Koment – Efektet ekonomike të marrëdhënieve Turqi-Rusi

Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me marrëdhëniet Turqi-Rusi dhe efektet potenciale të tyre mbi ekonominë turke.

Koment – Efektet ekonomike të marrëdhënieve Turqi-Rusi

Në botën e sotme gjithnjë e më shumë të globalizuar, vendet e industrializuara apo në zhvillim bëjnë më tepër përpjekje për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe shteteve të tjera. Përmes kësaj rruge synohet rritja e vëllimit tregtar mes vendeve dhe përshpejtimi i zhvillimit ekonomik. Tregtia ndërkombëtare mundëson hyrjen e një kapitali më të madh sidomos në ekonomitë e vendeve në zhvillim e sipër duke sjellë rrjedhimisht shtimin e investimeve dhe reduktimin e papunësisë në këto shtete, gjë kjo që kontribuon direkt në ngritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve.

Ekonomia turke në zhvillim renditet mes atyre 20 më të mëdhave në botë dhe falë popullsisë së saj dinamike në moshë të re synon të hyjë në mesin e 10 ekonomive më të fuqishme, si një nga objektivat primare në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë, që do të shënohet në vitin 2023. E vendosur për arritjen e këtij objektivi, qeveria turke ka realizuar gjatë viteve të shkuara dhe po realizon sot e kësaj dite një sërë reformash brenda vendit, por edhe në marrëdhëniet e saj me skenën ndërkombëtare. Përveçse është një vend me turizëm shumë të zhvilluar, falë edhe bukurive të saj natyrore e historike, Turqia ka gjithashtu një prodhim të lartë bujqësor dhe industrial. Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i Turqisë është rreth 400 miliardë dollarë në vit, ndërkohë që vëllimi i tregtisë së jashtme të saj është gati sa 50% e PBB-së vjetore. Në vëllimin e tregtisë së jashtme turke përfshihen shkëmbimet tregtare me 180 vende të botës. Sakaq, Rusia rezulton një ndër shtetet me pjesën më të madhe brenda tregtisë së jashtme të Turqisë. Pas rrëzimit nga gjuajtësit turq të një avioni luftarak rus, që kishte dhunuar në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore turke pavarësisht se ishte paralajmëruar disa herë nga kontrollorët ajrorë të Turqisë, më 24 nëntor të 2015-s, marrëdhëniet turko-ruse hynë në një fazë të tensionuar.

Më datë 9 gusht 2016, afro 9 muaj nga kriza e avionit, liderët e të dyja vendeve u takuan për herë të parë kokë më kokë në Shën-Petërburg të Rusisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimin e mëtejshëm të tyre. Sipas deklaratave të dy liderëve pas takimeve “tete-a-tete”  dhe mes delegacioneve, Ankaraja dhe Moska janë më se të vendosura dhe kanë vullnetin e duhur për ringritjen e shpejtë të marrëdhënieve në nivelin përpara incidentit të avionit, madje dhe për zhvillimin akoma më shumë të tyre. Disa nga çështjet e akorduara mes Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, janë heqja e barrierave për tregtinë e produkteve ushqimore ndërmjet dy vendeve, rifillimi i fluturimeve direkte dhe rigjallërimi i lëvizjeve turistike nga Rusia në Turqi. Nga ana tjetër, në bisedime është marrë në shqyrtim gjithashtu zhvillimi i bashkëpunimit energjetik turko-rus, me theks të veçantë mbi ndërtimin e Centralit Bërthamor “Akkuyu” dhe gazsjellësit “Rrjedha Turke”.

Si përfundim, gjatë çerekshekullit të fundit në veçanti, vendet e industrializuara dhe ato në zhvillim e sipër po bëjnë më shumë përpjekje për zhvillimin e marrëdhënieve të tyre të jashtme, që sjellin zhvillim ekonomik. Me anë të kësaj rruge synohet rritja e vëllimit tregtar, që mundëson hyrjen e një kapitali më të madh dhe shtimin e investimeve në vend. Gjatë 15 viteve të fundit, një sërë hapash të rëndësishme për marrëdhëniet e jashtme ka bërë edhe Turqia duke zënë kështu vendin e merituar në botën e sotme të globalizuar. Në këtë kontekst, Ankaraja zyrtare ka siguruar heqjen e regjimit të vizave dhe nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare dypalëshe me një numër të madh shtetesh.

Sakaq, një ndër shtetet me pjesën më të madhe brenda tregtisë së jashtme të Turqisë është Rusia. Afro 9 muaj nga fillimi i krizës Ankara-Moskë për shkak të rrëzimit nga ushtria turke të avionit luftarak rus më 24 nëntor 2015, Erdogani dhe Putini u takuan në Shën-Petërburg për normalizimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Palët ranë dakord për rigjallërimin e turizmit dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, rivendosjen e fluturimeve charter, heqjen e masave që kufizojnë tregtinë dypalëshe duke përfshirë edhe produktet bujqësore, hapjen e rrugës për sipërmarrësit turq që veprojnë në Rusi, si dhe rikthimin e plotë të regjimit pa viza. Këto zhvillime të vrullshme do të kenë efekte pozitive në ekonominë turke. Në këtë suazë, përmes vlerësimit me 5% të Bursës së Stambollit dhe fuqizimit të lirës turke në raport me njësitë e tjera monetare përpara datës së takimit Erdogan-Putin është parë se edhe investitorët ndajnë të njëjtin mendim. Marrëdhëniet në zhvillim të mëtejshëm do të përshpejtojnë rritjen ekonomike të Turqisë dhe rrjedhimisht atë të nivelit të mirëqenies së qytetarëve turq.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme