“Brexit” – Tregjet globale regjistrojnë lëkundjet më të forta pas 2008-s

Vendimi i Britanisë së Madhe për të dalë nga Bashkimi Evropian shkaktoi një tërmet të vërtetë edhe në tregjet ndërkombëtare. Tregjet globale po dëshmojnë lëkundjet më të mëdha që pas krizës financiare botërore të vitit 2008.

“Brexit” – Tregjet globale regjistrojnë lëkundjet më të forta pas 2008-s

Vendimi i Britanisë së Madhe për të dalë nga Bashkimi Evropian shkaktoi një tërmet të vërtetë edhe në tregjet ndërkombëtare.

Tregjet globale po dëshmojnë lëkundjet më të mëdha që pas krizës financiare botërore të vitit 2008.

Monedha britanike u zhvlerësua sot mbi 10 për qind në raport me dollarin amerikan duke rënë në nivelin më të ulët të 30 viteve të fundit.

Në Bursën e Londrës, vlera e përgjithshme e 100 kompanive më të fuqishme pësoi një humbje kolosale prej 100 miliardë sterlina.

Guvernatori i Bankës së Anglisë (BoE), Mark Carney, deklaroi sot se institucioni ishte i gatshëm të injektonte 250 miliardë sterlina (326 miliardë euro) nga fondet shtesë për të siguruar likuiditete të mjaftueshme për funksionimin e tregjeve, pas fitores së “Brexit”.

“Banka e Anglisë është gjithashtu në gjendje për të financuar likuiditete të konsiderueshme në valutë të huaj, në rast nevoje”, shtoi Carney në një intervistë televizive.

Këshilli Ekzekutiv i bankës qendrore britanike njoftoi gjithashtu përmes një komunikate se janë duke monitoruar nga afër zhvillimet më të fundit dhe se janë të vendosur për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit.

Agjencia ndërkombëtare e klasifikimit të kredive, “Standard & Poor’s”, bëri me dije se nota kreditore “AAA” e Britanisë së Madhe tashmë nuk pasqyron më realitetin.

Më hapjen e seancës së mëngjesit, tregjet evropiane humbën sot rreth 10 për qind në vlerë.

Në Bursën e Frankfurtit humbja ishte 7,5 për qind; kurse në Paris 9 për qind.

Humbja e përgjithshme në bursat evropiane rezultoi marramendëse: 650 miliardë euro.

Por ato që u prekën më tepër nga kriza ishin bankat evropiane, vlera totale e të cilave pësoi një rënie me 14,5 për qind.

Sakaq, tatëpjetën më fortë të viteve të fundit morën sot edhe bursat aziatike, sidomos ajo e Hongkongut, që njihet për lidhjet e ngushta me Anglinë, me rreth 5 për qind humbje.

Aktualisht një port i sigurt për investitorët në Azi duket vetëm njësia monetare bazë e Japonisë. Edhe pse për jo shumë kohë, vlera e dollarit ra sot nën 100 jenë japonezë.

Dollari australian, valuta koreanojugore (won) dhe njësitë e tjera monetare në Azi pësuan rënie të forta edhe në raport me jenin japonez, edhe kundrejt dollarit amerikan.

Zhvlerësimet më të mëdha janë regjistruar tek rupi indian dhe ringiti malajzian.

Ndërsa vlera e arit u rrit me 6 për qind duke kapur nivelin më të lartë të 2 viteve të fundit dhe duke u ngjitur për herë të parë në mbi 1.300 dollarë për ons.

Frika për një krizë të re ka prekur edhe tregjet e hidrokarbureve duke ulur menjëherë çmimet e naftës.

Në tregjet aziatike, nafta e tipit amerikan u zhvlerësua mbi 6 për qind dhe ra në 47 dollarë për fuçi, ndërkohë që një fuçi naftë e Detit të Veriut u shit nën 48 dollarë.

Ditën e sotme e nisi me një humbje prej rreth 3 për qind edhe bursa amerikane.



Lajme të ngjashme