Panariti reagon ndan zhvillimeve të embargos ruse

Ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti, tha se embargoja ka karakter politik dhe vjen si kundërpërgjigje ndaj vendeve Perëndimore, të cilat kanë vënë sanksione ndaj Rusisë për shkak të përfshirjes në krizën e Ukrainës.

Panariti reagon ndan zhvillimeve të embargos ruse

“De fakto ndodhemi nën embargon ruse prej një viti. Arsyetimi ishte për të verifikuar autencitetin e vërtetimit të certifikatave të produkteve, pasi kishte të dhëna që certifikatat shqiptare përdoreshin, falsifikoheshin nga disa vende të tjera”, është shprehur ministri Panariti.

Ai thekson se, “ne reaguam dhe vendosëm komunikim me autoritetet ruse, duke përmirësuar certifikatat tona me elementë shtesë sigurie. U duk që nga masat e marra të ishim në pragun e hapjes së embargos dhe tashme njihemi me këtë vendim qartazi politik. Por, kjo nuk e pengoi bujqësinë të shënonte një bum eksportesh. S’na pengoi të dyfishojmë eksportet”, tha ai.

Ministri i Bujqësisë tha se embargoja ruse nuk e dëmton aspak bujqësinë shqiptare. Sipas tij, Shqipëria po sheh mundësinë për të eksportuar më shumë drejt SHBA dhe Ukrainës.

“Absolutisht asnjë lloj ndikimi nuk ka pasur. Kemi 18 vende ku eksportojmë, nuk i kishim sytë tek Rusia. Në SHBA ne çojmë 70 për qind të sherbelës, po punojmë që për SHBA të rrisim sasinë e eksporteve. Jemi në tratativa edhe për vende të tjera. Në shtator do shkoj në Ukrainë, ku do nënshkruaj një kontratë për eksporte masive”, shtoi ai.

Kryeministri rus, Dimitri Medvedev, bëri dje të ditur vendosjen e Shqipërisë, Malit të Zi, Islandës, Lihtenshtejnit dhe Ukrainës, në listën e embargos së produkteve ushqimore.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme