Ballkani Perëndimor kërkon mbështetjen e BE-së për projektet infrastrukturore

Në takimin e ministrave të Transportit dhe Energjisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, ministri shqiptar Haxhinasto kërkoi një angazhim më të madh nga ana e institucioneve financiare evropiane, për të investuar në projektet e infrastrukturës rajonale.

edmond haxhinasto.jpg

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, mori pjesë në takimin e ministrave të Transportit dhe Energjisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, që u drejtua nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn.

Ministri Haxhinasto u shpreh në takim në mbështetje të heqjes së pengesave jofizike në transportin midis vendeve dhe për liberalizimin e mëtejshëm të tregut. Ai paraqiti punën e gjerë që është bërë nga Shqipëria, në heqjen e këtyre pengesave, duke aplikuar modelin “One Stop Shop”, “Një doganë dhe Një pikë kufitare”, që po aplikohet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, shembull që u trajtua si një model që duhet ndjekur nga gjithë rajoni.

Haxhinasto kërkoi një angazhim më të madh nga ana e institucioneve financiare evropiane, për të investuar në projektet e infrastrukturës rajonale, veçanërisht në “Rrjetin Bazë”.

Këto investime janë të domosdoshme të realizohen paralelisht me hapat për liberalizimin e tregut të shërbimeve të transportit në rajon. Haxhinasto, kërkoi veprim të përbashkët për të ulur kostot e kalimit të kufirit në vendet e rajonit, që janë 5 herë më të larta se ato në vendet e BE-së.

Ministri u shpreh se në përputhje edhe me rekomandimet e samitit të Vjenës, Shqipëria po e trajton në mënyrë prioritare çështjen e mirëmbajtjes së rrjetit rrugor, duke përmendur edhe projektin e Qeverisë Shqiptare, për mirëmbajtjen e 1300 km rrugë me standarde, në vlerën prej 100 milion eurosh, për 5 vitet e ardhshme.

Ai përmendi gjithashtu vëmendjen për rritjen e sigurisë në rrjetin rrugor dhe situatën e përmirësuar të sinjalistikës dhe të sigurisë në të, që ka sjellë ulje të aksidenteve në rrugë, në përputhje me angazhimet e marra ndërkombëtare.

Haxhinasto shprehu mbështetjen e Shqipërisë për të realizuar Traktatin e Transportit të Rajonit përpara samitit të Parisit, të 4 korrikut 2016. Pas takimit ministri iu përgjigj edhe interesimit të mediave për takimin.



Lajme të ngjashme