Koment – Rritja ekonomike e Turqisë në tremujorin e parë të 2016-s

Një vlerësim në lidhje me normën e rritjes ekonomike të Turqisë në tremujorin e parë të vitit 2016...

Koment – Rritja ekonomike e Turqisë në tremujorin e parë të 2016-s

Rritja ekonomike paraqet normën, me të cilën rritet prodhimi i brendshëm bruto (PBB) real. Ajo është baza e plotësimit të nevojave në rritje të njerëzve. Me rritje ekonomike kuptohet norma që tregon sesa rritje kanë shënuar mallrat dhe shërbimet e përfunduara në një vend, krahasuar me një vit apo periudhë më parë. Teksa bëjnë krahasimin e performancave ekonomike të vendeve, ekonomistët jo rrallëherë shfrytëzojnë normat e rritjes ekonomike të shteteve. Normat e larta të rritjes ekonomike nënkuptojnë se mirëqenia e qytetarëve ka shënuar progres dhe ekonomia e vendit është rritur. Ndërsa që ekonomitë e vendeve pak të zhvilluara dhe të shteteve në zhvillim e sipër të arrijnë ekonomitë me nivel të lartë zhvillimor, pra, shkallën e vendeve të industrializuara, duhet që të kapin norma të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike.

Ekonomia turke në zhvillim renditet mes atyre 20 më të mëdhave në botë, të cilat njihen si G20. Në krahasim me periudhat e kaluara, gjatë dekadës së fundit ekonomia e Turqisë ka bërë reforma strukturore të llojllojshme në shumë aspekte dhe është bërë më rezistuese ndaj krizave falë qëndrimit të palëkundur të sektorit bankar. Ekonomia turke, e cila arriti norma pozitive të rritjes në periudhën pas krizës financiare botërore të vitit 2008 duke e ruajtur këtë ecuri ekonomike të mirë deri më sot, vazhdon të qëndrojë fuqishëm edhe në mesin e vendeve në zhvillim. Si pasojë e krizës financiare botërore të 2008-s, ekonomitë e shumë vendeve të industrializuara dhe në zhvillim po tkurren, po bëhen statike ose në rastin më të mirë po regjistrojnë norma shumë të ulëta rritjeje. Gjithashtu për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe të mallrave, që filloi në vitin 2014, një goditje të rëndë kanë marrë edhe normat e rritjes së atyre vendeve, ekonomitë e të cilave varen drejtpërdrejt dhe kryesisht nga burimet natyrore.

Ndërsa Turqia, si një shtet me popullsi dinamike të re në moshë dhe me një ekonomi që gëzon një sektor të zhvilluar të mallrave dhe shërbimeve, vijon të ketë zhvillim ekonomik pavarësisht rënies së tregtisë jo vetëm me vendet evropiane në recesion, por edhe me ato të pasura me burime natyrore në Lindjen e Mesme. Kjo perspektivë u mbështet edhe nga raporti i publikuar më 10 qershor nga Instituti i Statistikave të Turqisë (TUIK) mbi të dhënat e prodhimit të brendshëm bruto për tremujorin e parë të këtij viti (janar-mars 2016). Sipas raportit në fjalë, llogaritur me metodën e prodhimit, PBB-ja me çmime konstante është rritur me 4,8% gjatë tremujorit të parë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të 2015-s, për një total prej 31 miliardë e 679 milionë lirash turke (TL). Në të njëjtën periudhë, norma e rritjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është realizuar në nivelin 0,8%. Siç njoftohej në një raport të mëparshëm të TUIK-ut për vitin 2015, rritja ekonomike e Turqisë ishte 2,5% gjatë periudhës janar-mars të vitit të kaluar dhe gjithsej 4% në termin 12-mujor. Duke qenë se shifrat e rritjes ekonomike të Turqisë për çerekun e parë të 2016-s kanë rezultuar më të larta sesa pritej, ndërkohë që parashikimet e shumë institucioneve dhe agjencive ekonomiko-financiare nuk shkonin më tepër se 4,2%, njëherësh është rritur edhe pritma në lidhje me performancën e ekonomisë turke në fund të vitit.

Turqia ka shënuar rritje të konsiderueshme gjithashtu në shpenzimet publike dhe në ato të familjeve, respektivisht 11% dhe 7%, të cilat janë dy llojet e shpenzimeve brenda vendit me kontributin më të lartë në rritjen ekonomike. Vlera totale e shtuar me çmime konstante e aktiviteteve, që formojnë sektorin e bujqësisë, është rritur me 2,7% gjatë muajve janar-mars të 2016-s në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, për një total prej 1 miliard e 447 milionë TL; ndërsa me çmime aktuale ajo është rritur me 8,6% dhe është realizuar në 18 miliardë e 937 milionë TL. Në të njëjtën periudhë, vlera totale e shtuar me çmime konstante e aktiviteteve, që formojnë sektorin industrial, është rritur me 5,9% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2015-s, për një total prej 10 miliardë e 785 milionë TL; ndërsa me çmime aktuale ajo ka shënuar një rritje me 12,3% dhe ka arritur në gjithsej 120 miliardë e 354 milionë TL. Kurse vlera totale e shtuar me çmime konstante e aktiviteteve, që formojnë sektorin e shërbimeve, është rritur me 5,1% në krahasim me tremujorin e parë të vitit të 2015-s duke kapur totalin prej 19 miliardë e 884 milionë TL; ndërsa me çmime aktuale rritja është regjistruar në nivelin 12,5% dhe shuma e përgjithshme ka rezultuar në 301 miliardë e 633 milionë TL.

Si përfundim, të gjitha vendet përpiqen me ngulm që ekonomitë e tyre të regjistrojnë norma të larta rritjeje në çdo periudhë. Rritja ekonomike sjell me vete reduktimin e papunësisë dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Edhe ekonomia turke në zhvillim gjendet në një trend rritjeje të vazhdueshme prej një kohe të gjatë, me përjashtim të krizës financiare botërore të vitit 2008. Pozitive në këtë aspekt ishin edhe shifrat e rritjes ekonomike për tremujorin e parë të 2016-s, publikuar gati dy javë më parë nga Instituti i Statistikave të Turqisë. Norma e rritjes ekonomike të Turqisë për çerekun e parë të këtij viti rezultoi 4,8% dhe kjo është një shkallë e lartë në krahasim me nivelin e rritjes ekonomike të vendeve të tjera në zhvillim dhe të atyre të industrializuara gjatë të njëjtës periudhe. Sipas parashikimeve, norma e rritjes ekonomike turke do të jetë e lartë edhe gjatë periudhës në vijim; gjë kjo që nënkupton rritjen e mëtejshme të nivelit të mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Turqisë.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme