Arrin në 149 000 numri i sipërmarrësve turq në Evropë

Sipas një hulumtimi për vitin 2016 numri i punëdhënësve turq brenda kufijve të BE-së ka arritur në 149 mijë dhe të ardhurat e turqve që punojnë e jetojnë në Gjermani janë 18,4 miliardë euro.

Arrin në 149 000 numri i sipërmarrësve turq në Evropë

Njoftohet se numri i punëdhënësve turq brenda kufijve të Bashkimit Evropian (BE) ka arritur në 149 mijë.

Sipas hulumtimit të Fondacionit Turko-Evropian për Arsim dhe Hulumtime Shkencore (TAVAK) të bërë për vitin 2016, në Gjermani jetojnë 3 milionë 100 mijë turq. Një milion e 700 mijë turq që jetojnë në Gjermani mbajnë pasaporta turke, numri i të rriturve me pasaporta gjermane është 980 mijë, ndërsa i fëmijëve është 360 mijë. 

Nga hulumtimi bëhet e ditur se numri i sipërmarrësve turq brenda kufijve të BE-së ka arritur në 149 mijë.

Kryetari i TAVAK-ut, Faruk Shen (Faruk Şen), në vlerësimin e tij në lidhje me rezultatet e hulumtimit, tha se në BE sot gjenden 3.5 milionë punonjës me origjinë nga Turqia dhe se ky numër korrespondon në 0.67 për qind të gjithë punëtorëve brenda BE-së.

Duke njoftuar se të ardhurat vjetore të turqve në Gjermani janë rreth 18.4 miliardë euro, Shen theksoi se 16.6 miliardë euro nga këto përdoren për harxhimet, ndërsa rreth 1.8 miliardë euro kursehen.

Vetëm në Gjermani ka 77.200 sipërmarrës me origjinë nga Turqia

Faruk Shen thekson se vetëm në Gjermani ka 77.200 sipërmarrës me origjinë nga Turqia dhe se këta punëdhënës janë në një nivel që nuk mund të mohohet për ekonominë gjermane.

Duke bërë të ditur se mes viteve 2006-2012 janë bërë një mijë riatdhesime nga Gjermania në Turqi, Shen u shpreh se supozojnë që në vitin 2023, numri i sipërmarrësve dhe punëdhënësve me origjinë turke në Gjermani do të jetë 95 mijë.

Shen theksoi se nga hulumtimi i realizuar shihet se nuk ka zvogëlim të shifrave pavarësisht disa ecurive negative mes BE-së dhe Turqisë dhe se rënie ka vetëm në qarkullim dhe fitime. Ai bëri të ditur se sipërmarrësit turq brenda BE-së bëjnë investime në 126 sektorë të ndryshëm, ndërkohë që sipërmarrësit me origjinë tjetër investojnë vetëm në pesë sektorë.



Lajme të ngjashme