Importuesit nga Kosova të doganojnë mallrat në Portin e Durrësit

Ministrat e financave të Kosovës e të Shqipërisë në takimin që patën në Prishtinë propozuan që importuesit nga Kosova mallrat ti zhdoganojnë në portin e Durrësit.

Importuesit nga Kosova të doganojnë mallrat në Portin e Durrësit

Ndërmarrjet kosovare, të cilat importojnë përmes Portit të Durrësit, të kontrollohen e doganohen vetëm në këtë port, pa pasur nevojë ta bëjnë të njëjtën gjë gjatë hyrjes në Kosovë. Ky është propozimi i dy ministrave të financave të Shqipërisë e të Kosovës, të cilët u takuan në Prishtinë, në parapërgatitje për mbledhjen e dy Qeverive që do të mbahet më 3 qershor në Prishtinë.

Ndërmarrjeve kosovare të cilat importojnë përmes Portit të Durrësit do tu lehtësohen procedurat, pasi që synohet t’iu bëhet vetëm një kontroll e doganim, njoftoi ministri i Financave i Shqipërisë Arben Ahmetaj.

“Porti i Durrësit do të kthehet në portë të vetme unike hyrëse për sipërmarrjet kosovare në kuptimin e kontrollit doganor që do të thotë çdo sipërmarrje kosovare mjafton të inspektohet, kontrollohet, zhdoganohet në portin e Durrësit, dhe të ketë hyrje direket më pas drejt Kosovës në tregun kosovarë”, tha Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj po ashtu njoftoi edhe për një vendim të përbashkët me homologun e tij kosovarë Abdullah Hoti, e që ka të bëjë me lehtësimin në maksimum të marrëdhënieve tregtare ndërkufitare.

“Jemi duke fol për tregtinë e vogël të prodhuesve të vegjël në zonat shumë afër kufirit në 20-30 km në mënyrë që ajo të bëhet shumë e thjeshtë, shumë e shpejtë në mënyrë që ti ndihmojë ekonomitë familjare të të dyja anëve”, njoftoi ministri i qeverisë së Shqipërisë.

Kurse ministri Hoti njoftoi për kërkesat e bizneseve në takim me dy ministrat.

“Kërkesë e përfaqësuesve biznesore nga Shqipëria është që ne të përshpejtojmë procedurat e zhdoganimit për produktet e freskëta sepse ato nuk kanë mundësi të presin gjatë në doganë. Do të adresojmë çështjen e terminaleve doganore, çështjen e certifikatave që lëshohen nga AVUK në Kosovë e nga AKU e Shqipërisë dhe jo vetëm nga këto dy institucione por edhe nga të gjitha tjerat, janë disa prej çështjeve që u ngritën nga bizneset në dialogun që kishim,” tha ministri Hoti.

Ndryshe, në këtë takim, ministri shqiptar Ahmetaj njoftoi edhe për një risi, që qeveria shqiptare ka rënë dakord që mos të ketë asnjë rritje të taksave për biznese. E vetmja pako që qeveria shqiptare do të avancojë, do të jetë ajo e lehtësive procedurale e cila do të jetë gati në shtator të këtij viti.

***

Kosova dhe Maqedonia duhet të lidhen me interkoneksionin e dytë 400 kilovoltësh, është thënë pas takimit mes ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe homologut të tij nga Maqedonia Driton Kuqi.

Aktualisht, sistemi elektro-energjetik i Kosovës dhe ai i Maqedonisë lidhen me një linjë interkonektive 400 kV (kilovolt). Por, ministri i ekonomisë së Maqedonisë Driton Kuqi u shpreh për projektin e ri në këtë fushë.

“U bisedua për projekte energjetike aktuale të përbashkëta sikurse që është interkonjeksioni i dytë Maqedoni-Kosovë prej 400 kv.”

Ministri kosovar Blerand Stavileci theksoi rëndësinë e këtyre projekteve, duke potencuar se një e tillë me Shqipërinë është gati përfundimit.

“Presim që muajin e ardhshëm të përfundojë edhe nga Shqipëria, pra bëhet fjalë për linjën e interkoneksionit, të ashtuquajturën autostradë energjetike, 400 kv dhe poashtu projekti i Termocentralit të ri, i cili më shumë lidhet me nevojën e furnizimit brenda vendit tonë, por që do të ketë pastaj ndikim edhe në zhvillimet e ardhshme në tregjet e përbashkëta  që ne mendojmë ti kemi dhe pastaj si një platformë e përbashkët e një tregu të integruar rajonal.”

Pas takimit po ashtu është njoftuar se është arritur pajtimi për rëndësinë e zhvillimit ë sistemeve gaz-përçuese. Nga ana tjetër, ministri nga Maqedonia pranoi se në shtetin e tij po ballafaqohen me krizë politike, por që kjo nuk duhet t’i ndalë projektet e përbashkëta me Kosovën.

***

Pritjet e qytetarëve për sektorin ekonomik janë përmirësuar. Besimi i bizneseve ka filluar të ngjallet. Këto janë të gjeturat kryesore të hulumtimit “Monitori i Biznesit Kosovar”, të bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës, të cilat tregojnë për optimizëm në aktivitetet biznesore dhe punësim në gjashtë muajt e ardhshëm. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha se ka pritje për përmirësime të theksuara në biznes.

“Këtë tremujorë, sektori i tregtisë me pakicë dhe sektori i ndërtimit megjithatë kanë performuar më dobët, krahasuar me sektorët e tjerë. Sidoqoftë edhe te këta sektorë përmirësimi është i theksuar”

Gërxhaliu poashtu tha se pritjet më të larta për punësim janë te sektori i prodhimit.

“Pritjet më të larta janë te sektori i prodhimit (nga 40% në 76%), tregtia me shumicë (nga 39% në 52%), sektori i ndërtimit (nga 14% në 24%), sektori i shërbimeve (nga 54% në 63%) dhe sektori i tregtisë me pakicë (nga 27% në 34%).”

Indikatori i konfidencës ka shënuar përmirësim këtë tremujorë. Besimi i bizneseve ka filluar të ngjallet, por sidoqoftë ende mbetet nën nivel negativ. Rritja në vlerë është 8.3%. Sipas Odës Ekonomike, qëllimi këtij hulumtimi është të ofroj informacion të besueshëm dhe në kohë për zhvillimet ciklike në ekonomi. Indikatori për matjen e tendencës në biznes “Monitori i Biznesit Kosovar” aplikohet për herë të parë në Kosovë derisa anketa është mbështetur nga Organizata Gjermane GIZ. 

***

Komisioneri Evropian Johanes Han ka qëndruar në Kosovë në kuadër të konferencës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës. Me këtë rast Han dha mesazhe të qarta për institucionet e vendit, që të punohet në forcimin e ligjit. Ai vlerësoi se MSA është kornizë në marrëdhëniet Kosovë –BE por kjo marrëveshje nuk zgjidh problemet e brendshme politike të shtetit.

Ndërsa Presidenti i vendit Hashim Thaçi tha se MSA është marrëveshje, e cila paraqet mundësi për zhvillim ekonomik të vendit dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Për të arritur sukses ai përmendi edhe përpjekjet për sundimin e Ligjit.

“Askush nuk mund të thotë se Kosova është e përsosur, por muret që na kanë ndarë në të kaluarën janë shembur. Me punën tonë ne do ta rrisim besimin e qytetarëve tek shteti ynë. Kam besim se spektri politik kosovar do të ndërtojë një kod dhe nuk do të ketë më njerëz me aktakuza në institucione dhe lista zgjedhore.”

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ndërkaq, tha se BE –ja paraqet partnerin kryesor të Kosovës në ekonomi, ndërsa MSA është kontratë për zhvillimin ekonomik dhe shtet ligjor.

“Kjo marrëveshje është pjesë e rëndësishme e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimin në BE. Kosova do të ketë qasje të lehtësuar në tregjet e Be-së. Me progresin në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e ligjit në sferën e energjisë, politikave sociale do të kemi perspektivë të zhvillimit. MSA do të ketë dhe ngritje te investimeve të huaja direkte.”

Edhe Ministri i Integrimeve, në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, në fjalimin e tij tha se qëllim parësor i kësaj marrëveshje mes Kosovës dhe BE-së është mundësia në përforcimin e demokracisë dhe zbatimin e ligjit.

***

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka hedhur poshtë mundësinë e rinegociimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, që po kërkohet nga opozita. Në konferencën e përbashkët me Komisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, Mustafa mohoi të ketë qenë kërkesë e Qeverisë së Kosovës që ratifikimi i kësaj marrëveshje të jetë kusht për liberalizimin e vizave.

Ndërsa komisioneri Hahn, theksoi se sa më parë që të zgjidhet ky problem me Malin e Zi aq më mirë do të jetë për të dyja vendet. Ai tha se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin është në interesin e të dyja vendeve.

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë Komisioneri Hahn u prit edhe nga presidenti Hashim Thaçi. Në këtë takim, Thaçi tha se vizioni dhe qëllimi i Kosovës është perspektiva evropiane, ndërsa shprehu besimin se Kosova do t’i kryej të gjitha obligimet e saj sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.

Ndërsa në takimin me krye-parlamentarin Kadri Veseli, komisioneri Hahn, ka kërkuar unitet dhe përkushtim në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Nga ana e tij, krye-parlamentari Veseli, tha se perspektiva evropiane është qëllim nacional që gëzon konsensusin e plotë të gjithë faktorëve politikë në vend.

***

KEDS ka prezantuar Planin zhvillimor të rrjetit të shpërndarjes në Kosovë. Për periudhën 2016-2025 do të investohen deri në 300 milionë euro, u tha nga zyrtarët e kësaj korporate.

Plani zhvillimor parasheh në detaje investimet në secilën lagje të secilit lokalitet. Drejtori menaxhues i KEDS-it, George Karagutoff duke folur për planin, tha se deri në vitin 2025 do të investohen qindra milionë euro:

“Do të investohen deri në 300 milionë euro, me 1 mijë e 700 transformatorë të rinj, 2 mijë kilometër linja të reja, tensioni i nivelit do të bëhet standard, do të punohet në reduktim të humbjeve teknike prej 15 për qind në 9 për qind, do të ketë ndërprerje minimale në rrjet, kualitet më i lartë teknik dhe rrjet i qëndrueshëm.”

Kurse ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se ky program i zhvillimit të KEDS dhe shumë fusha të tjera kanë rëndësi për zhvillimin ekonomik.

“Prania kaq e madhe e kryetarëve të komunave këtu e tregon rëndësinë e këtij plani. Në të njëjtën kohë ne kemi kuptuar nga takimet me KEDS dhe këshilltari nga IFC se që nga privatizimi inkasimi ka shënuar rritje, përderisa humbjet janë zvogëluar. Ky është edhe objektivi ynë i përbashkët dhe një hap i madh përpara”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Blerand Stavileci..

Ndërkaq, Enver Halimi, kryetar i bordit të ZRRE-së”, tha se investimet e parapara do të modernizojnë rrjetin e shpërndarjes. Investimet e KEDS-it kanë nisur qysh në vitin 2013. Deri në tremujorin e parë të vitit 2016 janë investuar mbi 60 milionë euro.

***

Është zhbllokuar çështja e blerjes së 51 autobusëve për Trafikun Urban në Komunën e Prishtinës pas shumë tensionesh. Kuvendi Komunal votoi vendimin  me të cilin i rekomandohet Ministrisë së Financave, që të miratojë kërkesën për garanci shtetërore për marrjen e kredisë. Kuvendi Komunal po ashtu autorizoi fillimin e negociatave për kthimin e Pallatit të Rinisë në ndërmarrje publike.

Mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës nisi me debate të nxehta mes asamblistëve të LDK-së dhe ekzekutivit. Shefi i grupit të LDK-së, Sabri Hamiti kërkoi që si pikë e parë e rendit të ditës të jetë çështja e kredisë nga BERZH-i, për blerjen e 51 autobusëve duke kërkuar që Kuvendi të miratojë garancinë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka kritikuar asamblistët e LDK-së duke u thënë që për vite me radhë sa kanë qeverisur me Prishtinën, e kanë lënë atë me 7 autobusë.

Në marrëveshjen e grupeve parlamentare i rekomandohet Ministrisë së Financave që të kërkojë nga qeveria të nënshkruajë garancinë. Ndërkohë, Komuna zotohet që të marrë përsipër kthimin e borxhit nëse ndërmarrja Trafiku Urban dështon ta bëjë këtë. Kjo u votua unanimisht nga asamblistët.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme