Ekonomia në Eurozonë shënon rritje me 0,3%

Eurozona vijoi rritjen ekonomike në tremujorin e tretë të 2015-s, ndonëse ritmi i saj u zbut krahasuar me tremujorin e kaluar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë (BSH) në raportin e publikuar së fundi mbi zhvillimet ekonomike.

430760
Ekonomia në Eurozonë shënon rritje me 0,3%

Sipas BSH-së, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në këtë tremujor rezultoi me një rritje prej 0,3%, ndërsa ajo vjetore prej 1,6%. Në krahasim me një vit më parë, ritmi i rritjes u forcua. Rritja ekonomike u mbështet nga kontributi pozitiv i konsumit dhe i investimeve, faktorë këta që kompensuan tkurrjen e eksporteve neto.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se treguesit e besimit të biznesit dhe të konsumatorëve për tremujorin e fundit kanë shfaqur ecuri pozitive. Ndërsa treguesit për prodhimin konfirmojnë vijimin e rritjes me ritme të afërta me ato të tremujorit të tretë.

Perspektiva për vitin 2016 konfirmon forcimin e aktivitetit ekonomik, ndërkohë që rreziqet lidhen kryesisht me tensionet gjeopolitike dhe dobësimin e mundshëm të ekonomive në zhvillim, gjë që mund të zbehë eksportet evropiane drejt këtyre rajoneve. Politika lehtësuese e ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe programet e blerjes së titujve kanë rezultuar të suksesshëm në mbështetjen e aktivitetit ekonomik, por dobësia e përgjithshme e tregjeve të lëndëve të para dhe çmimet e tyre kanë ndikuar në normat e ulëta të inflacionit gjatë gjithë kësaj periudhe.

Inflacioni i Eurozonës është luhatur në vlera të ulëta dhe poshtë objektivit të BQE-së në muajt e fundit. Parashikimet për inflacionin e vitit 2016 u rishikuan për poshtë, në reflektim të vijimit të çmimeve të ulëta të naftës dhe të lëndëve të para.



Lajme të ngjashme