Kinë – Deklarata përfundimtare e samitit të G20-s

Theks i veçantë u vihet rigjallërimit të tregtisë dhe zhvillimit ndërkombëtar, mënjanimit të varfërisë, zhvillimit global gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, rritjes ekonomike inovative, luftës së përbashkët kundër terrorizmit dhe rritjes së punësimit...

Kinë – Deklarata përfundimtare e samitit të G20-s

Në deklaratën përfundimtare të samitit të G20-s, që u mbajt në qytetin Hangzhou të Republikës Popullore të Kinës në datat 4-5 shtator, theks i veçantë u vihet rigjallërimit të tregtisë dhe zhvillimit ndërkombëtar, mënjanimit të varfërisë, zhvillimit global gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, rritjes ekonomike inovative, luftës së përbashkët kundër terrorizmit dhe rritjes së punësimit.

Modeli i zhvillimit inovativ

Shtetet e G20-s vunë në pah nevojën e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike afatshkurtre, duke e theksuar po ashtu nevojën për shfaqjen e potencialit afatmesëm dhe afatgjatë duke i mënjanuar kufizimet e furnizimeve.

Me modelin e zhvillimit global inovativ, gjithashtu u nënvizua se është e nevojshme rritja e bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe investimeve, si dhe ofrimi i mbështetjes së duhur për shtetet në zhvillim në fusha si infrastruktura, energjia dhe kapitali njerëzor.

Në deklaratë është nënvizuar se shtetet pjesëtare të grupit janë të një mendimi sa u përket liberalizimit dhe lehtësimit të investimeve dhe tregtisë globale, duke u thënë më tej se deri në fund të vitit do të përgatitet një plan operativ në lidhje me këtë çështje dhe se do t’u bëhet thirrje organizatave relevante tregtare për zbatimin e dispozitave të ngjashme.

Krahas kësaj, u bënë edhe vlerësimet në lidhje me hapat dhe udhërrëfyesin në lidhje me qëllimin për “mënjanimin e varfërisë botërore deri në vitin 2030”, i cili u iniciua nën kryesimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Reformat strukturore

Më tej, në deklaratë thuhet se reformat strukturore kanë rëndësi jetike për synimin e G20-s për rritje ekonomike të qëndrueshme, të fuqishme dhe të balancuar, ndërkohë që titujt e reformave strukturore prioritare u radhitën në nëntë pika, si në vijim:

1 – Rigjallërimi i tregtisë dhe investimeve ndërkombëtare
2 – Përfitimi nga trajnimet dhe aftësitë duke i nxitur reformat për krijimin e vendeve të punës
3 – Nxitja e inovacionit
4 – Përmirësimi i infrastrukturës
5 – Mbështetja e reformave financiare
6 – Mbështetja e konkurrencës dhe përmirësimi i mjedisit të tregtisë
7 – Përmirësimi dhe përforcimi i sistemit të financave
8 – Përforcimi i qëndrueshmërisë ambientale
9 – Mbështetja e zhvillimit gjithëpërfshirës

Futja e juanit kinez në paketën SDR

Në deklaratë përmendet edhe çështja e prodhimit të çelikut nga kërkesat e tepërta. Sipas deklaratës, çështja në fjalë është problem global, ndërkohë që është e nevojshme që çështja të diskutohet përmes një procesi konsultativ gjithëpërfshirës ku do të marrin pjesë të gjitha palët. Ndërkaq, njoftohet se raporti i progresit i përgatitur me përpjekjet e Forumit Ekonomik Botëror pritet t’i dorëzohet bankave përmes shteteve relevante.

Në lidhje me futjen e valutës kineze juan në shportën e të Drejtave për Tërheqje Speciale (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), është bërë thirrje për kryerjen e vlerësimeve financiare dhe statistikore më gjithëpërfshirëse në lidhje me SDR-në.

Brexit

Krahas asaj se vendimi i Britanisë për largim nga Bashkimi Evropian (Brexit) ka sjellur pasiguri në ekonominë globale, në deklaratë po ashtu nënvizohet se shtetet e G20-s janë të përgatitura në mënyrë efikase për rezultatet ekonomike dhe financiare që do t’i shkaktojë Brexit në botë. “G20 shpreson që Britania të jetën partner i afërt i Bashkimit Evropian në të ardhmen”, thuhet më tej në deklaratë.

Lufta kundër terrorizmit global

Duke iu dhënë theks luftës së përbashkët kundër terrorizmit, deklarata vazhdon më tej se pavarësisht nga shfaqet terrori, burimet financiare dhe infrastruktura teknike e tyre do të izolohen. Nga ana tjetër, u theksua nevoja që të gjitha shtetet që luftojnë terrorizmin, t’i zbatojnë zotimet e tyre për ndarje të informacioneve, ngrirjen e pasurive të terroristëve dhe praktikimit të dënimeve të duhura.



Lajme të ngjashme