Tahiri fton shqiptarët e Bursës të investojnë në Kosovë

Në fjalën që mbajti në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar të Ballkanit, organizuar në Bursa të Turqisë, Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri i ftoi biznesmenët të investojnë në Kosovë.

Tahiri fton shqiptarët e Bursës të investojnë në Kosovë
kosova devlet bakanı edita tahiri2.jpg

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, të martën mori pjesë në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar të Ballkanit të katërtin me radhë në Bursa të Turqisë, i organizuar nga Rumelisiad, shoqatë kjo e themeluar nga biznesmenët shqiptarë dhe emigrantët e tjerë të ardhur në Turqi nga vendet e Ballkanit.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin qeveritarë dhe biznesmenë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Bullgaria, Rumania dhe Greqia.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja Tahiri theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi ekonomik mes shteteve të Ballkanit dhe Turqisë dhe kërkoi që investimet e Turqisë të rriten edhe në Kosovë duke u bërë thirrje sidomos shqiptarëve të Bursës që të investojnë në Kosovë duke u kërkuar atyre t’i shtrijnë bizneset në vendlindjen e të parëve.

Ju, biznesmenët shqiptarë që jetoni në Bursa dhe anembanë Turqisë keni dy vendlindje, andaj, ky është një obligim i dyfishtë për ju, sepse ju takon që të investoni në Turqi si vendi ku jetoni, por edhe në Kosovë dhe në mbarë tokat shqiptare prej nga keni ardhur”, tha Tahiri.

"Ashtu siç e keni bërë Bursën një fuqi ekonomike ashtu presim të kontribuoni edhe për Kosovën që ta bëjmë një fuqi ekonomike, për të cilën Kosova ka potenciale të mëdha", tha ajo.

Ministrja Tahiri shtoi se Kosova po zhvillohet çdo ditë e më shumë dhe ka potenciale të mëdha ekonomike dhe burime njerëzore të përgatitura për standardet e ekonomisë së tregut modern, për këtë arsye Kosova është një vend me interes për investime të jashtme.

Fizibiliteti për investime ekonomike në Kosovë është pozitiv dhe kjo besoj është garancia më e mirë për ju investitorët, sepse Kosova ka bërë reforma legjislative në favor të investimeve strategjike dhe ka krijuar mekanizma për garantimin e investimeve.

Më shumë se kaq, Kosova tashmë ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit në BE, me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe vendimi për liberalizimin e vizave ka nxjerrë qytetarët e Kosovës nga izolimi i padrejtë.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe përkushtimi jonë për të plotësuar standardet e tregut të lirë dhe cilësisë së produkteve janë një garanci e qëndrueshme për investitorët potencial nga jashtë për të investuar në Kosovë.

Njëkohësisht Tahiri falënderoi shtetin e Turqisë për mbështetjen që i ka bërë shtetit të Kosovës në planin diplomatik dhe të njohjeve duke vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.

Ajo ishte e shoqëruar nga këshilltarët politik Elona Cecelia dhe Gazmir Raci.



Lajme të ngjashme