Anglia, 2 miliardë sterlina për një central bërthamor me Kinën

Sekretari britanik i Thesarit, George Osborne, premtoi të hënën shumën prej 2 miliardë sterlinash (3,1 miliardë dollarë) për ndërtimin e centralit të parë bërthamor në vend të 20 viteve të fundit, “Hinkley Point C”.

Anglia, 2 miliardë sterlina për një central bërthamor me Kinën

Lidhur me këtë projekt, qeveria deklaroi se shuma fillestare prej 2 miliardë sterlinash “do t’i hapë rrugën vendimit për investimin përfundimtar nga kompania energjetike EDF”, me mbështetjen e dy kompanive shtetërore kineze, që pritet të kapë shumën 24,5 miliardë sterlina.

“Ky është një hap përpara në marrëdhëniet e shkëlqyera mes Anglisë dhe Kinës, përkatësisht mes fuqisë më të vjetër civile bërthamore dhe asaj, që po zhvillohet me ritme shumë të shpejta”, tha Osborne pas takimit në Pekin.

Sekretarja për Energjinë, Amber Rudd, deklaroi se ky premtim “përbën një hap përpara”.

Rudd tha për “Financial Times” se kërkon që kompanitë kineze të ndërtojnë centrale bërthamore të reja në Britaninë e Madhe, duke nisur nga bashkëpunimi me EDF-në për centralin në Essex, në afërsi të Londrës.

“Kompanitë kineze duan që të ndërtojnë centralet në Britaninë e Madhe”, u shpreh ajo për gazetën “Financial Times”.

“Kjo, për shkak se ne kemi standarde për mënyrën e funksionimit të tyre”, shtoi Rudd.

Udhëtimi i Osborne dhe Rudd në Kinë vjen përpara vizitës së Presidentit kinez, Xi Jinping, në Londër, parashikuar në nëntor.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme