Të martën takim vlerësues i liderëve të eurozonës për Greqinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, François Hollande, të cilët realizuan mbrëmë një bisedë telefonike për të vlerësuar rezultatin e referendumit në Greqi, kanë thirrur liderët e eurozonës për mbledhje të martën.

Të martën takim vlerësues i liderëve të eurozonës për Greqinë

Populli grek shpalosi edhe një herë mbështetjen e tij për Kryeministrin Aleksis Tsipras, duke votuar “jo”-në në referendumin e djeshëm.

Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, në rrugët dhe sheshet e Athinës shpërthyen festimet.

Rezultatet e para të referendumit në Greqi filluan të ndahen me opinionin publik vetëm pak kohë pas përfundimit të procesit të votimit.

Festimet vijuan deri në mesnatë.

Të gjithë ishin në pritje të deklaratës, që do të bënte Kryeministri Tsipras.

“Në historinë e Greqisë është hapur një faqe e re”, tha ai, duke vlerësuar rezultatet e referendumit.

Shefi i Athinës zyrtare u takua në Kryeministri me anëtarët e kabinetit dhe Kryetaren e Parlamentit, Zoi Konstantopoulou.

Pas kësaj mbledhjeje, Tsipras pati një takim edhe me Presidentin prokopis Pavlopoulos.

Rezultatet e referendumit sollën me vete edhe një dorëheqje.

Lideri i Partisë Demokracia e Re në opozitë, Andonis Samaras, përkrahësi më i fuqishëm i “po”-së në referendum, dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të forcës politike në fjalë.

Por pa humbur kohë nisën të vijnë edhe reagimet ndaj “jo”-së në referendumin grek.

Komisioni Evropian deklaroi se respekton vendimin e popullit grek, që refuzoi me referendum kushtet e kreditorëve.

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, u shpreh se janë të detyruar të pranojnë rezultatin e referendumit, duke theksuar se pasojat e tij varen fillimisht nga vet Greqia.

Gjatë ditëve në vijim, pritet që Kryeministri Tsipras të shkojë në Bruksel për të nisur bashkëbisedimet mbi një paketë të re.

Nga ana tjetër, Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, François Hollande, të cilët realizuan mbrëmë një bisedë telefonike për të vlerësuar rezultatin e referendumit në Greqi, kanë thirrur liderët e eurozonës për mbledhje të martën.

Po ashtu, Merkel dhe Hollande do të takohen pasditen e sotme në Paris për një vlerësim më të detajuar të rezultatit.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme