Shqipëri-Kosovë me treg të përbashkët energjetik

Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës , Blerand Stavileci, do të nënshkruajnë të mërkurën deklaratën e përbashkët për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike.

Shqipëri-Kosovë me treg të përbashkët energjetik

Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Blerand Stavileci, do të nënshkruajnë të mërkurën deklaratën e përbashkët që rrjedh nga takimi i fundit i Komitetit Drejtues për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike, Kosovë-Shqipëri.

Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Kosovë thuhet se nënshkrimi i deklaratës do të bëhet nesër (e mërkurë) në orën 10:00 në Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë në Tiranë.

Deklarata e përbashkët është rezultat i punës së Komitetit Drejtues, ku diskutohen zhvillimet e fundit në kuadër të krijimit të tregut të përbashkët të energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në 18 mars 2016, qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për t'i rekomanduar Presidentes së Republikës dhënien e autorizimit ministrit të Zhvillimit Ekonomik për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin dhe\ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit OST Sh.A. dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut – KOSST Sh. A.

Marrëveshja synon t'i kontribuojë stabilizimit rajonal të tregut të energjisë elektrike", u theksua në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, e cila, më parë, në 2 mars, shqyrtoi dhe miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes.

Në dhjetor 2015, në Kosovë u bë inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri" dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autrstradën" energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues. Në pjesën e Shqipërisë punimet përfundojnë këtë vit dhe bëhet inaugurimi i plotë.

Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje të tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së cilës 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.



Lajme të ngjashme