Shqipëri&Maqedoni lidhin marrëveshje për njohjen e pensioneve

Ministri shqiptar i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi dhe ministri i Punës dhe Politikave Sociale të Maqedonisë, Dime Spasov firmosën të hënën në Tiranë marrëveshjen për njohjen reciproke të pensioneve mes dy vendeve.

Shqipëri&Maqedoni lidhin marrëveshje për njohjen e pensioneve

Ministri shqiptar i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi ka pritur sot në një takim ministrin e Punës dhe Politikave Sociale të Maqedonisë, Dime Spasov.

Siç njofton agjencia turke e lajmeve pas takimit është nënshkruar edhe marrëveshja për njohjen e pensioneve Shqipëri-Maqedoni.

Në fokus të takimit gjithashtu ka qenë tregu i punës dhe bashkëpunimi për arsimin profesional. Pas takimit bilateral në ambientet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, është nënshkruar marrëveshja për njohjen reciproke të pensioneve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp ministri Klosi theksoi se kjo marrëveshje do ti shërbejë qindra shqiptarëve që punojnë aktualisht në Maqedoni dhe dhjetëra biznesmenëve maqedonas që kanë nisur të hapin bizneset e tyre në Shqipëri.

Në vijim të fjalës së tij Klosi theksoi se kjo do ti hapë rrugë nxitjes së mëtejshme të zhvillimit të tregut të përbashkët të punës dhe shkëmbimeve në tregun e punës.

Ndërsa ministri maqedonas Spasov në fjalën e tij deklaroi se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme mes dy vendeve që do të rrisë lehtësinë e shkëmbimeve të punonjësve të të dyja vendeve.

''Rritja e komunikimit dhe bashkëpunimit do ti shërbejë krijimit të një tregu të përbashkët rajonal të punës'' është shprehur në vijim të fjalës së tij ministri Spasov.

Mes dy homologëve u ra dakord rritja e bashkëpunimit për arsimin profesional dhe për bashkëpunim më të afërt në mënyrë që studentëve dhe nxënësve shqiptare nga Maqedonia t'iu mundësohet ndjekja e arsimimit në Shqipëri.

Mes dy ministrave është diskutuar gjithashtu mundësia e bashkëpunimit në fushën e punësimit sezonal mes qytetarëve të dy vendeve.



Lajme të ngjashme