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, ka thënë Ambasadori Amerikan në Kosovë Greg Delawie. Këto komente ai i bëri në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me temën “Etika në Biznes dhe Korrupsioni”.

Ambasadori amerikan potencoi nevojën e luftimit të korrupsionit në vend, pasi që është pengesë e zhvillimeve të gjithmbarshme shoqërore.

“Në baza themelore, korrupsioni është  pengesë në zhvillimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Korrupsioni po-ashtu pengon zhvillimin ekonomik.”

Korrupsioni sipas Delawie, po-ashtu dëmton sigurinë.

“Luftimi i korrupsionit është prioritet i Qeverisë time. Sekretari Kerry e adresoi këtë çështje gjatë vizitës në Kosovë, dhe së fundi nën-presidenti Bajden e adresoi në mënyrë të theksuar kur ishte në Kosovë.”

Në këtë tryezë i pranishëm ishte edhe krye-redaktori i portalit “Insajder”, Vehbi Kajtazi, i cili tha se një pjesë e madhe e bizneseve janë të lidhura me politikën dhe pushtetin të cilët i kanë vënë në krye të afërmit e tyre, duke ndarë tenderë për ta. Kajtazi tha se në sundimin e ligjit nuk kanë ndihmuar as paratë e taksapaguesve amerikanë. Kurse ambasadori Delaëie, paralajmëroi se qeveria e tij do të investoj 12 milionë dollar gjatë vitit të ardhëm për luftimin e dukurive të këqija.

***

Në Ministrinë e Kulturës janë bërë shumë keqpërdorime, u tha gjatë shqyrtimit të raportit të Auditorit të Përgjithshëm në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje Financiare në Ministrinë e Kulturës. Kryetari i Komisionit Faton Topalli tha se pa asnjë arsyetim janë ndarë 6 milionë euro për projekte të ndryshme, apo janë punësuar 100 zyrtarë pa asnjë rregull procedural.

Mirëpo në anën tjetër, ministri Kujtim Shala,  tha se nuk ka vërejtur asnjë keqpërdorim financiar në vitin 2015 në ministrinë që ai drejton.

Megjithatë, kryetari i Komisionit, Faton Topalli, tha se nga Raporti i Auditorit ka shumë elemente për prokurorinë.

Po ashtu ky Komision kishte në rend të ditës shqyrtimin edhe të raportit të auditorit të përgjithshëm për Ministrinë e Drejtësisë, ku e ftuar në Komision ka qenë edhe Ministrja Dhurata Hoxha, por në mungesë të saj, komisioni vendosi ta shtyjë për një date tjetër shqyrtimin e këtij raporti.

***

Drejtues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe njohës të ekonomisë, kanë diskutuar për efektet e reformës fiskale, një vit pas hyrjes të fuqi të saj. Ministri Avdullah Hoti tha reformat fiskale kanë ndikuar në përmirësimin e ambientit të biznesit.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, konsideron se reformat që ky mandat qeverisës ka marrë në përmirësimin e klimës së bizneseve, janë të një trendi pozitiv.

Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, vlerësoi se edhe pse është shënuar një trend i rritjes ekonomike, kjo nuk e zbut papunësinë në vend.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se duhet të punohet më shumë në fiskalizimin e bizneseve. Gjatë diskutimeve u tha se gjatë aktualisht janë 437 kompani me pronarë të huaj si dhe 8 mijë biznese vendore.

***

Ministria e Financave në vazhdën e aktiviteteve të saj për të siguruar implementimin e suksesshëm të projekteve me financim nga huamarrja shtetërore, ka filluar të organizojë takime të rregullta të përbashkëta me palët implementuese të projekteve dhe me Kreditorin përkatës që financon projektet përmes huamarrjes me Qeverinë e Republikës se Kosovës.

Sa i përket implementimit të projekteve me Kreditorët përkatës, është organizuar takimi i parë i shqyrtimit të portfolios me KfW i udhëhequr nga ministri i Financave Avdullah Hoti në të cilin  morën pjesë përfaqësuesit nga Zyra e KfW në Kosovë, Ambasada gjermane, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të Komunave, të Ujësjellësit Rajonal KUR Prishtina, si dhe përfaqësues të KOSTT-it.

Qëllimi i organizimit të këtyre takimeve është që të diskutohen kryesisht sfidat të cilat mund të shkaktojnë prolongimin në implementimin e suksesshëm dhe shqyrtimin për adresimin e tyre, si dhe të sigurohemi që obligimet ndaj kreditorëve përmbushen plotësisht dhe në kohën e caktuar në bazë të marrëveshjeve të arritura nga palët përkatëse. 

***

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami mori pjesë në mbledhjen e 7-të të Bordit për Projektin “Ndihma për projektin e Tregtisë”, të organizuar nga UNDP-ja. Në fjalën e saj, ministrja Hykmete Bajrami theksoi se qëllimi i këtij projekti është që të rritet konkurrueshmëria e ndërmarrjeve tona, në mënyrë që t’u ofrohet bizneseve të vogla qasje në treg, gjë që sot për të gjitha ndërmarrjet jo vetëm në Kosovë, por edhe ato ndërkombëtare, është një nga sfidat kryesore për shkak të konkurrencës së madhe që është gjithandej për shkak të globalizimit të ekonomisë së hapur.

***

Më shumë së gjashtë muaj nga ratifikimi i Marrëveshjes për Asociim dhe Stabilizim, vëmendja është kthyer në drejtimin e zbatimit të saj dhe reformave të kërkuara. Në një diskutim shefja e Zyrës së BE në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se MSA ka rëndësi ekonomike dhe politike për Kosovën dhe se shtetet e BE-së janë të përkushtuara që Kosova të funksionalizojë shtetin ligjor.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, tha se me gjithë simbolikën që ka kjo marrëveshje, fokusi duhet të vendoset në zbatimin dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje. Megjithatë, sipas saj, për zbatimin e MSA-së fatkeqësisht bilanci i punës nuk është pozitiv.

“Për këto gjashtë muaj të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe miratimit të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së fatkeqësisht bilanci i punës tonë nuk është pozitiv. Na duhet të punojmë shumë më shumë që t’i arrijmë objektivat tona dhe të përmbushim obligimin tonë ndaj qytetarëve të vendit, integrimin e Kosovës në BE.”

Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, theksoi se pas hyrjes në fuqi të MSA-së, fatkeqësisht debati publik, por edhe politik trajton tema të tjera në krahasim me nevojat që ka procesi i Integrimit Evropian.

***

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri mbajti dëgjim publik në lidhje me mbikëqyrjen dhe zbatimin e Ligjit për Minierat dhe Mineralet nga diskutuesit u përmendën mangësitë e këtij ligji.

Musa Shabani, kryesues i Bordit në Komisionin për Miniera dhe Minerale tha se “Harmonizimi i Ligjit të Minierave dhe Mineraleve me ligjet tjera, sidomos me Ligjin për Tokat Bujqësore dhe Ligjin për Pyjet e Kosovës”, janë çështje që duhet të jenë pjesë e ndryshim-plotësimit të ligjit.

Kjo gjë sipas tij duhet të ndodhë sepse ekziston një mos-organizim tek sipërfaqet e lejuara të shfrytëzimit dhe kohëzgjatja e pëlqimeve tek Agjencia e Pyjeve të Kosovës.

Ai tregoi se Ligji për Minierat dhe Mineralet lejon shfrytëzim të sipërfaqeve më të mëdha, ndërsa ai për pyjet këtë shfrytëzim e kufizon në pesë hektarë.

Në lidhje me operimet ilegale, u tha të futet në kuadër të obligimeve të inspektorëve të ministrive dhe komunave për parandalim të kësaj dukurie.

Pranvera Dobruna, anëtare e Bordit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), potencoi problemin e licencimit për eksploatim të KEK-ut si ndërmarrje publike me ligjin ekzistues.

Kurse Kemajl Zeqiri nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) tha se në lidhje me eksploatimet e KEK-ut nuk është bërë kurrfarë anashkalimi ligjor.

Neni 49 i Ligjit për Minierat dhe Mineralet parashikon lëshimin e licencave në interes të publikut dhe për ndërmarrjet publike.

***

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, me 5 vota pro e 2 abstenime,  ka miratuar vendimin e qeverisë për lëshimin e licencës kompanisë “Envidity Energy Kosova LL. C.”

Ky vendim do të plotësohet me rekomandime dhe përmirësime, para se t’i shkojë Kuvendit për miratim.

Kryetari Mustafa tha se Komisioni do ti dërgojë disa rekomandime, ndër të cilat kërkohet të analizohen me kujdes përfitimet nga ky projekt.

Kurse Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes, i cili mori pjesë në këtë mbledhje për dallim nga e kaluara, shprehu shqetësimet e tij.

Ai tha se qeveria është treguar joserioze përderisa ka miratuar këtë projekt, pa e analizuar se sa në të vërtet do të jetë i dobishëm ky projekt.

Ai po ashtu tha se “qysh mundet një individ apo grup njerëzish të vendosin për interes publik, kur kemi pak informata për këtë projekt”.

Kompania “Envidity Energy Kosova LLC”, drejtohet nga gjenerali në pension Wesley Clark.

Edhe kompania “Sharrcem” në bashkëpunim me “Titan America-n” ka kërkuar licencë për shfrytëzimin e qymyrit kosovar.

Qeveria ka marrë vendim për lëshimin e licencave edhe për “Sharrcem” e Titan America”.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli –



Lajme të ngjashme