Mustafa e Rama dakordohen për unifikim të plotë të tregut Kosovë-Shqipëri

Në mbledhjen e fundit të përbashkët të dy qeverive mbajtur në Prishtinë është rënë dakord për unifikimin e plotë të tregut Kosovë-Shqipëri, i konkretizuar dy dakordësim edhe me nënshkrimin e 7 marrëveshjeve.

507445
Mustafa e Rama dakordohen për unifikim të plotë të tregut Kosovë-Shqipëri
Edi Rama-Isa Mustafa.jpg

Në mbledhjen e fundit të përbashkët të dy qeverive mbajtur në Prishtinë është rënë dakord për unifikimin e plotë të tregut Kosovë-Shqipëri, i konkretizuar dy dakordësim edhe me nënshkrimin e 7 marrëveshjeve.

Shtatë marrëveshje janë nënshkruar pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, të mbajtur në Prishtinë. Mbledhjen e udhëhoqën kryeministra e dy vendeve Isa Mustafa dhe Edi Rama.

Marrëveshjet janë:

1. Për njohjen e ndërsjellë të certifikatës së testim/kalibrim të tahografit të mjeteve rrugore.
2. Për bashkëpunim në mes autoriteteve tatimore dhe doganore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e hetimeve administrative, hetimeve tatimore dhe doganore.
3. Për krijimin e Qendrës së Përbashkët Trajnuese.
4. Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shtetit për Inovacion dhe Administratë Publike të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e kapaciteteve në realizimin e reformave në fushën e mirëqeverisjes dhe administrimit publik.
5. Për Partneritet për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
6. Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit të Republikës së Shqipërisë.
7. Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë.
Dy kryeministrat kanë nënshkruar edhe një deklaratë të përbashkët. Aty vec tjerash thuhet se dy kryeministrat kanë rënë dakord të ndërmarrim iniciativa dhe angazhime konkrete.

Krijimin, brenda muajit qershor 2016, të një mekanizmi për zbatimin, ndjekjen dhe realizimin e marrëveshjeve dhe të gjitha angazhimeve të marra deri më tani midis dy vendeve. Pastaj funksionalizimin brenda muajit korrik 2016 të të gjitha komisioneve të përbashkëta, sipas marrëveshjeve të arritura. Hartimin e një kalendari të dakorduar dhe krijimin e një mekanizmi për ndjekjen dhe realizimin e të gjitha masave dhe angazhimeve në kohë reale, për të shkuar drejt unifikimit të plotë të tregut. Përpilimin e një liste unike projektesh të përbashkëta për zhvillimin e zonave ndërkufitare etj.

***

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë të ditur se partneri privat (Brezovica Resorts, LLC), në afatin e fundit e ka dorëzuar dokumentacionin lidhur me nivelin e përmbushjes së kushteve paraprake para hyrjes në fuqi të marrëveshjes së Partneritetit Publiko Privat (PPP).

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projekti për ekonominë e Kosovës, Komiteti Drejtues Ndërministror do të vazhdojë të vlerësojë me kujdes dokumentet e dorëzuara”, thuhet në komunikatë të MTI-së.

Në vazhdim thuhej se pas shqyrtimit të plotë nga ekspertët e brendshëm dhe të jashtëm, dhe pasi Komiteti Drejtues Ndërministror të ketë finalizuar diskutimet e tij, një vendim për dokumentet e dorëzuara do t’i komunikohet publikut të gjerë. Për këtë projekt të mërkurën është shprehur edhe kryeministri Isa Mustafa, pas vizitës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ku i ka ofruar mbështetje ligjore Bordit të AKP-së.

“Fituesi i projektit zhvillimor për kompleksin turistik “Brezovica”, konsorciumi francez “MDP Consulting-Compagnie des Alpes”, ka dorëzuar në Ministrinë e Tregtisë dokumentet që kërkohen me kontratë. Kurse, tash i mbetet komisionit të verifikojë se a janë në përputhje me kriteret e parapara”, ka thënë Mustafa.

***

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm që ka të bëjë me disiplinën fiskale dhe me efikasitetin e menaxhimit të financave. Kështu u tha në takimin e parë të Dialogut të Politikave të Menaxhimit të Financave Publike, ku u prezantua Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike.

Strategjia për Menaxhimin e Financave, përfshin objektivat të cilat ndërlidhen me Reformën e Administratës Publike, e cila përbëhet nga katër shtylla: disiplina fiskale, efikasiteti i alokimeve, efikasiteti operacional dhe çështjet që janë të lidhura me menaxhimin e financave publike. Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, theksoi se kjo strategji është e rëndësishme në raport edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Hartuesi i Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike, Rexhep Vasolli, tha se kjo strategji identifikon sfidat dhe prioritet për vendin, duke potencuar se strategjia synon mbledhjen e qëndrueshme të të hyrave.

Gjatë takimit të parë u kërkua përmirësimi i transparencës dhe implementimi i plotë i strategjisë. 

***

Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës filluan diskutimet politike të nivelit të lartë për reformën e administratës publike në Kosovë.

Diskutimet janë fokusuar në zhvillimin e shërbimeve publike dhe resurseve njerëzore si dhe në ofrimin e shërbimeve dhe përgjegjësive. Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar, premtoi se do të vazhdojnë investimet për modernizimin e administratës.

“Mendoj se as reforma e administratës publike nuk mund të realizohet pa shërbyesit civilë.  Një administratë publike efikase është çelësi kyç i qeverisjes së mirë dhe demokratike. Prandaj, detyrë dhe obligim i yni është që të vazhdojmë investimin në kapitalin njerëzor”, ka thënë Jagxhëllar.

Për rëndësinë që sjell reforma në administratën publike, ka folur shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Ndonëse reforma ka një kosto të lartë, sipas tij, Kosova duhet të punojë më shumë në këtë drejtim. 

Zhbogar po ashtu konsideron se organizimi i shërbyesve civilë duhet të bazohet në parimet profesionale edhe në praktikat e mira të menaxhimit të shërbimit civil. 

***

Në Mitrovicë është bërë inaugurimi i fabrikës me të madhe në Evropë për prodhimin e kërpudhave japoneze Shiitake, Hirao Mushroom. Fabrika e kërpudhave në Mitrovicë, tani për tani ka të punësuar 70 punëtorë,  ndërsa në të janë investuar pesë milionë euro. 

Drejtori ekzekutiv i fabrikës, Valdrin Lluka  tha se ky projekt zbut mirëqenien e shumë familjeve në këtë pjesë.

Qeveria e Kosovës ka bllokuar vendin e planifikuar të ndërtohet fabrika, duke bërë që investitorët të gjejnë zgjidhje tjetër, tha kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli.

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ndërkaq, tha se ky është fillimi i fabrikës. Siç tha ai, kjo fabrike do të rritet duke bërë që numri i punëtorëve të shtohet deri në 200 brenda vitit. Kurse investitori japonez, Joshirano Hirao tha se janë të përkushtuar që ta ndihmojnë popullin e Kosovës.

“Është kënaqësi për mua që të jem këtu në Kosovë në inaugurimin që po bëhet për kërpudhat dhe kjo ndikon në ekonomin e Kosovës. Kjo është hera e parë që  bashkëpunojmë me Kosovën në këtë sferë me shtetin e Japonisë”, tha Hirao.

Të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme për ekonominë e vendit ishin edhe ambasadorë të vendeve të huaja në Kosovë.

***

Policia dhe AKP-ja gjatë një aksioni e kanë mbyllur Hotelin “Victory”, dhe të njëjtin e kanë kthyer në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Objekti i Hotel “Victory”, ishte pjesë e ndërmarrjes Auto Prishtina dhe që nga përfundimi i luftës ky objekt ishte uzurpuar nga Bedri Selmani.

Mirëpo, ky aksion është vlerësuar si i kundërligjshëm për vajzën e pronarit Selmani, që është edhe menaxhere e këtij hoteli.

Ajo ka kundërshtuar duke thënë se policia bashkë me AKP-në, e kanë marrë këtë aksion pa ndonjë vendim nga ana e gjykatës ose e prokurorisë dhe si i tillë ky është një aksion i pa pranueshëm për ta.

Së bashku me Hotel “Victory”, janë mbyllur edhe objektet e tjera për rreth të cilat kanë qenë në pronësi të ndërmarrjes Auto Prishtina, të cilat tanimë kanë kaluar në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. 

Aksioni për lirimin e pronave të uzurpuara pas luftës ka filluar kohën e fundit dhe deri më tani janë ndërmarrë disa aksione nga organet e rendit në bashkëpunim me ato të drejtësisë. Gjithsesi, mbetet të lirohen edhe dhjetëra prona të tilla me pronarë të paligjshëm.

***

Në tryezën me titull “Ecuritë e Transformimit të Trepçës”, kryeministri, Isa Mustafa, tha se ligji është bazamenti që ofron strukturën organizative dhe ofron çështjen e përkohshme pronësore të rregullimit të Trepçës.

Duke iu referuar faktit se fati i Trepçës është trajtuar që nga pas lufta, kryeministri Mustafa, tha se për Trepçën jo vetëm që janë të lidhura efektet ekonomike por Kosova ka edhe emocione të veçanta për të.

Sipas Mustafës, që nga viti i kaluar është vendosur që të sillet në Kuvend një ligj i veçantë për Trepçën, dhe tani duhet që përfundimisht të zgjidhet statusi i këtij gjiganti ekonomik.

“Ligji është një bazament i cili ofron strukturën organizative, ofron marrëdhëniet e brendshme, ofron çështjen e përkohshme pronësore të rregullimit të Trepçës. Do t’i kemi pastaj problemet debitore dhe kreditore të cilat do t’i zgjidhim, por nuk jemi për atë që ta zgjasim më tutje këtë agoni të Trepçës”, tha kryeministri.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, theksoi se do të duhej të ketë një participim të sektorit privat në Trepçë, pa pjesëmarrje substanciale të të cilit nuk mund të ketë revitalizim të prodhimit, të minierave dhe të metalurgjisë, duke shtuar se kujdesi ndaj punëtorëve dhe komunitetit përreth kësaj industrie do të duhej të ishte maksimal.

 “Këta punëtorë kanë sakrifikuar gjithçka nga vetja e tyre, jo vetëm për këtë industri. Për më tepër, ata ishin pararendës në çdo iniciativë për lirinë e vendit. Prandaj, ne duhet të jemi të ndjeshëm ndaj këtij procesi. Ndoshta do të duhet konsideruar edhe mundësinë që një pjesë e aksioneve të Trepçës t’u takojnë atyre”, tha krye-kuvendari.

Veç tjerash, në këtë tryezë u tha se kreditori më i madh në Trepçë është Qeveria e Kosovës dhe punëtorët e saj. Të tjerat do të duhet trajtuar me kujdes të madh, meqenëse kanë qenë në kohë të errëta dhe me shumë dilema të ndërlidhura me regjimin e Millosheviqit, duke e shikuar mundësinë për ngritjen e padisë për dëmet që i janë shkaktuar Trepçës dhe mjedisit përreth.

Ndërkohë, nga ekspertë ndërkombëtarë u prezantuan edhe studime të rastit lidhur me transformimin dhe ristrukturimin e kompanive minerare të huaja, të ngjashme me Trepçën. 

***

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në punimet e forumit ekonomik “Kosova, treg me mundësi të plota”, e cila u mbajt në Vjenë të Austrisë, tha se diaspora e Kosovës në Austri dhe ndërmarrjet austriake tashmë kanë një destinacion të ri të investimit në Kosovë, i cili ofron mundësi të jashtëzakonshme për investitorët. 

“Ne kemi ndërtuar bazë të mirë ligjore dhe politika fiskale që përkrahin një klimë të favorshme për çdo ndërmarrësi”, theksoi Veseli.

Krye-parlamentari Veseli, i shoqëruar nga ministrat e resorëve ekonomikë e financiarë të Qeverisë së Kosovës, zhvilloi një takim të veçantë me përfaqësues të Odës Ekonomike Austriake. Veseli tha se pret që këto marrëdhënie të shndërrohen në këmbime ekonomike, thuhet ndër të tjera në një komunikatë për media të Kuvendit të Kosovës. Në këtë forum ka marrë pjesë edhe ministri i Financave, Abdullah Hoti. Ai ka theksuar se reformat në fushën fiskale që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në këto dy vitet e fundit, përveç që kanë krijuar një ambient të mirë për zhvillimin e biznesit, ato kanë ndikuar edhe në gjenerimin më të mirë të të hyrave.

Në Forumin Ekonomik morën pjesë edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe ai i Bujqësisë Memli Krasniqi. Pjesëmarrës përveç 40 kompanive austriake ishin edhe përfaqësues të 20 bizneseve të Kosovës.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme