Boronica mund të jetë ari i kaltër i Kosovës

Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm për kultivimin e boronicës, e cila mund të njëjtin sukses në eksport ashtu si mjedra.

516286
Boronica mund të jetë ari i kaltër i Kosovës
boronica - kosova-memli krasniqi-3.jpg
boronica - kosova-memli krasniqi-4.jpg

Ekziston potencial i jashtëzakonshëm për kultivimin e boronicës, e cila mund të arrijë suksesin e mjedrës në eksport, është thënë me rastin e fillimit të ditëve të promovimit të boronicave në Kosovë.

Katër fermerë kultivojnë shumicën e sipërfaqes me boronicë në Kosovë, që në këtë vit sillet rreth 20 hektarë me prodhimtari aktive. Sipas ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi, në vendin tonë ka një perspektivë të jashtëzakonshme për kultivimin e kësaj kulture, që në disa vende eksportuese quhet ar i kaltër.  

“Tashmë të gjithë flasin për mjedrën dhe të gjithë e dinë suksesin që e kemi treguar me mjedrën, por ne besojmë se të njëjtin sukses ndoshta edhe më të madh në të ardhmen mund e duhet ta ketë edhe boronica e Kosovës e cila krahasuar me shumicën e vendeve të rajonit e më gjerë ka përparësi edhe në kuptimin e cilësisë së saj”, tha Krasniqi.

Ministri Krasniqi po ashtu theksoi se ekziston një potencial i jashtëzakonshëm edhe për eksport. Kurse drejtori i USAID-it për Kosovë, James Hope, tha se boronicat janë me kualitet të lartë dhe shumë të shijshme, prandaj nuk është fare për t’u befasuar se prodhimi e shitja janë në rritje në Kosovë, njëkohësisht për eksport.

“Kjo tregon fuqinë dhe potencialin e sektorit të bujqësisë në Kosovën e cila mund ta shtyjë rritjen ekonomike dhe krijojë vende pune”, tha Hope.

Se kultivimi i boronicës është dobiprurës, tregon edhe rasti i njërit prej kultivuesve, i cili është kthyer nga një shtet evropian dhe ka investuar në këtë sektor.

***

Kushtet e favorshme klimatike, sidomos gjatë ditëve të fundit, kanë pasur ndikim pozitiv në kulturën e grurit në Kosovë. Pal Gjuraj, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Grurit në Kosovë, thekson se si rezultat i kësaj, sivjet pritet të ketë rendimente më të larta dhe shumë cilësore.

“Kushtet klimatike që kanë mbretëruar që nga mbjellja e deri më tani, sidomos reshjet e fundit, priten rendimente. Gjithashtu edhe cilësia e grurit sivjet do të jetë më e lartë”, potencoi Gjuraj.

Por, Gjuraj thekson se gjendja teknike e autokombajnave në Kosovë nuk është e kënaqshme. Sipas tij, komisionet komunale për korrje-shirje duhet të konstatojnë gjendjen e tyre dhe mos të lejojnë hyrjen në punë të atyre makinave që e humbin grurin gjatë korrje-shirjeve.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, potencoi faktin që shteti duhet ta tregojë forcën e tij, duke i mbështetur prodhuesit në format më të mira. Madje, sipas tij, shteti duhet ta ndalë importin e grurit për dy muaj, në mënyrë që të stimulohet prodhimtaria vendore.

 “Në aspektin afatshkurtër qeveria duhet të ndërmarrë masa për mbrojtjen e tregut të grurit dhe miellit, duke e kushtëzuar importin e grurit me blerjen e grurit dhe miellit vendor të prodhuar në Republikën e Kosovës”, tha Gërxhaliu.

Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, në Kosovë çdo vit prodhohen rreth 300 mijë tonë grurë. Kjo sasi e grurit i plotëson rreth 70 të nevojave të tregut kosovar. Ndërsa pjesa tjetër plotësohet nga importi.

***

Sektori i qumështit mbetet sektori më strategjik për zhvillimin ekomomik të vendit. Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, duke mbështetur këtë sektor, tha se cilësia e qumështit në Kosovë është e mirë dhe kjo vazhdon çdo ditë e më shumë, të rritet.

Këto komente u bënë në konferencën “Transparenca dhe neutraliteti në marrjen e mostrave dhe kontrolli i cilësisë dhe pagesa për qumështin e papërpunuar në Kosovë”, të organizuar nga Shoqata e Prodhueseve të Qumështit të Kosovës.

Kurse Naser Bajraktari, nga Shoqata duke folur për projektin në fjalë, tha se aty kanë qenë të përfshirë 2 mijë 700 fermerë.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Libor Chlad, tha se është e rëndësishme që në treg të kemi kualitetet të mirë të qumështit.

***

Ministria e Bujqësisë ka certifikuar afro 140 këshilltarë bujqësorë të sektorit publik dhe privat. Kjo u jep mundësi bujqve që të angazhojnë këshilltarët e licencuar për shërbime profesionale për veprimtarinë e tyre bujqësore.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, shërbimet këshilluese i ka cilësuar hallka kryesore për avancimin e sektorit të bujqësisë. Sipas tij, këta këshilltarë do të ndikojnë në ngritjen e zhvillimeve bujqësore, që janë me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.

“Me ju, 136 këshilltarët e certifikuar për bujqësi dhe zhvillim rural, këshillat bujqësore do të jenë konkrete, profesionale, dhe do të ndikojnë në ngritjen e nivelit të edukimit jo formal mbi kultivimin e shumë kulturave bujqësore dhe në zhvillimin e aktiviteteve të tjera në këtë sektor”, tha Krasniqi.

Zëvendës-shefi i bashkëpunimit në Zyrën e BE-së, Libor Chlad, tha se Bashkimi Evropian është në mbështetje të bujqësisë, ngase e njeh potencialin bujqësor në ndikimin ekonomik dhe në punësim. Ai tha se këta këshilltarë do të luajnë një rol thelbësor në bujqësi.

Ndryshe, këshilltarët e certifikuar, do të kenë shtrirje në tërë komunat e Kosovës për këshillimin e bujqve.

***

Shoqata e Ndërtimtarëve ankohet te pushtetet lokale dhe një pjesë e pushtetit qendror, se po shkelin ligje duke i penguar në kryerjen e punëve. Këto komente u bënë gjatë shqyrtimit të problematikës së tatimit për ndërtues, ku morën pjesë edhe ministri i Financave, Abdullah Hoti, dhe kreu i Odës, Safet Gërxhaliu.

Ndërtimtarët u ankuan për kushtet e vështira të punës në Kosovë. Kryetari i Shoqatës, Ibrahim Selimaj, tha se ligjet po shkelen nga institucionet.

“Shkelësit e ligjit nuk janë ndërtimtarët por pushtetet lokale dhe një pjesë e pushtetit qendror, ministria e ambientit dhe planifikimit hapësinor dhe ky është dikaster i cili më së shumti e mbush arkën e shtetit e posaçërisht pushtetit lokal, dhe jemi të diskriminuar me të gjitha format e pagesës së taksave që bëjnë me theks të veçantë kuvendet komunale”, tha Selimaj.

Kurse ministri i Financave, Abdullah Hoti, tha se me komunitetin e biznesit kanë ndërtuar marrëdhënie partneriteti.

“Qëllimi i takimit është që ne të sqarojmë bashkë me ju mënyrën e aplikimit të TVSh-së në furnizimin e shërbimeve në lëmin e ndërtimit, me qëllim që ju ta gjeni më të lehtë për të respektuar ligjin e ri të TVSh-së, në mënyrë që ta zvogëlojmë informalitetin... t’i japim më shumë mundësi kompanive që të kooperojnë brenda sektorit.”, tha ministri Hoti.

Nga ana e tij, kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, kërkoi që ndërtimtarët të orientohen në tregjet e rajonit e të Evropës, përmes krijimit të kompanive të përbashkëta.

***

Kabineti qeveritar miratoi projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për financat e pushtetit lokal. Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se ky projektligj ka për qëllim sigurimin e buxhetit minimal të nevojshëm për mbulimin e kostos së shpenzimeve komunale në komunat e vogla.
“Me këtë projektligj është paraparë që për një periudhë kalimtare deri në vitin 2019 nga granti i përgjithshëm që iu takon komunave që është në shumë prej 10 për qind të të hyrave të rregullta tatimore të ndahen 4 milionë euro komunave që kanë popullsi që kanë më pak se 22 mijë banorë që janë gjithsej 14 komuna”, tha Hoti.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kishte propozim që shumat e mjeteve të mos përcaktohet me ligj por t’i jepet mundësi qeverisë ta caktojë atë me vendime.
“Ndoshta juridikisht mund ta rregullojmë pak më mirë. E para ndoshta për këtë vit nuk prishin punë 4 milion, por në ligj të mos shënohet shuma por të shënohet që me vendim të veçantë të qeverisë të bëhet përjashtim nga ky rregull nga viti në vit”, deklaroi Kuçi.
Sidoqoftë, ministri Financave, tha se vlerësimi edhe i zyrave ligjore edhe i komisionit për buxhet është që çështja e ndarjes së buxhetit duhet të bëhet vetëm me ligj.
Ndryshe, në mbledhjen e qeverisë u miratuan edhe një varg vendimesh tjera, mes të cilëve edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes IPA 2017 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

***

Në Ditën Ndërkombëtare të Akreditimit, zëvendës-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati tha se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ka favore të mëdha për Kosovën, por që institucionet e Kosovës duhet të plotësojnë kushtet që të jemi vend adekuat për eksportuar për tregun evropian. Një ndër ato, është akreditimi i të gjithë laboratorëve, me anë të të cilëve bëhet verifikimi i të gjitha produkteve, tha ai.

Kurse Hafiz Gara duke folur për infrastrukturën e cilësisë, ka inkurajuar bizneset që të kërkojnë ndihmë nga MTI. Ndërsa, përfaqësuesi nga Komisioni Evropian Libor Glaut tha se BE është një treg i veçantë, andaj këto mallra duhet të ofrojnë  kualitet dhe të plotësojnë standardet evropiane.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës, deri më tani  janë akredituar 38 laborator, përderisa 8 janë në proces.

***

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se  falë partnerëve të saj ndërkombëtarë Kosova po qëndron në këmbët e veta. Në takimin ndërkombëtar të Lidershipit, Veseli ka thënë se  Kosova po u tregon çdo ditë fqinjëve se është e përkushtuar për paqe e stabilitet.

“Demokracia është ajo që na lejon t’i tejkalojmë dallimet tona. Këtu në Kosovë kemi përfshirë të gjitha pjesët e shoqërisë, si nga aspekti teknik, ashtu edhe religjioz. Megjithatë, për të arritur deri te demokracia, nuk ka qenë një rrugë e lehtë për Kosovën”, ka thënë ai.

Veseli ka potencuar se Ballkani ka qenë një vatër lufte për një kohë të gjatë.

“Ne besojmë në drejtësi dhe besojmë se nuk jemi të vetmuar, sepse kemi afër njerëz të mirë të cilët do të na ndihmojnë që të mbizotërojmë mbi terrin dhe prapambetjen. Jemi të kënaqur që këtu kemi njerëz si ju”, theksoi krye-kuvendari Veseli.

***

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Jacques Miniane, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në sektorin financiar e buxhetor në Kosovë.

Miniane e njohu kryetarin Veseli me opinionin e tij lidhur me qëndrueshmërinë financiare të Kosovës në raport me vendet e tjera të rajonit, ndërsa shtroi nevojën që të ruhet kjo qëndrueshmëri dhe të kihet kujdes në shpenzimet e paplanifikuara, të cilat mund të kenë implikime financiare në raport me zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit.

Kryetari Veseli falënderoi Miniane për kontributin që po jep FMN-ja me rekomandime dhe aktivitete të tjera në ruajtjen e qëndrueshmërisë makro-financiare të vendit dhe stabilitetit buxhetor, përkushtim ky, gjithashtu, edhe i institucioneve lokale e qendrore.

 - Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme