Kosovë - Paratë e diasporës të investohen, jo të përdoren për konsum

Paratë e diasporës të investohen, jo të përdoren për konsum, është përfundimi që ka dalë nga konferenca "Diaspora-Investimet dhe Punësimi" që u mbajt në Prishtinë.

Kosova – diaspora-yatırım-istihdam konferansı-Angelika Viets.jpg

Janë afro 700 milionë euro para që dërgohen çdo vit nga diaspora për familjet e tyre në Kosovë. Dhe këto mjete duhet të shndërrohen në investime, është thënë në konferencën "Diaspora-investimet dhe punësimi" që u mbajt në Prishtinë. Kjo formë e plasimit të mjeteve do të ishte më mirë si për familjet e tyre, ashtu edhe për gjithë vendin, tha ministrja e Tregtisë e Industrisë, Hykmete Bajrami.

“Ne jemi të interesuar që ju 600-700 milionët të cilët i sjellni për ti mbajtur familjet e juaj ti shndërroni në investime në mënyrë që ju të përfitoni  edhe familjet e juaja, por në fakt të gjithë qytetarët e Kosovës të përfitojnë nga kjo”, tha ministrja.

Në këtë linjë ishte edhe ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets, e cila theksoi se diaspora mund ti kontribuojë zhvillimit të Kosovës dhe se investitorët potencialë gjermanë janë kompani me staf kosovarë të cilët i bindin ata për të investuar në Kosovë.

“Remitencat zakonisht po shkojnë në konsum e jo në prodhim, e për të ndihmuar rritjen ekonomike nuk mjaftojnë vetëm remitencat, por nevojiten investime strategjike”, tha ambasadorja. 

Kurse kryetari i Odës Ekonomike Kosovaro-Gjermane Samir Krasniqi, bëri të ditur se ditëve në vijim do të dëgjohet për investime të huaja në Kosovë. Dy investime të rëndësishme me ç’rast do të krijohen deri në 600 vende të reja pune, paralajmëroi edhe ministrja e Tregtisë e Industrisë Hykmete Bajrami.

***

Investimet gjermane në Podujevë, pritet të punësojnë deri në 800 të papunë. Kjo u bë e ditur në një konferencë për media të mbajtur nga ministri i Punës, Arban Abrashi dhe ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, së bashku me një grup investitorësh gjermanë.

Ministri Abrashi, interesimin e investitorëve gjermanë i konsideron lajme të mira për zbutjen e papunësisë si dhe për imazhin e shtetit. Ministri Abrashi theksoi se në fabrikën që do të hapet për përpunimin ushqimor në Podujevë, prioritet punësimi do të kenë gratë që vijnë nga kategoritë me ndihmë sociale.

“Me investitorin u pajtuam që procesi i aplikimit për punë, pasi që do të kenë prioritete gratë, posaçërisht ato që janë në asistencë sociale, ideja është nga kjo shtresë, do të kenë prioritet. Kjo do të bëhet përmes zyrave të punësimit dhe ne, si ministri, do të hartojmë projekte specifike të trajnimit dhe përkrahjes për këta të punësuar. Po flasim për vetëm në këtë fabrikë të përpunimit të perimeve për diku mbi 500 deri në 800 punëtorë,” tha Abrashi.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, tha se investitorët gjermanë kanë parë optimizëm në Kosovë, duke treguar shpresën që nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim dhe Asociimit do t’i shtyjë disa zhvillime pozitive. Por, ajo tha se kuvendi ka një reputacion të keq dhe i ka krijuar një imazh tjetër Kosovës në Gjermani.

Ndërsa, drejtori i firmës “Philipos Food Company L.L.C”, njëherësh edhe investitor në Kosovë, Klaus Jurgen Lotz, tha se nuk është mënyrë e mirë e të menduarit që të shkohet në Gjermani për një periudhë të shkurtër dhe të thuhet se nuk ka raste të mira atje. Sipas tij, rastet e mira duhet të krijohen edhe brenda Kosovës me kompani të reja dhe programe të arsimit.

***

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë organizuar Forumin Vjetor Publiko-Privat ku është prezantuar raporti  i reformave të ndërmarra në Doganë dhe efektet në biznes. Ministri i Financave Avdullah Hoti ka thënë se që prej është në krye të Ministrisë ka hequr të gjitha formalitete e komunikimit me bizneset. Duke folur për arritjen e partneritetit të nevojshëm për zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë në përgjithësi, ai ka premtuar edhe ndryshime të tjera ligjore që do të krijojnë lehtësira për biznese.

“Unë mendoj që janë bërë disa veprime të dukshme. Një agjendë të ndryshimeve në reforma të politikave fiskale e kemi promovuar si Qeveri e kemi zhvilluar bashkë. Janë edhe disa pjesë që janë fillua të atyre ligjeve që do të arrimë ti realizojmë shpejtë siç është , udhëzimi për pushimet tatimore”, tha ministri.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, theksoi se para vitit 2009, komunikimi Qeveri-biznese ka qenë më i vështirë. Sipas tij, nga viti 2009 e këndej ekziston mundësia që të ketë komunikim më pozitiv.

“Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë ngjarje si kjo e sotme me ministrat dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë për shakë të mungesë të nivelit të zhvillimit të dialogut publiko-privat. Tashmë rëndësi ka që partneriteti i këtyre viteve ka mundësuar që të ketë edhe disa rezultate pozitive. Ekzistojnë çështje besoj që këto duhet të jenë vende ku do të diskutohen këto probleme”, tha Zeka.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna ka shpalosur objektivat që Doganat kanë në plan për dy vitet e ardhshme e që sipas tij do të fokusohen në sistemin elektronik.

“Dogana ndër vite ka mbledhur afër 10 miliardë euro, vetëm vitet e fundit kemi mbledhur më shumë se 140 milion euro. Ne kemi arritur në vitin 2015 që të jemi konformë standardit botëror, për një cent që investon qeveria dogana i kthen 99 cent në buxhetin e shtetit,” ka thënë Rafuna.

Bizneset ndërkaq shfrytëzuan rastin të ankohen tek zyrtarët, pasi që sipas tyre, në mallrat që importohen shpesh doganat nuk i pranojnë çmimet importuese, por vendosin çmime shumë më të larta se sa çmimi i vërtetë i importuar, e që kjo u shkakton shpenzime shtesë dhe ngritje të çmimit të produktit.

***

Kabineti qeveritar i Kosovës është informuar nga Kryeministri Isa Mustafa për takimin e zhvilluar me udhëheqjen e Ferronikelit, ku ka marrë pjesë edhe ministri i Financave Avdullah Hoti, e ku është biseduar lidhur me tejkalimin e gjendjes në Ferronikel.

Mustafa tha se bëhet fjalë për një firmë e cila ka pozitë mjaftë të rëndësishme, që punëson rreth 1 mijë punëtorë dhe për të cilën qeveria të cilën ai e drejton, është e interesuar të jep mbështetje në mënyrë që të nxjerrët nga situata e pavolitshme në të cilën është.

“I është premtuar nga Ministria e Infrastrukturës që të bëhet zhvendosja e rrugës në atë pjesë në të cilën ata kanë të drejtë të mihin dhe të shfrytëzojnë eksploatimin e xehes, dhe kanë kërkuar nga AKP-ja që të bëhet zhvendosja e binarëve të trenit që qojnë në Golesh, për të njëjtën arsye që të shfrytëzojnë xehen e cila është nën hekurudhë, dhe ka mbet që në qershor në mbledhjen e bordit AKP-ja t’u jap përgjigje”, tha kryeministri. 

Mustafa po ashtu tha se drejtuesit e Ferronikelit, kanë vërejtje dhe kërkesa që të zvogëlohen tarifat e energjisë elektrike, ose të lirohet që Ferronikeli të bëjë importimin e energjisë elektrike nga vende ku vet i gjejnë. Për momentin Ferronikel është në remont të brendshëm dhe ata janë të interesuar të fillojnë me prodhim shumë shpejt”, u shpreh Mustafa.

***

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për miratimin e klasifikimit të vendeve të punës në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Ky klasifikim është përgatitur nga komisioni i përbashkët qeveritar i Ministrisë Administratës Publike dhe Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës.

Kryeministri Mustafa me këtë rast kërkoi që propozim-vendimi të përfshihet në ligjin për pagat. “Këtu problemi themelor është i kostos së këtij vendimi, sepse është një kosto mbi 5 milionë euro. Ne kemi ngecur te Ligji për Pagat, të cilin duhet ta procedojmë sa më shpejt. Nëse ne do të procedojmë me ligjin për pagat atëherë kjo kosto e këtij vendimi do të inkorporohet në ligjin për pagat dhe praktikisht nuk do t’i kemi dy kosto”, u shpreh kryeministri.

Ndërkaq Ministri Arsim Bajrami propozoi që krahas këtij procesi të përfshihet edhe komponenti i vlerësimit të performancës.

“Neve na duhet vlerësim performance në nivel më të ulët, në mënyrë që t’i stimulojmë shërbyesit civilë të jenë kreativë në vendin e punës. Jo vetëm të kenë një vend pune, por të zhvillojnë karrierën e tyre gjatë gjithë jetës”.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar ndërkaq, kërkoi miratimin e propozimit për klasifikimin e nëpunësve civilë pa e përcaktuar koston e sistematizimit.

***

Në mbledhjen e Qeverisë është miratuar edhe Propozimi për përzgjedhjen e modelit të përzier për financimin publik të organizatave jo-qeveritare në Republikën e Kosovës. Me këtë synohet krijimi i një kornize transparente për shpërndarjen e fondeve publike për Organizatat e Shoqërisë Civile dhe OJQ-të,  që është përcaktuar si një nga qëllimet kyçe të Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin përfundimtar për shpronësimet për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM: Pika Kufitare Kapi, Zona Kadastrale Sfircë, Komuna e Kamenicës.

***

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në leximin e dytë Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, tha se kanë pranuar komentet nga Zyra e Be-së dhe Euleksi, si dhe shoqëria civile, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me përmbajtjet e projektligjit.

“Në takimet e zhvilluara me ekspertë të Zyrës së Be-së është thënë se projektligji nuk është në përputhje me direktivat e Be-së, ka disa dispozita që mungojnë e disa të tjera që nuk janë në harmoni me legjislacionin e Be-së”, tha Osmani.

Kurse deputeti Sabri Hamiti potencoi se ekzistojnë qëndrime të ndryshme nga komisionet në lidhje me këtë projektligj.

“Komisioni për Integrime Europiane ka vlerësuar se projektligji dhe amendamentet nuk janë në kundërshtim me legjislacionin e Be-së. Ndërsa Naser Osmani si shef i Komisionit që i mbledhë thotë se projektligji nuk është në përputhje me direktivat e BE-së.“

Megjithatë, deputeti Naser Osmani tha se Komisioni të cilin e drejton ai, rekomandon të miratohet projektligji ashtu si është.

“Pasi që kjo të kalojë, sepse duhet të jetë në fuqi deri më 7 qershor për me i mbërri afatet kohore që Kosova të bëhet pjesë e asociacionit… dhe pasi të arrihet kjo,Qeveria në BKP me ekspertë të ndryshëm të formojë grupin punues për ta  përmirësuar ligjin që të jetë kompatibil me Be-në.”

Prandaj, deputetët me 58 vota pro e 7 abstenime miratuan ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Ndryshe, Opozita nuk ka marrë pjesë në seancë.

***

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza, ka pritur në takim Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Sektori është i shëndosh dhe indikator pozitiv është zvogëlimi i normës së interesit në kredi, tha pas takimit guvernatori Bedri Hamza. Sektori i agrobiznesit dhe ai i prodhimit po gjenerojnë vende të reja të punës, shtoi më tej Hamza, për të folur edhe për kontributin e përmbaruesve privatë.

“Çështja e përmbaruesve privat ka kontribuar në përmirësimin e kredive jo-performuese, në lehtësimin e punës së bankave. Gjithashtu ne kemi hap edhe mundësinë që për ndërmarrjet e tjera të japim garancitë kreditore edhe kompanitë e sigurimeve, që kanë vlerën e njëjtë sikur garancitë kreditore që japin bankat sepse janë kompanitë që gjithashtu mbikëqyren dhe licencohen nga ana jonë”, ka thënë Hamza.

Ndërsa kryeministri Mutafa ka theksuar se vlerësimet e Bankës Qendrore janë sikurse ato të Bankës Botërore, që këtë vit Kosova ka pasur një rritje të mirë ekonomike.

“Kemi trende të mira të zhvillimit sepse edhe vlerësimet e BQK-së janë si ato të Bankës Botërore se ne do të kemi një rritje ekonomike për vitin e kaluar ndërmjet 3.5%-3.6% dhe poashtu një rritje më të madhe ekonomike për vitin e ardhshëm, sepse kemi një trend të mirë të inkasimit të tatimeve edhe do ta kemi edhe në të ardhmen”, tha Mustafa.

Kryeministri theksoi se BQK po ndihmon vendin dhe qeverinë përmes punës dhe mbikëqyrjes së sektorit bankar. Ministria e Drejtësisë përmes ndryshimit të ligjeve ka siguruar që të ketë një sistem që funksionon shumë mirë. Kryeministri tha se do ta përkrahin Bankën Qendrore që buxheti të jetë i qëndrueshëm dhe stabil.

***

Është përuruar fabrika e ujit në fshatin Balincë të Komunës së Vushtrrisë. Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, tha se kjo zgjidh një problem të madh për qytetarët e Komunës së Vushtrrisë.

Ndërtimi i fabrikës është financuar nga Qeveria e Kosovës në vlerë prej 8 milionë e 700 mijë euro. Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli theksoi se ishte Mulaku ai që i bëri shumë presion qeverisë që kjo fabrikë të ndërtohej dhe lëshimi në funksion i saj është mirë për të gjithë vushtrriasit. 

Fabrika e Ujit në Balincë të Vushtrrisë, do të ketë kapacitet për 410 litra në sekondë dhe do të furnizojë 18 fshatra të reja të Komunës së Vushtrrisë. Sipas zyrtarëve, deri në vitin 2017, do të bëhet shtrirja e rrjetit të ujësjellësit në të gjitha fshatrat.

 - Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme