Rama siguron sipërmarrjen e huaj për mbështetjen e shtetit

Duke folur para investitorëve të huaj, Kryeministri Edi Rama siguroi të martën sipërmarrjen e huaj në Shqipëri se ka mbështetjen e plotë të shtetit për të zgjidhur çdo problem që do të hasë.

Rama siguron sipërmarrjen e huaj për mbështetjen e shtetit

Kryeministri Edi Rama siguroi të martën sipërmarrjen e huaj në Shqipëri se ka mbështetjen e plotë të shtetit për të zgjidhur çdo problem që do të hasë.

Duke folur para investitorëve të huaj, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare financiare në Shqipëri, por edhe të trupit diplomatik, Rama hodhi poshtë akuzat e ngritura në ditët e fundit se disa investitorë të huaj, të rëndësishëm po largohen nga vendi.

Kryeministri duke ndarë me të pranishmit faktin se ka ende shumë për të bërë për të përmirësuar klimën e të bërit biznes, informoi se nuk po largohet asnjë investitor nga Shqipëria. Dy kompanitë, tha ai, TIA dhe Bankers po shiten, nuk po largohen, madje shtoi Rama, po shiten shumë më shtrenjtë se sa janë blerë pak vite më parë.

Kreu i qeverisë u shpreh në fjalën e tij se e gjithë kjo tymnajë shpërndahet sepse po shtrëngohet rrethi i lirisë për të mos paguar, sepse ka shumë forca brenda biznesit që janë mësuar të hapin dyert e të bëjnë ca të duan. “Unë jam i pari që besoj se ka një mijë e një arsye që të mos jemi të kënaqur me situatën në raport me gjithë shërbimet që i kryejmë biznesit, ndër to hyjnë edhe administrata e kanalet e burokracisë, që shpesh bëhen të padurueshme. Por ne duam mbështetjen dhe bashkëpunimin për të bërë bashkërisht gjërat”, tha Rama.

Për këtë ai njoftoi se biznesi është ftuar të paraqesë pranë ministrisë së Financave propozimet për përmirësimin e procedurave.

“Ishim në kulmin e një konflikti me CEZ, si rezultat i një shpronësimi të dhunshëm nga ana e qeverisë së mëparshme. Kishim bllokim të plotë të kompanive që kryenin punë publike dhe shërbimeve për llogari të shtetit për shkak se nuk paguheshin. Kishim bllokim të plotë të kredive nga ana e bankave për shkak se marrëdhëniet me këto kompani e impononin këtë gjë dhe 720 milionë dollarë borxhe për tu paguar për të zhbllokuar kompanitë dhe për të rifilluar ngritjen nga një situatë, ku rritja ekonomike lëkundej mes zeros e njëshit që forca politike mundohej ta shtynte drejt njëshit me shifra të fabrikuara”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama informoi se progres është bërë edhe sa i takon kontrolleve nga ana e administratës tatimore tek biznesi. Sipas tij për herë të parë administrata tatimore operon me kontrolle mbi bazën e riskut. “Në të gjitha rastet kur sipërmarrja ka denoncuar shkelje, përgjigjja edhe pse në shkelje të të drejtave të njeriut ka qenë shkarkimi pa kushte. Por ky bashkëpunim duhet të jetë shumë më i fortë dhe sipërmarrja duhet të zgjedhë komunikimin me administrata dhe jo rrugën e shkeljes së syrit inspektorit”, tha Kryeministri.

Sipas kryeministrit Rama, kemi kompani shumë të mëdha që kanë punuar si pika pakice. “Nuk i fajësojmë, ka qenë koha siç thonë ata dhe nga ana tjetër kompanitë janë për të fituar në treg, jo për të vendosur ligjin, është detyra jonë të bëjmë këtë gjë”, tha Rama, ndërsa shtoi se falë luftës kundër informalitetit të ndërmarrë nga qeveria, kemi një rritje eksponenciale të volumit të deklaruar dhe ulje eksponenciale të informalitetit.

“Nuk do ta besoj e se kam besuar asnjëherë se në këtë vend problemi janë taksat. Ka predikues që kërkojnë të kthehemi tek taksa e sheshtë. Po pse duhet të rrisim taksat shtresës së mesme për të ulur taksën biznesit të madh. Përmes taksës progresive vendosëm për uljen e taksave për 97 % të popullsisë. Mund tu them me shifra në dorë se duke u futur në marrëveshje me FMN-në ne shmangëm falimentin financiar të fundit të vitit 2013. Nuk do të kishim lekë për të paguar pagat”, deklaroi Rama.

Por, shefi i qeverisë shqiptare evidentoi se reforma në drejtësi është themelore për tu dhënë të gjitha reformave të tjera qëndrueshmëri. Kam pasur, tha ai, disa kontakte me kompani që kanë hasur arbitraritete të pa imagjinueshme në gjykatë, por shtoi Kryeministri Rama, duhet të ndajmë bashkërisht një bindje se “Shqipëria nuk do të bëhet vendi që duam nëse nuk luftohet informaliteti e privilegjet dhe drejtësitë e ndryshme merren përmes korsive preferenciale”.

Takimi i Kryeministrit Rama me sipërmarrjen u zhvillua pranë zyrave të reja të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve të AIDA në rrugën e Rinasit.

 



Lajme të ngjashme