Hoxhaj në Abu-Dabi për një agjendë të re ekonomike mes Kosovës dhe EBA-së

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, pas pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit, ka nisur një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku në agjendë ka intensifikimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve.

Enver Hoxhaj Abdullah bin Zayed Al Nahyan
Enver Hoxhaj Abdullah bin Zayed Al Nahyan

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, pas pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit, ka nisur një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ku në agjendë ka intensifikimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve.

Në ditën e parë të vizitës, në Abu-Dabi, Hoxhaj ka takuar ministrin e Jashtëm të Emirateve, Abdullah bin Zayed al-Nahyan, me të cilin kanë diskutuar për një agjendë të përbashkët ekonomike dhe politike në muajt e ardhshëm.

Në takim u ra dakort që së shpejti një grup i investitorëve të vizitojnë Kosovën për të vlerësuar kapacitetet dhe asetet ekonomike të Kosovës, thekson MPJ kosovare në njoftimin dërguar nga Abu-Dabi.

“Sot kam pasur një takim jashtëzakonisht të mirë me ministrin e Punëve të Jashtme të EBA-së, Abdullah bin Zayed al-Nahyan, me të cilin biseduam për shumë çështje të karakterit bilateral. Emiratet kanë qenë dhe janë një partner i rëndësishëm politik meqë e ka njohur Kosovën, ka ndihmuar në rritjen e numrit të njohjeve, por edhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj.

Nga ana e tij, ministri Al-Nahyan ka deklaruar se ka ende shumë mundësi për të bashkëpunuar më afërsisht me Kosovën në të ardhmen.

“Ishte një mundësi e mrekullueshme për mua ta takoj homologun tim nga Kosova dhe të flasim për arritjet dhe progresin e Kosovës. Ne jemi shumë krenarë për marrëdhëniet bilaterale që kemi me Kosovën dhe progresin që është arritur. Ne mund të shpresojmë për një bashkëpunim më të madh në të ardhmen”, ka thënë Al-Nahyan.

Ministrat Hoxhaj dhe Al-Nahyan kanë nënshkruar marrëveshjen për konsultimet e përbashkëta politike.

Hoxhaj gjatë qëndrimit në EBA, do të zhvillojë një sërë takimesh dhe vizitash në Abu-Dabi dhe Dubai, mes tyre edhe takime me Autoritetin e Abu-Dabit për Investime dhe Odën Tregtare.



Lajme të ngjashme